Qeveria Haradinaj i çon 1.5 milionë euro në vetura

Autori:Gazeta Fjala

foto

Ministrat e zëvendësministrat e rinj kryeministri Ramush Haradinaj nuk do t’i lë të ecin me autobus e as automjete të vjetra.

Miliona euro të taksapaguesve janë paraparë që në vitin 2018 të shkojnë nga kjo qeveri për blerjen e veturave zyrtare.

Gazeta Fjala ka kalkuluar shpenzimet e parapara për blerjen e veturave për secilën institucion veç e veç dhe ka dalë se plot 1.5 milionë euro janë ndarë për blerje të veturave të reja, vetëm gjatë vitit 2018.

“Totali për blerjen e veturave të reja në vitin 2018 është 1 milionë e 440 mijë euro”, është shifra që del pas kalkulimeve të nxjerra nga dokumenti i projekt buxhetit, të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Megjithatë kjo nuk është e tëra sa i përket shpenzimeve për vetura.

Qeveria Haradinaj  ka planifikuar t’i ndaj edhe 7.2 milionë euro tjera për shfrytëzim të 358 automjeteve me qira për 66 muaj.

Ministria e Pacollit gati gjysmë milioni euro në vetura

Sa i përket institucioneve veç e veç, Ministria e Punëve të Jashtme e drejtuar nga Behgjet Pacolli do të jetë më e shtrenjta në blerjen e veturave zyrtare.

Sipas projektbuxhetit, kjo ministri ka planifikuar që në vitin 2018 të blejë vetura zyrtare në vlerë prej 400 mijë euro. Ndërkaq, në vitin 2019 kjo ministri planifikon ti shpenzojë për këtë punë edhe 250 mijë euro tjera.

Në projekt buxhet për këtë ministri ceket se veturat do të blihen kryesisht për ambasadat e Kosovës nëpër vendet e ndryshme të botës.

Institucionet tjera që të blejnë vetura

Pas Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas projektbuxhetit për vitin 2018, në rend me shpenzime të mëdha në vetura vije Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për këtë ministri shteti ka ndarë gjithsej 250 mijë euro.

Në shpenzime për vetura është lëshuar edhe Kuvendi i Kosovës. Ky institucion për vitin 2018 do të blejë vetura në vlerë prej 130 mijë euro.

Për Universitetin e Prishtinës janë ndarë 100 mijë euro. 150 mijë tjera do të shpenzojë ministria më e re në Qeveri, ajo për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpenzojë 60 mijë euro, kurse 40 mijë euro tjera do të shkojnë për Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Ndërkohë, për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Inspektoratin Shëndetësor, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, QKMF-në dhe QPS-në janë ndarë për blerje të veturave nga 30 mijë euro për secilën. /Gazeta Fjala/ (Dardan Arifi).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/qeveria-haradinaj-i-con-1-5-milione-euro-ne-vetura/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala