Qeveria Haradianaj nuk e njeh studimin që kushtoi 600 mijë euro

Autori:Agon Sinanaj

106979620 (1)

 

Në nëntor të vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ia dha përmes tenderit 600 mijë euro kompanisë Ernst & Young për ta kryer një studim fizibiliteti mbi gjigantin metalurgjik Trepça.

Kompania e kreu punën, edhe pse të gjeturat u përcollën më shumë kritika nga njohësit e Trepçës dhe vetë menaxhmenti i saj.

Sipas tyre, të gjeturat e këtij studimi e përgjysmojnë pasurinë minerare të Kosovës. Megjithatë, nga qeveria Haradinaj nuk pritet të merret fare parasysh ky studim, ndonëse për të u dhanë 600 mijë euro.

Studimi i fizibilitetit për Trepçën ka qenë i iniciuar dhe financuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik tash thonë se e  kanë pranuar raportin nga AKP dhe aktualisht po e shqyrtojnë atë, por kanë pranuar se studimi nuk paraqet gjendjen reale në terren.

“Ne mendojmë se Studimi ka paraqit rezervat sipas te dhënave që ka arrit t’i siguroj por ne duke ditur ndërtimin gjeologjik të vendburimit dhe teknologjinë hulumtuese të kohës, mendojmë se resurset janë më të mëdhaja por kjo vërtetohet me hulumtime te veçanta koherente që do të bëhen në të ardhmen”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Aktualisht kjo ministri është duke mbështetur Qeverinë për hartimin dhe inicimin e konkursit për themelimin e Bordit Mbikëqyrës për Trepçën sipas Ligjit për Trepçën.

“Pas themelimit të Bordit Mbikëqyrës për Trepçën, Bordi ka kompetencë që ndërlidhen me investimet dhe partneritet për hulumtim dhe shfrytëzim të mineraleve”.

Çka thotë studimi që kushtoi 600 mijë euro

Gazeta Fjala ka siguruar më parë një kopje të këtij studimi, i cili për shumë njohës të ekonomisë dhe drejtuesit e Trepçës, e përgjysmon pasurinë minerare të Kosovës.

Nga të gjitha studimet e deritanishme mbi gjigantin metalurgjik është vlerësuar se Kosova ka një sasi prej 62 milionë tonë pasuri minerare. Por në këtë të fundit të porositur nga Qeveria e Kosovës e që ka kushtuar mbi gjysmë milioni euro, pasuria nëntokësore e Kosovës është përgjysmuar në 32 milionë tonë rezerva minerare.

Aty shihet se në minierën e Stantërgut, e cila me studimet e deritanishme ka pasur 22 milionë rezerva gjeologjike, është konvertuar në 12 milionë rezerva minerale të balancuara.

E njëjta ka ndodhur edhe me minierën e Bellobërdos dhe minierën në Cërnac.

Tmava: Studimi nuk parasheh ndonjë vizion zhvillimor për Trepçën

Edhe më kundërshtues ndaj këtij raporti është treguar drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, i cili pati thënë për Gazetën Fjala se drafti të cilin e ka përgatitur kompania është i pa pranueshëm dhe ka defekte serioze.

“Për neve nuk është i bazuar në parametra shkencorë dhe kemi dhënë vërejtje serioze në draft, të cilat presim të merren parasysh”, pati thënë Tmava.

Sipas tij, nëse nuk merren parasysh këto vërejtje atëherë ky studim i fizibilitetit nuk do të pranohet dhe do të kontestohet me argumente shkencore.

Në draftin që tashmë është përgatitur nuk parashihet ndonjë vizion zhvillimor i gjigantit metalurgjik Trepça. Kompania propozon që të bëhet një rritje simbolike e shkallës së finalizimit në pesë vitet e ardhshme, pastaj të bëhet vlerësimi se si të vazhdohet në të ardhmen.

Sipas menaxhmentit të Trepçës kjo nuk nënkupton vizion zhvillimor të ndërmarrjes siç ka paraparë Qeveria e Kosovës. Rezultatet e studimit të tanishëm kanë nxjerrë se Trepça duhet të mbetet pak a shumë në të njëjtën situatë, duke shitur vetëm koncentratin e nxjerrë nga miniera, ashtu siç edhe bën edhe tani. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/qeveria-haradianaj-nuk-e-njeh-studimin-qe-kushtoi-600-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala