Qeveria e çon Qendrën Protokollare në Blinajë

Autori:Gazeta Fjala

QAP

Atë që nuk e bëri 12 vjet më parë Nexhat Daci, sa ishte në krye të Kuvendit të Kosovës, po mundohet ta bëjë tash Kadri Veseli.

E nisur para më shumë se një dekade Qendra Protokollare në Gërmi,  që do të shërbente për deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, nuk është përfunduar kurrë.

Ky objekt tash e shumë vite, është kthyer në qendër droge e seksi. I tillë ky objekt  duket se do të mbes edhe për shumë kohë, shkruan Gazeta Fjala

Tash një Qendër Protokollare po parashihet të ndërtohet në një vend tjetër.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e kësaj qendre në Lipjan.

Më saktësisht në rezervatin e gjuetisë “Blinaja”.

“Në projektet kapitale për nivelin qendror parashihet projekti Blinaja, në vlerë prej 1 milion euro”. Kështu thuhet në projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, një kopje të së cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.

Se kjo qendër do të zhvendoset në Blinajë, e ka bërë të ditur për Gazetën Fjala, zëdhënësi i Ministrisë së Administratës Publike, Zeqir Bekolli.

Bekolli ka thënë se për ndërtimin e këtij objekti është ndarë sipërfaqe prej 5 mijë ha, në Komunën e Lypjanit.

“Lokacioni në të cilin parashihet të vendoset objekti i Qendrës Protokollare , është pjesë nga tërësia territoriale  e komunës së Lypjanit në sipërfaqe prej 5000 ha, në distancë rreth 25 km prej kryeqytetit – Prishtinës, ose rreth 7 km prej aeroportit ndërkombëtar «Adem Jashari».”, ka thënë Bekolli.

Vila rezidenciale e qendra logjistike

Përpos qendrës protokollare, Qeveria ka paraparë ndërtimin edhe të dy vilave të tipit rezidencial.

“Rezervati «Blinaja» , në të cilin parashihet të ndërtohet Qendra Protokollare , ekskluzivisht për nevojat e Qeverisë së Republikës së Kosovës është në kuadër të kompleksit ndërtimor , ku janë paraparë të ndërtohen  aktualisht edhe dy vila të tipit rezidencial, të përcjella me elementet të domosdoshme për shfrytëzuesit e mundshëm sikurse janë : strehimoret përcjellëse , Qendra Energjetike dhe Logjistike e elemente të ngjashme”, ka thënë Bekolli për Gazetën Fjala.

E ndërtimi i kësaj qendre dhe vilave rezidenciale buxhetit të shtetit do ti kushtojë 1 milion euro. Aq janë paraparë sipas projektligjit për buxhetin e vitit 2018, shkruan Gazeta Fjala.

Qendra 2 milionëshe me shiringa droge

Qendra protokollare e paraparë të ndërtohej para dhjetë vitesh në Gërmi, për deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, nga ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tani shfrytëzohet si hapësirë për seks e konsumim të drogës, raporton Gazeta Fjala.

Hapësirat e dedikuara për dhoma gjumi për deputetët e aktivitete rekreative janë përplot shiringa e pajisje të përdorura nga narkomanët. Hapësira e braktisur ku janë investuar afro 2 milion euro nga taksat e qytetarëve, është kthyer në një zonë tepër të rrezikshme.

E për rastet që ndodhin në atë lokacion, janë në dijeni edhe Policia e Kosovës. Policia për media kishte deklaruar se janë duke u marrë me këto raste.

“Njësitet përkatëse  mbulojnë zonën e lartcekur dhe gjithsesi konform autorizimeve policore ndërmarrin  masat e nevojshme. Jemi ne dijeni për lokacionin ne fjale,  për mjetet qe gjenden aty si dhe ne disa lokacione te tjera te qytetit te Prishtinës. Jemi duke punuar ngushtë me institucionet përkatëse për luftimin e kësaj dukurie”, kishin deklaruar nga Policia.

Projekti ideor i qendrës ishte pranuar me 3 qershor të vitit  2004 ,kurse fillimi i punimeve të këtij  projektit ka filluar me 18 mars të vitit 2005.

Meqenëse ekziston vendimi i Kryesisë për vazhdimin e punimeve nga viti në vit, në projekt buxhet ndahet edhe linja buxhetore për ndërtimin e kësaj qendre të cilat shpenzohen në linja të tjera. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/qeveria-e-con-qendren-protokollare-ne-blinaje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala