Pushtetarët që djegën milionat

Autori:Arjeta Shabani

vetura-zyrtare-para-qeverise-driton-bublaku-6-

Vitin e kaluar, e sidomos sivjet, na ka rënë shumë shpesh të shohim zyrtar qeveritar duke kryer punë private me vetura zyrtare. Ato shihen në bregdet, fushata zgjedhore por në raste edhe për punë krejtësisht personale.

Kjo dukuri në Kosovë tashme është shndërruar në diçka normale.

Megjithatë në fund gjithçka po i faturohet buxhetit të varfët të shtetit. Vetëm për vitin 2016 Qeveria e Kosovës ka shpenzuar miliona euro në derivate.

Fjala është për hiq më pak se 6.9 milionë euro, shpenzime në derivate, shkruan Gazeta Fjala.

“Sipas raportit vjetor financiar 2016 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2016 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 6.9 milionë euro për karburant për vetura apo 3.8% të shpenzimeve për mallra dhe shërbime”, thuhet në raportin “Si i shpenzon shteti paret tona?”, që ka publikuar Instituti GAP, shkruan Gazeta Fjala.

Sidoqoftë, në krahasim me vitin 2015 dhe 2014 gjatë këtij viti shpenzimet për karburant për vetura kanë qenë me trend rënës.

Ministrat që shpenzuan më së shumti

Mahir Yagcilar, në kohën sa ishte Ministër i Administratës Publike në qeverinë Mustafa del të ketë shpenzuar goxha shumë. Vetëm karburantet e veturës së Yagcilarit, i kanë kushtuar buxhetit në vitin 2016, më shumë se 7 mijë euro.

Më ekonomik se kolegu i tij, nuk është treguar as Ministri i atëhershëm i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ljubomir Maric. 7 mijë e 432 euro është shuma e parave që janë shpenzuar për derivatet e veturës së Maricit, shkruan Gazeta Fjala.

Por, shpenzimet e mëdha nuk mbeten vetëm në nivel ministrash.

Menjëherë pas tyre me shpenzime në derivate, renditet zëvendësi i ish-Ministres Hykmete Bajrami, Avni Kastrati, i cili ka shpenzuar 5 mijë e 472 euro për veturën e tij.

Por, këta nuk janë as të parët e as të fundit që kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për vetura.

13 ministritë harxhuan mbi 185 mijë euro në derivate

Sipas të dhënave të GAP-it, kabinetet e 13 ministrive kanë shpenzuar 185 mijë e 865 euro për karburante për vetura, pa llogaritur këtu shpenzimet e Zyrës e Kryeministrit dhe pesë ministrive të tjera që nuk kanë pranuar të bëjnë publike shpenzimet që kanë bërë.

Lider në këto shpenzime del të jetë Kabineti i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim e udhëhequr nga Delibor Jevtiq, të cilët kanë shpenzuar 28 mijë e 45 euro. Pas MKK-së, me shpenzime më të mëdha renditet Ministria e Infrastrukturës në krye me Lutfi Zharkun. Kabineti i kësaj ministrie për derivate kanë shpenzuar 26 mijë e 594 euro.

Shpenzime të mëdha del të ketë bërë edhe Ministria e Blerand Stavilecit. 16 mijë e 128 euro ka shpenzuar Kabineti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Kursimtari” Valon Murati

Për dallim prej këtyre ministrive që kanë shpenzuar shuma të mëdha parash, më kursimtare në shpenzime të tilla kanë qenë: Ministria e Diasporës, Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Gjatë vitit 2016 për karburante, Kabineti i Ministrit Valon Murati ka shpenzuar 6 mijë e 553 euro, pasuar nga Kabineti i Ministres Mimoza Ahmetaj me 7 mijë e 893 euro dhe Kabineti i Ministrit Blerand Stavileci me 9 mijë e 459 euro.

E periudhat kur kanë shpenzuar më së shumti që të 13 ministritë në kohën e qeverisjes Mustafa, janë muajt maj, qershor dhe tetor.

“Gjatë muajit qershor janë shpenzuar 14 mijë e 259 euro për derivate, në maj janë shpenzuar 14 mijë e 81 euro dhe në tetor shuma e shpenzimeve për karburante ka qenë 13 mijë e 576 euro”, thuhet në grafikën e Institutit GAP.

Zëvendësat, që ua kaluan shefave

Por, në Qeverinë Mustafa ka pasur edhe zyrtarë që ua kanë kaluar shefave të tyre me shpenzime, e edhe ministrave të tjerë.

Avni Kastrati e Vezir Januzi janë ata që i kanë tejkaluar shefat e tyre. Zëvendësi i Hykmete Bajramit ka shpenzuar 5 mijë e 472 euro, ndërsa zëvendësi i Memli Krasniqit për derivate nga buxheti ka shpenzuar 3 mijë e 94 euro.

Me shpenzime zëvendësat ua kanë kaluar edhe Ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Punëve të Brendshme.

Kadir Hyseini ka harxhuar 3 mijë e 906 euro për derivate, duke e lënë kështu pas ministrin i tij, Imet Rrahmanin me 2 mijë e 948 euro. Njëjtë sikurse Hyseini ka shpenzuar edhe Valdet Hoxha. 3 mijë e 519 euro janë harxhimet për derivate të Hoxhës, ndërsa 3 mijë e 270 euro të shefit të tij, Skënder Hysenit.

Udhëzimi administrativ për përdorim të automjeteve

Se sa orë mund të shfrytëzohen automjetet zyrtare nga punonjësit e institucioneve publike, përdorimi i tyre dhe shpenzimet për karburante, më janar të 2008, Qeveria e Kosovës pati vënë edhe disa rregulla. Madje pati miratuar edhe Udhëzimin  Administrativ nr.03/2008 për Përdorimin e Automjeteve të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij udhëzimi, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i përgjithshëm i ZKM dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare 24 orë.

Të gjithë zyrtarëve tjerë u ndalohet përdorimi i automjetet jashtë orarit të punës përveç në raste specifike të cilat kërkojnë vendimin e ministrit-es të ministrisë përkatëse.

Në këtë udhëzim po ashtu thuhet se “Automjetet e Qeverisë së Kosovës duhet të shërbejnë për kryerjen e detyrave zyrtare dhe përdoruesit e tyre duhet ti shfrytëzojnë ato në mënyrë sa më ekonomike dhe efikase.”/Gazeta Fjala/.

Shuma e parave të shpenzuara për derivatet e kabineteve të 13 ministrive në vitin 2016:

Ministria për Komunitete dhe Kthim  – 28,045 euro

Ministria e Infrastrukturës  – 26,594  euro

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural  – 16,128 euro

Ministria e Administratës Publike  – 15,461 euro

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës  – 14,390 euro

Ministria e Shëndetësisë – 12,681 euro

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – 12,489 euro

Ministria e Punëve të Brendshme – 12,368 euro

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – 12,089 euro

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  – 11,712 euro

Ministria e Zhvillimit Ekonomik – 9,459  euro

Ministria e Integrimeve Evropiane – 7,893  euro

Ministria e Diasporës – 6,553  euro

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/pushtetaret-qe-djegen-milionat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala