Punësimi i dyshimtë i mjekëve specialist

Autori:Gazeta Fjala

mjek-euml-t-po-ikin-nga-kosova_hd

Afro 200 mjek specialistë  thuhet se kanë nënshkruar e po nënshkruajnë kontrata për të filluar punën në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, pa bërë shumë zhurmë e pa pyetur për ligjin e punës.

Konkursi, të cilin Inspektorati i Punës i kishte kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërpritej për shkak të shkeljeve në procesin e rekrutimit, del se ka vazhduar në heshtje nga SHSUK me një marrëveshje të fshehtë.

Gazeta Fjala, ka marrë vesh se e tërë procedura është përcjellë me një varg parregullsish që kanë befasuar edhe vetë kandidatët në garë.

Ndërkaq, as në Ministrinë e Shëndetësisë e as në SHSKUK nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës lidhur me dyshimet për shkelje të procedurave të rekrutimit.

Ndryshimi i kritereve pa paralajmërim, mos respektimi i vendimit të inspektoratit të punës për anulim e nënshkrimi i kontratave me persona të caktuar para përfundimit të afatit të ankesave, janë vetëm disa nga shkeljet që dyshohet të jenë bërë në këtë konkurs nga SHSUK.

Specialistët i drejtohen Inspektoratit të Punës

Për këtë arsye 13 mjek specialistë të pakënaqur me procesin, i janë drejtuar përsëri Inspektoratit të Punës për të marrë masa ndaj shkelësve të ligjit.

Arta Zhubi-Dida,Afërdita Canolli-Osmani, Nora Jaka-Pasha, Florie Osmani, Lindita Lika, Sandra Xhaferi, Eglentina Lupçi,Arben Arifi, Shpresa Kameri, Metihe Binaku, Albana Mustafa-Haxhiu,  Arbrore Fetaj kishin aplikuar në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për pozitat Mjek Specialist, të datës 21.03.2017, por sipas shkresës që posedon Gazeta Fjala, nuk ishin pranuar edhe pse i kishin plotësuar kushtet.

Këtë e kishte konstatuar inspektorati duke marrë vendim në favor të tyre.

“Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës ka konstatuar parregullsi të shumta në Konkursin e shpallur publik nr.ref.MSH-006/03/017, të dt.21.03.2017, duke vlerësuar se ai është në kundërshtim me Ligjin e Punës, neni 8, lidhur me nenin 3, paragrafi 1 të Udhëzimit Administrativ nr.14/2011 dhe nr.05/2014 për rregullimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës në sektorin publik, sepse nuk është kompetent”, thuhet në shkresë.

Por, përkundër asaj se çfarë ka konstatuar Inspektorati i Punës, përmes një njoftimi jo-publik, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka bërë me dije se, pas “marrëveshjes” mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së, dhe pas vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës, procedurat e rekrutimit, nga data 06.07.2017, kanë kaluar tek Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovë.

“Në njoftim thuhet se nuk ka aplikime të reja, por vetëm vazhdim të procedurës së rekrutimit. Pra, me këtë njoftim, shihet qartë se MSH-ja nuk e ka anuluar konkursin në fjalë, por ka vazhduar me procedurat e mëtejme të rekrutimit”, thuhet në dokumentin që posedon Gazeta Fjala.

Një marrëveshje të tillë, asnjëherë nuk është publikuar dhe thuhet se është e kundërligjshme pasi që nuk ka asnjë bazë ligjore pasi vendimi I inspektoratit ka qene i qartë, “është kërkuar që të anulohet konkursi e jo të vazhdohet konkursi nga SHSKUK”.

Shkeljet tjera gjatë rekrutimit

Përveç kësaj edhe gjatë zhvillimit të procedurave të konkursit, thuhet se SHSKUK ka bërë shkelje të shumta.

“Fillimisht konkursi ka shume paqartësi dhe nuk kishte paraparë mbajtjen e testin me shkrim por vetëm me gojë për kandidatët. Befas, kandidatët ishin njoftuar në më pak se 48 orë para mbajtjes së provimit me anë të telefonave apo në disa raste me anë të e-mail se do t’i nënshtrohen provimit me shkrim”.

Kjo vlerësohet se përbën shkelje te nenit 5 par 3 i UA 14/2011 i cili parasheh qe Kandidatet e përzgjedhur ne listën për intervistim, duhet te njoftohen me shkrim, se paku 48 ore para mbajtjes se testimeve.

Grupi i mjekëve specialist ankohet se në testin me shkrim shumica e pyetjeve kanë qenë me pyetje rreth legjislacionit, matematikës dhe sistemeve informatike dhe shumë pak pyetje kanë qenë profesionale.

Sipas tyre pjesën më të madhe të pikëve ka qene dashur ta kenë pyetjet që lidhen me vendin e punës, çka në nuk ka ndodhur ne testin me shkrim. Pos kësaj, pikët nga testi nuk janë publikuar fare, gjë e cila e bën këtë konkurs jo transparent.

Një shkelje tjetër vlerësohet edhe mosrespektimi i afatit 15 ditor për mbajtjen e testit me shkrim të paraparë me nenin 6 par 2 i cili parasheh që kandidatet të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret e konkursit duhet te ftohen ne testim me shkrim brenda 15 ditëve pas mbylljes se konkursit.

Ndërkaq, në këtë rast konkursi ishte shpallur në mars, ndërsa ne korrik kishin filluar testimet.

“Pos tjerash, sipas informatave që kanë marr disa kandidat, nuk është respektuar as numri i të punësuarve që ishte paraparë me konkurs por në disa raste janë pranuar më tepër”.

Pos kësaj, grupi I mjekëve specialist ankohet se SHSKUK para se te shqyrton ankesat e kandidateve ka nënshkruar kontratat me kandidatet e përzgjedhur.

“Nga kjo kuptohet se konkursi dhe e gjithë procedura e rekrutimit ka qene një farse pasi qe edhe procedura ankimore nuk do te ketë asnjë efekt”.

Ata në ankesën e tyre kërkon nga inspektorati i punës të anuloi procedurat e rekrutimit e zhvilluar nga SHSKUK sipas konkursi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë nr.ref. MSH-006/03/17 dt. 21.03.2017. /Gazeta Fjala/ 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/punesimi-i-dyshimte-i-mjekeve-specialist/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala