Punësimet politike në Ministrinë e Mjedisit (Dokument)

Autori:Agon Sinanaj

qeveria-629x336

 

Me një konkurs dhe për vetëm një pozitë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i punësoi 26 persona, në korrik të këtij viti.

Sipas konkursit, të punësuarit e rinj do të asistonin në zyrën për mbështetje të projekteve, për shkak se projekte të caktuara për tu përfunduar kërkonin staf shtesë.

Megjithatë, në këtë zyrë, Gazeta Fjala merr vesh përmes burimeve të saj se ka pasur zyrtarë mjaftueshëm që i kanë kryer punët në të kaluarën, por edhe në kohën kur është shpallë ky konkurs.

I njëjti burim i ka thënë gazetës së punësimet e reja prej 26 punëtoreve janë bërë për të rehatuar militant partiak, dy muaj para zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 22 tetor.

“Në zyrën për projekte ka pasur zyrtarë të mjaftueshëm. Këto janë krejtësisht punësime politike dhe janë bërë për një kohë të caktuar”, ka thënë ky burim, i cili ka treguar se të punësuarit janë marr në punë për një afat prej 5 muajsh.

Specifikat e konkursit

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij konkursi i cili ndër të tjera thotë se kërkohen zyrtarë për mbështetje të projekteve, por nuk ceket numri i atyre që do të merren në punë.

Ndërkohë pas daljes se rezultateve, prej 386 kandidatëve që konkurruan, u punësuan 26 prej tyre.

Për kandidatët që fituan punën Ministria e Mjedisit në tabelën e shpalljeve të rezultateve thotë se janë përzgjedhur në bazë të pikëve të fituara në testim.

Por Gazeta Fjala ka hulumtuar profilet e gati të gjithë kandidatëve në faqen e tyre në facebook dhe del së shumë prej tyre vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, në kohën kur ka ndodhur ky konkurs, ministër në MMPH ka qenë Ferat Shala, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

MMPH: Konkursi ishte në bazë të nevojave

Nga ana tjetër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor arsyetohen se ky konkurs ka qenë si rezultat i nevojave të ministrisë për realizimin e projekteve të ndryshme.

Ky numër i të punësuarve ka qenë për një periudhë 5 mujore.

“Bazuar në nevojat dhe kërkesat e Departamenteve për realizimin e Projekteve të parapara ne planin Vjetor të punës është kërkuar ky numër për angazhim, Marrëveshje për Shërbime te veçanta për periudhe 5 mujore. Me këtë rast është hapur edhe konkurs publik ashtu siç e parasheh Ligji për Shërbyesit civil të Kosovës si dhe Ligji për Marrëdhënie dhe detyrimeve”, ka thënë Bajram Kadriu, zyrtar për informim në MMPH.

Ndërkaq, se për çfarë projektesh është fjala, Kadriu ka përmendur vetëm dy projekte.

“Kryesisht kanë qenë në disa departamente specifike, si në shpellën e Gadimes për të përballuar fluksin e vizitoreve si dhe Parqet Nacionale për ti menaxhuar nevojat gjatë kësaj periudhe të vitit”, ka thënë ai. /Gazeta Fjala/

fotooooo 1

 

fotooo 2222

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/punesimet-politike-ne-ministrine-e-mjedisit-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala