Profesionet që s’po u hyjnë në punë kosovarëve

Autori:Arjeta Shabani

teknik

Për pak ditë pritet që në Kosovë të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”. Por, duket se shumë vështirë do të gjenden punëtorë të kualifikuar për tu angazhuar në këtë projekt.

Kjo ka filluar ta shqetësojë edhe Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqin.

Nxënësit që përfundojnë këto shkolla, aktualisht nuk janë të aftë të marrin përsipër punët për të cilat kanë marrë dije.

Për këtë, kreu i arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Fjala ka thënë se prioritet i tyre këtë vit do të jenë reformat në arsim profesional.

Madje viti 2018 është shpallur vit nacional për zhvillimin e shkollave profesionale.

Por, ndonëse i kanë dhënë prioritet kësaj fushe, ata ende nuk e kanë gjetur një model se si do t’i zhvillojnë këto shkolla. Thotë se janë në kërkim të një modeli sa më të mirë.

“Ne vërtetë i kemi dhënë prioritet arsimit professional. Në kuadër të programit tonë qevërisës, e kemi theksuar se do të jetë prioritet i prioriteteve arsimi professional. 2018 e kemi shpall vit nacional , pra do ta kemi një plan nacional për zhvillimin e shkollave profesionale . Ajo çfarë aktualisht ne jemi duke e bërë është gjetja e modelit sa më të mirë të mundshëm”, ka thënë Bytyqi në një intervistë për Gazetën Fjala.

E për të orientuar nxënësit për shkollat profesionle, MASHT-i do të bëjë një vlerësim nga klasa e gjashtë  në të nëntën. Bytyqi shton se pas përfundimit të shkollës profesionale të rinjtë do të jenë të gatshëm për tregun e punës.

Deklaron se ka mungesë të kuadrove, sidomos në profesionet teknike.

“Kur po flasim për ktaegorinë të cilën ne me politika dojmë ta orientojmë te shkollat profesionale , e kemi obligim që këto shkolla të jenë vërtetë profesionale  dhe ti zhvillojmë në nivelin që të rinjët tanë kur të përfundojnë shkollën profesionale të jenë të gatshëm për tregun e punës, për të cilin sot ka vërtetë shumë kërkesa dhe nuk kemi kuadro sa ka sot tregu, e në veqanti në profesionet teknike”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi pranon se ka të rinjë të cilë i kanë përfunduar studimet në Doktorraturë e Master, por që nuk gjejnë punë dhe detyrohen të punojnë si kamarier. Ndërsa thotë se edhe bizneset ankohen se nuk ka kuadro të përgaditura për punë.

“Këta studentë që marrin diplomë qoftë edhe në nivelet më të larta të edukimit, edhe master  edhe doktorraturë, shpesh herë i gjejmë  duke punuar si kamarier ose punojnë punë që nuk iu përkasin profesioneve të tyre , e në të njëjtën kohë edhe bizneset ankohen që nuk ka kuadro të përgaditura për punë për profesionet që kërkohen.”, ka deklaruar Kreu i Arsimit në një intervistë për Gazetën  Fjala.

Demjaha: Nevojitet përkrahje nga Qeveria për tu fuqizuar këto shkolla

Luljeta Demjaha nga Qendra Kosovare për Arsim ka thënë për Gazetën Fjala se situata në shkollat profesionale nuk është aspak e lakmueshme, ani pse janë derdhur gogja fonde për këtë qëllim.

Vlerëson se fondet e ndara për arsimin profesional nuk janë orientuar në bazë të nevojave dhe kërkesave për tregun e punës.

“Nëse analizohet numri i projekteve dhe fondeve të derdhura në fushën e arsimit profesional, fitohet përshtypja se nuk janë lënë anash këto shkolla. Por, meqenëse situata në shkolla nuk është aspak e lakmueshme, mund të konkludojmë se intervenimet nuk kanë pasur efektin e duhur. Apo për tu shprehur më saktë, fondet nuk janë orientuar në bazë të nevojave reale të shkollave dhe kërkesave të tregut të punës”, ka thënë Demjaha për Gazetën Fjala.

Demjaha thotë se nuk mjaftojnë vetëm fondet e donatorëve për tu fuqizuar shkollat profesionale. Deklaron se nevojitet edhe përkrahje nga ana e Qeverisë, e  udhëzime nga specialist të fushës.

“Nuk mjaftojnë vetëm fondet e donatorëve që të shtyhet prioriteti i ministrisë së arsimit, por ato duhet të fuqizohen edhe me fonde të qeverisë tonë, duke u zotu për prioritetet e veta. Dhe më e rëndësishmja, planifikimi i kahjeve të arsimit profesional duhet të bëhet nga specialist të fushës, të cilët udhëzojnë drejt fondet që ofrohen në dispozicion”, thuhet në përgjigjet e Demjahës drejtuar Gazetës Fjala.

Regjistrimi i nxënësve ë bazë të kërkesës së tregut të punës, kushtet fizike në infrastrukturën shkollore për mësimin teorik dhe praktik, e bashkëpunimi me ndërmarrjet për punë më efikase në praktikën profesionale të nxënësve.

Sipas Demjahës janë veprimet që duhet nërmarrë për tu rritur që këto shkolla të përmirësojnë cilësinë dhe të përgatisin për tregun e punës kuadro. Por, jo vetëm.

“Të zhvillohen programe për zhvillimin profesional të mësimdhënësve në mënyrë që të mirëmbajnë njohuritë e tyre me ndryshumet e shpejta teknologjike; të punohet më shumë në fushën e këshillimit dhe orientimit për karrierë, qysh në shkollën e mesme të ultë, në klasët 7-9, në mënyrë që të ndihmohen nxënësit për të zgjedhur profesionet që premtojnë punësim”, janë veprimet e tjera që duhen të ndërmerren.

Demjaha vlerëson se është e paarsyeshme vonese e hartimit të dokumentit “Kurrikula Bërthamë për shkollat profesionale’, e cila do të jepte udhëzimet e qarta për secilin aspekt të arsimit profesional.

Thotë se kjo kurrikulë do të jepte udhëzime se  cilat profilet duhet të ofrohen, qasjen  e mësimdhënies, përgatitjen e mësimdhënësve, infrastrukturën shkollore, pajisjet për mësimin praktik, resurset mësimore e bashkëpunimin me ndërmarrjet për praktikë profesionale të nxënësve.

“Të gjitha këto janë përgjegjësi e institucioneve përgjegjëse për arsim profesional në nivel qendror, por edhe Drejtorive komunale për arsim në nivel lokal”, ka thënë Demjaha për Gazetën Fjala.

Profesionet teknike më të kërkuarat

Profilet të cilat janë të lidhura me teknologjinë informative, programim kompjuterik e robotikën, janë aktualisht kuadrot më të kërkuara sikur në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Madje, siç vlerëson Demjaha, nëse këto kuadro përgaditeten mirë, atëherë janë atraktive edhe për tregun e jashtëm.

Ndonëse shkollat publike në Kosovë i ofrojnë në listën e regjistrimit disa prej këtyre profileve,  ajo thotë se realisht nuk janë të përgatitura me pajisje të nevojshme për ta konkretizuar mësimin. Përveq kësaj edhe nuk kanë mësimdhënës të përgatitur mirë në këtë drejtim.

Por, nëse ofrohen me programe praktike dhe të modernizuara, mund të jenë profile shumë atraktive për tregun e punës.

Megjithatë, ajo thotë se për të gjetur punë nuk mjaftojnë vetëm shkathtësit praktike të profesionit.

“Me modernizim të programeve mendoj përveç shkathtësive praktike të profesionit, për të gjetur punë në treg, është e nevojshme të zhvillohen edhe shkathtësitë komunikuese (në gjuhën amtare dhe në gjuhët e huaja, puna me kompjuter, etj.), shkathtësitë për zgjidhje të problemeve, kreative.”, ka thënë Demjaha./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/profesionet-qe-spo-u-hyjne-ne-pune-kosovareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala