Premtimet e mëdha të komunës së vogël

Autori:Arjeta Shabani

komunat

Ndonëse udhëheqë me një komunë të vogël, premtimet që ka bërë janë goxha të mëdha. Kreu i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ua kalon në këtë drejtim të gjithë kolegëve të tij.

Haliti gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që u mbajtën së fundi ka bërë gjithsejtë 98 premtime.

Më shumë se edhe kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ai i Gjakovës, Ardian Gjini, të cilët menagjojnë buxhete shumëherë më të mëdha.

Ahmeti është zotuar ti realizoj 81 projekte, ndërsa i dyti 78 të tilla.

Kryetarët e 26 komunave bashkë, kanë premtuar se do të realizojnë 888 projekte për katër vite mandat, shkruan Infokusi.com.

Krejt kjo sipas raportit “Premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale”, që ka publikuar Instituti GAP.

Të dhënat e nxjerra nga ky institut tregojnë se kryetarët e komunave më së shumti janë fokusuar në infrastrukturë, arsim dhe shërbime publike.

383 premtime janë në infrastrukturë, 126 në arsim e 120 në shërbime publike, shkruan Infokusi.

Në numrin kaq të madh të premtimeve në komuna, si Vitia, Prishtina e Gjakova, hulumtuesi në Institutin GAP, Bekim Salihu thotë se ka ndikuar gara e ashpër mes subjekteve politike.

“Gara e ashpër në mes kandidatëve të subjekteve, ka bërë që të bëhen më shumë premtime për të tërhequr më shumë elektorat”, ka thënë Salihu gjatë prezantimit të raportit.

Ai ka thënë se do ti monitorojnë secilin për të parë nëse premtimet do të realizohen apo mbesin në letër sikur në mandatin e kaluar.

548 premtime, as gjysma nuk u realizuan

Në zgjedhjet e kaluara, partitë politike, kishin bërë gjithsejtë 548 premtime. Por, nga ana tjetër nuk i kishin realizuar as edhe gjysmën e tyre.

Prej, 548 premtimeve, vetëm 283 prej tyre ishin realizuar. Ndërkaq, ishin 66 projekte që nuk kishin filluar fare të realizohen.

Kështu kishte gjetur vitin e kaluar hulumtimi i Institutit GAP, lidhur me atë se sa i kanë realizuar kryetarët e komunave premtimet e bëra në mandatin e kaluar.

Nga gjithsej 20 premtime që kishte dhënë i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci gjatë fushatës, vetëm një kishte arritur ta realizojë, ndërsa 16 premtimet e tjera as që kishin filluar të realizoheshin, pati shkruar Gazeta Fjala.

E në gjendje më të mirë se Lladrovci për nga realizimi i premtimeve nuk qëndronte as kreu i Junikut, Agron Kuqi.

Kuqi prej 24 premtimeve i kishte realizuar 12 prej tyre, por tetë të tjera as që i kishte filluar.

E në bazë të këtij hulumtimi ndër kryetarët që nuk i kishin përmbushur premtimet ishte edhe Muharrem Svarqa i Ferizajt.

Gjatë fushatës kishte folur kogja fjalë të mëdha, e me bindjen se të gjitha do t’i realizonte gjatë mandatit të kaluar. Mirëpo lërë më që nuk i ka realizuar, por dy projekte ishin harruar fare.

Svarqa nga 17 premtimet që kishte dhënë kishte arritur të realizojë 10 prej tyre, e të mbeturat ai mendonte t’i vazhdojë me bindjen se do të jetë kryetar i Ferizajt edhe mandatin e ardhshëm. Por, vendin ia zuri Agim Aliu i PDK-së.

E kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri nuk kishte arritur të realizojë as gjysmën e  premtimeve që kishte dhënë gjatë fushatës. Prej 17 projekteve që e kishte në plan ti realizonte, shtatë i kishte përfunduar, por edhe në Komunën e Bahtirit dy projekte që nuk kishin filluar fare të funksionalizoheshin.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti nga 30 premtime që kishte dhënë kishte realizuar 20 prej tyre, por me shpresën se do të udhëheqë me kryeqytetin edhe për katër vite ai kishte premtuar se do t’i përfundonte edhe 15 projektet që i kishte lënë në gjysmë.

Ahmeti është zgjedhur sërish në krye të Prishtinës.

Mimoza Kusari-Lila realizoi vetëm tetë nga 32 premtimet e dhëna për Gjakovën

Në Komunën e Podujevës kishin arritur të realizoheshin 9 projekte , prej 15 sa kishte premtuar në mandatin e kaluar, kreu i kësaj komune, Agim Veliu.

Edhe Veliu, pretendonte që të jetë kryetar edhe për katër vite, ku kishte premtuar se do të realizoheshin  gjashtë projektet e mbetura gjysmë në mandatin e kaluar.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, gjatë fushatës kishte dhënë më së shumti premtime, mirëpo nuk i kishte realizuar gogja do.

Gjatë fushatës Kusari-Lila kishte dhënë 32 premtime, prej të cilave vetëm tetë ishin realizuar, e një projekt ende as që kishte filluar të realizohet.

Lutfi Haziri i Gjilanit, kishte dhënë 22 premtime. Nga këto premtime, Haziri pati arritur të realizojë 12 e një premtim kishte mbetur vetëm në letër, pasi që as nuk kishte filluar.

Edhe kryetari i Klinës, Sokol Bashota gjatë fushatës kishte dhënë numër të madh premtimesh. Por, nuk kishte mundur t’i realizojë të gjitha.

Prej 23 premtimeve, Bashota i kishte realizuar 13 e tri as që i kishte filluar.

Numër të njejtë premtimesh sikur Bashota, kishte dhënë edhe Gazmend Muhaxhiri i Pejës, e edhe numri që i kishte arritur t’i realizonte ngjasonte me atë të Bashotës.

Muhaxhiri nga 23 premtimet e bëra, kishte realizuar vetëm 10, e tri nuk i kishte filluar.

E kryetari  më i varfër , Refki Suma kishte dhënë 15 premtime. Suma kishte arritur të realizonte tetë prej tyre dhe nuk kishte asnjë premtim që nuk kishte filluar.

Shtatë projektet e lëna në gjysmë ai planfikonte t’i realizojë në mandatin e ardhshëm. ./INFOKUSI/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/premtimet-e-medha-te-komunes-se-vogel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala