Prapaskenat në tenderin 1.5 milionë eurosh të MMPH-së

Autori:Agon Sinanaj

Prapaskenat

Zyrtarë të kompanisë “Alb Architect”, të cilës ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, ia anuloi tenderin 1.5 milionë eurosh, e kishin fituar këtë kontratë në vitin 2014 në një proces të dyshimtë.

Zyrtari i kësaj kompanie Blerim Çeku, që në vitin 2014 kishte 80 për qind aksione në “Alb Architect”, në kohën kur u nënshkrua kontrata me Ministrinë e Mjedisit, punonte si zyrtarë në këtë ministri.

Media patën shkruar në vitin 2014 për ndikimin që kishte Ceku në MMPH.  Por marrëveshja që u arrit në kohën e ministrit Dardan Gashi, ndonëse shumë e dyshimtë, e mbijetoi edhe ministrin Ferat Shala.

Vetëm me ardhjen e ministres Albena Reshitaj u hapën letrat.  Në një bisedë për Gazetën Fjala ministrja Albena Reshitaj megjithëkëtë ka thënë se anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit nuk është bërë për shkak të keqpërdorimeve të mundshme.

Ajo thotë ta ketë marr ketë hap pasi ka vlerësuar se këtë punë kanë mundur ta kryejnë vetë stafi i ministrisë.

“Kam konsideruar që të njëjtën punë mund ta kryejnë stafi i ministrisë dhe paratë tash do ti kthehen buxhetit”, ka thënë Reshitaj, e cila me ta marr postin e ministres u përballë me probleme të shumta në këtë ministri.

Ndërkohë në vitin 2014 kur u nënshkrua kontrata dyshimet i kishte shtuar edhe fakti se tenderi kësaj kompanie i ishte dhënë me procedurë të kufizuar të prokurimit.

Tenderi kishte të bënte me ofrimin e shërbime inxhinierike dhe mbikëqyrje të projekteve për Ministrinë e Mjedisit dhe parashihej që të realizohej për disa vite me një kosto në total prej 1.5 milionë eurosh.

Gazeta Fjala ka kontaktuar zyrtarë të kompanisë “Albi Architect” për ti pyetur rreth versionit të tyre lidhur me anulimin e tenderit, por nuk kanë qenë të gatshëm të japin shpjegime konkrete.

“Drejtori është jashtë vendit”, ka thënë shkurtë një punonjës në kompani.

Deklarimi i Çekut për media në vitin 2014

Në vitin 2014, Blerim Çeku, aso kohe zyrtarë i kësaj ministrie, mbante në të njëjtën kohë 80 për qind të aksioneve në kompaninë “Albi Architect”. Por mundësinë e konfliktit të interesit këtë Çeku e kishte arsyetuar me atë se në momentin kur ka filluar të punojë në MMPH, kishte hequr dorë nga të gjitha funksionet ekzekutive në kompani, porse e kishte konfirmuar se megjithatë aty kishte mbetur si aksionar me 80 për qind të aksioneve.

“Përfaqësuesit e kompanisë sime konkurrojnë në iks tender. Në shumicën e rasteve as që e di ku garojnë. Tash me këtë logjikë, kompania ku unë jam bashkëpronar meqë e paska fituar një tender në MAP, pse unë jam zyrtar në MMPH, nuk po u dashka të garojë në asnjë tender në Kosovë?”, kishte thënë Ceku i cili dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij për të fituar tenderin kompania që ka shumicën e aksioneve në pronësi.

Ndër të tjera Ceku për media kishte thënë se nuk ka pasur ndikim që kompania ku ai punon të shpërblehet me tender prej 1.5 milionësh nga Ministria e Mjedisit.

“Nuk e di se në çfarë vlere ka marrë tender kjo kompani. Por, e di që ajo kontratë ende nuk ka filluar të realizohet. Unë, as nuk e kam iniciuar atë tender, as nuk jam nënshkrues, por as nuk kam marrë pjesë në vlerësim. Madje, kjo kontratë as nuk do të jetë e mbikëqyrur nga unë”, kishte thënë ai.

Detaje mbi tenderin 1.5 milionë eurosh

Tenderi prej 1.5 milion euro është fituar përmes procedurës së kufizuar të prokurimit.

Më 3 nëntor të vitit 2014 Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës “Ofrimi i shërbimeve inxhinierike për projektim dhe mbikëqyrje të projekteve”, ku në të kanë konkurruar vetëm dy kompani.

Bazuar në njoftimin e KRPP-së shihet se vlera e përgjithshme e kontratës për projektim është 355.20 euro, çmimi është për njësi, ndërkaq për mbikëqyrje është 3,10 % e investimit nga Autoriteti Kontraktues, e ku vlera e përafërt e kontratës është 500,000.00 euro për vit.

Sipas njoftimit të publikuar thuhet se kontrata do të jetë e vlefshme tre vjet, e ku shuma e mjeteve që kjo kompani do të marrë nga MMPH-ja është 1.5 milion euro. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/prapaskenat-ne-tenderin-1-5-milione-eurosh-te-mmph-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala