Prapaskenat me ndërtime të paligjshme në pronat e KEK-ut

Autori:Agon Sinanaj

hade6

Dallaveret me prona për pak sa nuk e lanë vendin pa energji elektrike. Arsyetimi i institucioneve se vendi ka mbetur pa qymyr për shkak se nuk janë shpronësuar disa prona në fshatrat e Obiliqit, duket të ketë qenë vetëm pretekst.

Gazeta Fjala ka siguruar një numër të madh të dokumenteve që dëshmojnë se zvarritja e shpronësimit ka ndodhur me qëllim dhe Ministria e Mjedisit, ajo e Zhvillimit Ekonomik dhe Komuna e Obiliqit kanë lejuar të ndërtohen shtëpi vetëm për ti kompensuar më vonë.

Faktet tregojnë se në asnjë nga këto shtëpi nuk ka kushte për banim.

Madje inspektorët kanë gjetur se në oborret e tyre nuk ka as njerëz gjatë gjithë kohës.

Ndërkaq, zyrtarët e KEK-ut ndër vite i kanë dërguar në institucione të caktuara, për ti njoftuar për ndërtime të paligjshme në zonat me interes të veçantë në Obiliq.

Kështu nën dijeninë e plotë të institucioneve, që nga viti 2004, me dhjetëra prona janë ndërtuar paligjshëm në zonat me qymyr në komunën e Obiliqit.

Nga zyrtarët e KEK-ut vlerësohet se nga 4 milionë euro sa ka qenë vlera e shpronësimeve, tash me ndërtimet e paligjshme, kjo ka shkuar në 17 milionë euro. Të gjitha mjetet për shpronësime duhet t’i paguajë KEK-u.

Ndërtimet e paligjshme dhe mbi zona me qymyr, janë kryer kryesisht në lagjen Krasniqi në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirena në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit.

Shqetësimi i KEK-ut nga viti 2012

Sipas letrave të menaxhmentit të KEK-ut, të cilat i ka siguruar Gazeta Fjala, pronat atje kanë filluar të ndërtohen qysh kur kjo zonë është shpallur me interes të veçante, në vitin 2004. Përfitimet e mundshme nga shpronësimet i kanë shtyrë shumë qytetarë të ndërtojnë shtëpi mbi qymyr.

Në një letër që mban datën 18 dhjetor 2012, Drejtori menaxhues në KEK, Arben Gjukaj, e kishte njoftuar për këto parregullsi ministrin e atëhershëm të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, dhe atë për Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

“Siç jeni në dijeni, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës Nr.4/119 të datës 3 nëntor 2004, i cili është ri fuqizuar edhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës Nr. 02/57 të datës 13 mars 2009, është shpallur Zonë e Interesit të Veçanet Ekonomik Fusha e Mihjes së Re, përkatësisht mihja e Sibovcit Jug Perëndimor, ku në pikën II të këtij vendimi obligohet Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Obiliqit të ndalin të gjitha ndërtimet e reja nga data e këtij vendimi”, thuhet në këtë letër.

Më poshtë, në të njëjtën, përmendet si shqetësues fakti se ndërtimet jo që nuk janë ndalur, por kanë filluar të ndërtohen shtëpi të reja.

“Pavarësisht këtij përcaktimi, ne kemi vërejtur – me shqetësim të madh – ndërtimin e shtëpive të reja në lagjen Krasniqi në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirena në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit – të dyja lokacionet që shtrihen pikërisht brenda zonës se interesit të veçantë ekonomik”, thuhet në letër.

 KEK-u i kishte njoftuar institucionet se po rrezikohet qymyri

Edhe në vitin 2014 kishin vazhduar ndërtimet, nën dijeninë e institucioneve, dhe pa i ndalur askush.

Të njëjtin shqetësim si të para dy viteve, veçse tash edhe më ashpër , e kishte shprehur Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës në një letër dërguar Fadil Ismajlit, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Dardan Gashit.

Aty Bordi i KEK-ut njofton se nëse vazhdohet me ketë avaz të ndërtimeve të kundërligjshme, do të rrezikohet furnizimi me qymyr.

KEK i kishte njoftuar pronaret e paligjshëm se nuk do të kompensohen asnjë cent, për prona të paligjshme. Por ndërtimet nuk ishin ndalur.

“Përpjekjet e KEK nuk kanë dhënë rezultate dhe aktiviteti i tyre ilegal rreth ndërtimeve “me qellim përfitimi” ka vazhduar dhe po vazhdon akoma. Së këndejmi, e potencojmë se KEK-u është thellë i shqetësuar me trendin e ndërtimeve i cili është mjaft shqetësues dhe përkeqëson planet operative për zgjerimin e mihjes së re”, thuhet në letrën e Bordit të KEK-ut.

Në këtë letër, Bordi i KEK-ut i kishte njoftuar institucionet se nëse nuk ndërmerren masa, mund të vij deri të rreziku i mos furnizimit normal me qymyr dhe vendi të mbetet pa rrymë.

“Mos ndërmarrja e veprimeve për pengimin e ndërtimeve ilegale, do të zvarris procedurën e shpronësimit – zhvendosjes nga zona e propozuar për shpronësim, dhe do ta pengojnë hyrjen e KEK në posedim me çka dëmtohet seriozisht zhvillimi i mihjes së re të Sibovcit Jug Perëndimor dhe me këtë edhe kontinuiteti i furnizimit të rregullt dhe stabil i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B për prodhim të energjisë elektrike”, thuhet aty.

Letra e inspektorit: Shtëpitë po ndërtohen vetëm sa për shpronësim

Gazeta Fjala ka siguruar një email të inspektorit të Ministrisë së Ambientit, Shkelzen Morina, ku i njofton ministrin Ferat Shala, ministrin Blerand Stavileci, drejtorin e KEK’ut, Arben Gjukaj e zyrtarë të ministrisë së Financave për ndërtimet që janë bërë aty.

Morina nga ajo që kishte parë në terren dhe përmes fotografive paraqet se ndërtimet, shumica prej tyre, ishin pa dyer e dritare, pa instalim të rrymës, vetëm muret dhe kulmi.

Në këtë e-mail Morina shton se shtëpitë e ndërtuara nuk kanë kushte për banim dhe se në oborret e shtëpive të tyre nuk ka as njerëz.

“Në asnjërin objekt nuk ka kushte për banim dhe nuk ka banim të asnjë civili dhe në ditën e inspektimit kanë qenë vetëm një traktor dhe një grua me dy fëmijë që kishin mbërri para ekipit tonë”, thuhet në e-mailin që inspektori ua kishte dërguar.

a1

 

Reagimi i vonshëm i institucioneve: Shpronësohen pronat e paligjshme

Përkundër shqetësimeve të ngritura nga zyrtarët e KEK-ut, institucionet nuk ndërmorën asnjë veprim. Letra të ngjashme të menaxhmentit të KEK-ut shkuan edhe gjatë vitit 2015, por reagimi i institucioneve erdhi vetëm pasi KEK-u alarmoi këtë vit se vendi rrezikon të mbetet pa rrymë.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave për eksploatim të thëngjillit, në zonën kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq.

Por shumica e pronave në këto zona janë ndërtime të kundërligjshme, të kryera ndër vite nën dijeninë e të gjitha institucioneve.

Kryeministri Mustafa në mbledhje nuk ka përmendur fare shqetësimet e ngritura nga KEK-u, ndër vite. Përkundrazi ai ka kritikuar KEK-un për mos efikasitet në shpronësime.

“Ne duhet të kërkojmë nga KEK-u që me kohë t’i përgatisë të gjitha këto vendime, në mënyrë që as Qeveria as KEK-u të mos vijnë në situatë të tillë të ngutshme, veçmas tani kur jemi në përgatitje të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e re”, që edhe Banka Botërore edhe investitorët kërkojnë që të jemi shumë efikas dhe shumë të saktë në çështjet e shpronësimeve edhe në çështjet e zhvendosjes së popullatës nga ato prona”, ka thënë Mustafa. /Gazeta Fjala/.

21191332_10213686910555908_1538314132_o

21244549_10213686912035945_1188810444_n

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/prapaskenat-me-ndertime-te-paligjshme-ne-pronat-e-kek-ut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala