Pompat e derivateve mbijnë si kërpudhat

Autori:Gazeta Fjala

auto_Nafta-derivatet-Pompa_e_benzines-_12_janar_2012-Reuters1421306288

Edhe 20 “pompa të benzinës” janë hapur që prej vitit të kaluar në Kosovë. Ky biznes vazhdon të mbetet i leverdishëm në shtetin më të varfër ë Evropë edhe pse në tërë territorin e vendit funksionojnë 875 pika të karburanteve.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre punojnë pa asnjë dokument valid. Ndërsa disa të tjerave inspektorët e Ministrisë së Tregtisë nuk guxojnë tu ofrohen fare.

Ndonëse janë në është në dijeni se janë gjithsej 126 pika të karburanteve që veprojnë pa licencë valide, nuk kanë marrë ndonjë masë për ti ndaluar të operojnë.

“Nga 670 pika aktive gjegjësisht në funksion prej tyre kemi: 544 pika karburante që operojnë me licencë valide gjegjësisht të vlefshme dhe 126 pika karburante që operojnë pa licencë valide në territorin e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e MTI-së për Gazetën Fjala.

Prej tyre 37 janë në veri të Kosovës ku nuk arrijnë ti kontrolloj Qeveria e Kosovës,  13 pika që janë në kontest me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe 10 të tjera janë në procedurë të licencimit.

E për pjesën tjetër në MTI nuk e dinë fare se përse nuk janë licencuar.

Madje nuk japin informacione se ku gjenden dhe çfarë masash kanë ndërmarrë inspektorët ndaj pronarëve të tyre.

Me shumë gjasë, ato vazhdojnë të shesin pa u penguar derivate, cilësinë e të cilave nuk e garanton askush.

Në vitin 2015 Ministria e Tregtisë pati nisur një aksion për mbylljen e të gjithë operatorëve, të cilët merren me tregtimin e derivateve të naftës pa i plotësuar kushtet e kërkuara me standardet e tregut.

Që atëherë numri i pikave shitëse të derivateve që janë mbyllur del të jetë gogja i madh.

“Numri i përgjithshëm të pikave shitëse me pakicë të dizellit dhe benzinës është 875, numri i pikave shitëse aktive gjegjësisht në funksion është 670 dhe numri i pikave shitëse jashtë funksionit ( të mbyllura) është 205”, bëjnë të ditur në MTI.

Një numër i rasteve janë dërguar edhe në prokurori, por nuk dihet se çfarë masash ligjore janë marrë ndaj tyre deri më tani.

Kulmi i konkurrencës

Se ka shumë pika shitëse të derivateve, është evidente. Por që të jenë ngjitur njëra me tjetrën, kjo shihet vetëm në Ferizaj.

Në këtë qytet konkurrenca duket se ka arritur kulmin. Siç edhe shihet në një fotografi që ka dërguar një lexues i Gazetës Fjala dy pika të shitjes  të derivateve funksionojnë ngjit me njëra-tjetrën.

Nuk dihet nëse ato janë të pajisura me leje për punë por është e çuditshme se si është lejuar një gjë e tillë nga institucionet e vendit.

po

 

Superanaliza: Nafta në Kosovë është jocilësore

Nafta që hynë në Kosovë është jo cilësore dhe jashtë çdo standardi. Kjo tashme është konfirmuar edhe nga superanaliza e iniciuar nga Dogana e Kosovës dhe e kryer nga laborator vendor e ndërkombëtar.

Në fakt, prej 20 maunave sa i ndali Dogana në pikën kufitare në Vërmicë muajin e kaluar, asnjëra nuk doli në rregull, shkruan Gazeta Fjala.

Pas rezultateve të analizave, shumë prej këtyre maunave Dogana i ka kthyer prapa.

Kjo është sasia më e madhe e naftës e bllokuar ndonjëherë dhe vjen pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që kontrolli i naftës të bëhet edhe në kufi, e jo siç ka qenë deri tash, ku mostrat janë marrë vetëm nëpër pikat e shitjes.

Gazeta Fjala pati shkruar se Dogana ka dërguar disa mostra për superanalizë në laboratorë vendor e të huaj. Por rezultatet dolën shokuese. Gati asnjëra prej maunave nuk kishte naftë cilësore dhe në bazë të standardeve.

Zëdhënësi për media në Doganat e Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se shumë nga maunat që janë bllokuar janë kthyer prapa, për shkak të cilësisë së dobët të naftës.

“Siç ju kemi theksuar edhe më herët Dogana në rastet kur dallimet kanë qenë minimale Dogana ka dërguar mostrat për superanaliza derisa në disa raste edhe superanaliza ka konfirmuar jo-konfirmitetin e këtyre dërgesave të cilat janë kthyer prapa”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Sipas Stavilecit, Dogana ka vendosur një sistem të kontrollit i cili është bazuar në sistemin e riskut dhe që deri tani ka treguar rezultate të mira.

Tash e tutje kontrolli i cilësisë së naftës i ka kaluar Doganës dhe do të kryhet në kufi, e jo siç ka qenë deri më tani nëpër pikat e naftës nëpër Kosovë. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/pompat-e-derivateve-mbijne-si-kerpudhat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala