Politika që shkatërroi një kryeinspektor

Autori:admin

Ministria_e_Tregtise_dhe_Industrise_-_ndertesa

Të njëjtën ditë kur Muharrem Pozhegu po qëndronte në Bruksel si përfaqësues i Qeverisë për të raportuar për MSA-në, në Kosovë, po përgatitej shkarkimi i tij nga pozita e kryeinspektorit të tregut.

Mungesa e përvojës dhe falsifikimi i diplomave universitare, kanë qenë arsyet që ka marr ai në vitin 2014 për ta larguar nga puna.

Por pas pesë vitesh nëpër gjykata, duke e kërkuar të drejtën e tij, është dëshmuar se Pozhegu kishte diploma të vërteta dhe përvojë menaxheriale në inspektorat gati 20 vjeçare, shkruan Gazeta Fjala.

Në një rrëfim për Gazetën Fjala, ish-kryeinspektori i tregut tregon se si rasti i tij është dëshmia më e mirë se çfarë mund t’i ndodhë kujtdo në Kosovë nëse nuk mbështet një subjekt politik.

Deri edhe në shkatërrimin e karrierës profesionale, siç thotë se ndodhi me të.

“Ky shkarkim ka lënë pasoja fatale për mua dhe familjen time. Përveç që me shkarkuan edhe më njollosën”, tregon Pozhegu.

Në vend të tij kryeinspektor u emërua Lulzim Syla, për të cilin Pozhegu thotë të jetë i afërt me pushtetin dhe se i mungon përvoja e duhur për këtë pozitë.

14980567_111566122654934_4886840084246071964_n

Sipas Pozhegut, kryeinspektori aktual është njeri afërt me presidentin aktual, Hashim Thaçin.

“Rasti im është shembulli më i mirë sesi shkarkohen ata të cilët nuk janë politik por janë njerëz të profesionit,  e në këtë rast përzgjidhet kryeinspektor vëllai i kryesindikalistit të shëndetësisë Blerim Syla si dhe ish-truproja i Hashim Thaqit, Lulzim Syla”, thotë ai.

Sipas Pozhegut, zgjedhja e Sylës është bërë në kundërshtim të plotë me konkursin e shpallur.

“Atij ia kanë llogaritur përvojën e punës së shitësit ambulantiv të barërave në një kompani ‘Fantome’ nga Republika e Shqipërisë si përvojë të punës menagjeriale dhe e cila punë nuk ndërlidhet me punët e Inspektoratit, përvojë e  kërkuar në bazë të konkursit të shpallur”, ka shtuar Pozhegu.

Por Lulzim Syla i cili aktualisht mban pozitën e kryeinspektori, ka mohuar akuzat e Pozhegut.

Ai ka thënë shkurt se për të kaluarën e tij “flasin dokumentet”.

“Unë i njoh njerëzit e të gjitha partive por kjo nuk ka ndikuar fare për pozitën që mbaj. Nuk merrem me këso akuza”, ka thënë syla, duke shtuar se zgjedhja e tij është bërë në bazë të ligjit.

Nga ana tjetër, Pozhegu, për Gazetën Fjala, ka ofruar të gjithë dokumentacionin rreth përvojës dhe shkollimit të tij, e për të cilat u shkarkuar nga pozita e kryeinspektorit.

Ai ka të përfunduar shkollimin në Shkollën së Lartë Teknike – Zrenjanin (K.S.A e Vojvodinës) në seksionin teknologjik dhe drejtimin ushqimor ku ka fituar titullin Inxhinier i Teknologjisë Ushqimore.

Në vitin 1993 ka nisur punën në cilësinë e teknologut (Udhëheqës i Prodhimit) në N.SH “ Zhitopromet” Gjakovë dhe së fundi N.SH “MULLIRI”, duke vazhduar me punë deri me2003 kur filloi të punonte në Komunën e Gjakovës në punët dhe detyrat e Inspektorit Sanitar.

Më vonë Pozhegu i përfundoi edhe studimet Post-Diplomike në Vojvodinë ku morri titullin “Inxhinier Profesional i Teknologjisë”.

Procesi i shkarkimit dhe ndikimet politike

Vendimi për shkarkim ishte marrë në prill të vitit 2014 në mbledhje të Qeverisë në bazë të vlerësimit të një komisioni të formuar nga ministri i Ministrisë se Administratës Publike, Mahir Jagxhillar.

“Komisioni ka qenë në përbërje nga tre sekretar permanent. Në vlerësimin e komisionit  potencohet se nuk kam Diploma të Nostrifikuara gjë e cila nuk është kërkuar në konkursin e shpallur nga MAP, konkursi si dhe përvojë e pamjaftueshme menaxheriale, i cili komision jep vlerësimin (dhe propozon) te kryesuesi i Këshillit për Pozita të Nivelit të Lartë Drejtues, Hajredin Kuqi”, vlerëson Pozhegu.

Krejt kjo kishte nisur pas një ankese të një zyrtari të MTI-së, Besim Shyti, për të cilin Pozhegu thotë të jetë i afërt me partinë në pushtet, PDK-në.

“Ditën e konkursit, Besimi, para se të hymë në intervistë më tregojke për komunikimin e tij përmes sms-ve me Bajram Rexhepin rreth zgjedhjes së kryeinspektorit”, tregon Pozhegu.

Menjëhërë pas shkarkimi, po atë vit ishte shpall konkursi i ri, anipse Pozhegu kishte ushtruar padi në gjykatë për rastin e tij. Kjo thotë ai u bë me qëllim që të eliminohej mundësia që ai të aplikonte.

Megjithatë ai aplikoi në konkursin e dytë, ku kryeinspektor u zgjodh Lulzim Syla. Krejt kjo për Pozhegun ka qenë e përgatitur.

“Shpallet Konkursi për përzgjedhjen e Kryeinspektorit me dt. 24.04.2014 para se “Këshilli i pavarur” të më jap një përgjigje në ankesën time ndaj vendimit për shkarkim (i protokoluar me nr. 1401/2014 i dt. 26.05.2014) dhe i pranuar nga ana ime me dt. 29.05.2014”.

Ndërkohë Këshilli i Pavarur i jep të drejtë ankesës se Besim Shytit, pavarësisht përvojës dhe shkollimit të Pozhegut.

“Edhe pse Këshilli i Pavarur e ka poseduar lëndën time me komplet dokumentacionin përkatës (duke përfshirë dhe dëshmitë mbi përvojën e punës) gjatë shqyrtimit të ankesës së ankuesit z. Besim Shyti, Komisioni nuk e vëren të potencuar në aplikacion përvojën e punës mbi 10 vite në Sh.A “Mulliri- Gjakovë në punët dhe detyrat e Udhëheqësit të Prodhimit – Teknologut) dhe nuk e merr për bazë këtë përvojë mbi 10 vite si dhe nuk e vlerëson drejtë as përvojën e punës mbi 10 vite i sistemuar në punët dhe detyrat e Inspektorit Sanitar pranë Komunës së Gjakovës”.

Prokuroria e shtetit konfirmon të drejtën e Pozhegut

Në fund të vitit 2015 Pozhegu inicon kallëzim penal në prokurorinë e shtetit. Po atë vit Prokurorja Sevdije Morina në rastin e tij konfirmon se dokumentet e Pozhegut janë të gjitha në rregull.

Gazeta Fjala posedon edhe vendimin e prokurores në këtë rast.

Ndërkohë në vitin 2015 Pozhegu ishte thirrë nga hetuesia për krime të rënda me arsyetimin për një hetim ndaj tij.

“Morra me vete gjithë dokumentacionin që posedoj në lidhje me shkollimin dhe përvojen e punës. Gjatë takimit e kuptoj (e thënë nga Hetuesi) se dikush në mënyrë anonime ka kërkuar që të hetohem për falsifikim të Diplomave dhe përvojës së punës (dokumentacionit), e potencuar edhe në mendimin zyrtar të Prokurores”

Megjithatë kjo hidhet poshtë pas hetimeve të zhvilluara dhe pas mendimit zyrtar të prokurores Fikrije Fejzullahur.

Ndërsa Pozhegu mbetet i papunë, i njollosur profesionalisht vetëm pse sic thotë ai “nuk ishte pjesë e asnjë partie politike”./Gazeta Fjala/

1dok 2dok

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/politika-qe-shkaterroi-nje-kryeinspektor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala