Për 10 ditë punë në BQK, Peci u pagua 24 mijë euro

Autori:Agon Sinanaj

25530117_1678806578842520_1678303947_n

Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Peci i lë në hije ministrat dhe kryeministrin kur është në pyetje paga. Ndryshe nga të gjithë, Peci punon pak e fiton shumë.

Për vetëm dhjetë ditë punë sa ka realizuar në vitin 2016 ai në cilësinë e Kryetarit të Bordit të BQK-së është paguar nga 2 mijë euro në muaj.

Peci ka deklaruar në Agjencionin Anti-Korrupsion të hyra vjetore prej 23 mijë e 793 euro në formë kompensimesh si kryesues i bordit në BQK.

Gazeta Fjala ka gjetur se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës në vitin 2016 ka mbajtur vetëm dhjetë takime, kryesisht njëherë në muaj.

Por përkundër se mbajnë vetëm dhjetë takime në vit të hyrat e anëtarëve të Bordit të BQK-së del se janë marramendëse.

Veç kreut të Bordit, në vitin 2016 të hyra të majme kanë realizuar edhe dy anëtarët tjerë Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Brajshori.

Ahmeti për dhjetë takime të Bordit sa janë mbajtur ka realizuar të hyra prej 19 mijë e 875 euro, ndërsa Brajshori 17 mijë e 388 euro.

78 mijë euro për tre anëtarët e Bordit

Ndërkaq sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2016 tre anëtarët e Bordit të BQK-së në vitin 2016 kanë pasur shpenzime 78 mijë euro në total.

Por kjo shumë ka mundur të jetë edhe më e madhe. Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se Bordi nuk e ka shpenzuar në tërësi buxhetin që e ka pasur në dispozicion.

“Ju bëjmë me dije se kompensimet për Bordin e BQK-se për vitin 2016, të shpalosura në pasqyra financiare 2016 përfshinë katër anëtarë të Bordin te BQK-se për periudhën ne fjale (tre anëtar aktiv 2016 dhe një ish anëtar), si dhe janë vetëm 66% e buxhetit të planifikuar të tyre”, ka zëdhënësi për media në BQK, Besnik Kada.

Ai ka thënë se kompensimi për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore është i përcaktuar me nenin 39 të Ligjit për BQK-në. Në pajtim me nenin e sipërpërmendur, kompensimi i anëtarëve të  Bordit BQK-së bëhet në baza mujore e jo në bazë të takimeve të Bordit.

“Kompensimi për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore është i përcaktuar me nenin 39 të Ligjit për BQK-në, i cili nen në paragrafin 2 përcakton se “Kompensimi total vjetor për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore dhe ata të Bordit Ekzekutiv duhet të aprovohet si pjesë e buxhetit të Bankës Qendrore, siç përcaktohet me nenin 35 paragraf 1 nën-paragrafi 1.6. i këtij ligji dhe të shpaloset në raport siç i referohet neni 59 të këtij ligji”, ka thënë Kada.

peciiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii

Peci edhe një mandat në krye të Bordit të BQK-së

Ndryshe Bordi i Bankës Qendrore i ka pesë anëtarë. Përveç Bedri Pecit si kryetar, anëtarë janë Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Brajshori, Fehmei Mehmeti dhe Skender Kllokoqi. Këta dy të fundit nuk paguhen për punën e tyre në Bord pasi janë staf i brendshëm i BQK-së.

Ndërkaq, Peci më shumë gjasë do të jetë në krye të Bordit edhe për një mandat. Ai është në mesin e tre anëtarëve të rinj që i janë dërguar Kuvendit për votim.

Në një kumtesë për media të Bordit të datës 10 nëntor 2017 thuhet se paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore, tashme ka dërguar listën e anëtarëve të rinj.

“Pas vlerësimit të integritetit, përgatitjes profesionale, njohurive të sistemit financiar si dhe njohurive për politika mikro dhe makro ekonomike si dhe pas vlerësimit të përformancës së treguar gjatë intervistës, ka dërguar listën përfundimtare Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, me kandidatët si në vijim: Bedri Peci, Flamur Mrasori, dhe Genc Rraci”, thuhet në këtë komunikatë. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/per-10-dite-pune-ne-bqk-peci-u-pagua-24-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala