Parkingjet “njolla e zezë” e Komunave

Autori:Gazeta Fjala

parking-ahead-sign-1-638

Rrugëve të shumë qyteteve në Kosovë banorët mezi kalojnë nëpër trotuare. Hapësirën e dedikuar për ta e zënë automjetet. Kjo tregon se premtimet e kryetarëve të komunave në kohë fushate për t’i zgjidhur problemet e parkingjeve nuk janë realizuar as për së afërmi.

Vlerësimet e organizatave të ndryshme civile, tregojnë se ky mbetet një ndër problemet kryesore jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset.

Sipas një hulumtimi të bërë nga “Instituti për hulumtime zhvillimore” Riinvest, në vitin 2014 mos zgjidhje e problemit për sigurimin e parkingjeve publike ishte njëra nga barrierat në të bërit biznes në Kosovë.

Në bazë të hulumtimit afaristët nuk shihnin zgjidhej as në një të ardhme të afërt për këtë problem.

Në atë kohë, rreth 68.8 për qind e tyre e shihnin parkingun si një ndër top dhjetë barrierat e të bërit biznes, ndërsa pas katër vjetëve 62.8 për qind e tyre vlerësojnë se do të jetë e njëjta situatë.

Më problematike duket të jetë gjendja në kryeqytet, Prishtinë.

“Në Komunën e Prishtinës në shumë zona urbane ka mungesë të parkingjeve për vetura”, thuhet në hulumtimin e Institutit për Studime të Avancuara GAP.

Sipas tyre mungesa e parkingjeve publike krijon edhe tollovi të ndryshme.

Përveç kësaj nuk kanë qenë të pakta rastet e konflikteve mes qytetarëve për shkak të parkingjeve të veturave.

Ndërkaq, tani kur zgjedhjet lokale të 22 tetorit po ofrohen kandidatët për kryetar komunash lirimin e trotuareve dhe krijimin e hapësirave të posaçme për automjetet e kanë vënë në agjendë.

Komunat që ballafaqohen me problemin e parkingjeve publike

Komuna e Ferizajt është vetëm njëra ndër komunat e cila ka mungesë të theksuar të parkingjeve të veturave.

Sipas raportit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për performancen e komunave, Ferizaj ka vetëm dy lokacione të parkingjeve me kapacitet prej 130 veturave.

Po ashtu brenda qytetit vërehen disa oborre të cilat qytetarët i kanë hapur për t’i shndërruar në parkingje private.

Sipas këtij institucioni, prezenca e madhe e veturave të parkuara vend e pa vend i japin qytetit pamje jo të mirë dhe në disa vendbanime shfrytëzohen trotuaret për parking të veturave, duke bërë që këmbësorët të lëvizin rrugës se paraparë për automjete.

Me mungesë të parkingjeve publike ballafaqohet edhe qyteti i Mitrovicës.

Sipas Instituti GAP në qytetin e Mitrovicës ende nuk ka një pjesë të dedikuar për parkingje publike por pjesë të ndryshme gjatë rrugëve nëpër qytet përdoren si vend parkime.

“Pjesa ku qytetarët më së shumti e frekuentojnë për parkim pa pagesë është pjesa afër sallës së sportit Minatori” thuhet në hulumtimin e tyre.

Po ashtu, në disa pjesë ekzistojnë parkingje private dhe disa pjesë përgjatë rrugëve i janë lëshuar me qira nga komuna disa kompanive të taksive që operojnë në Mitrovicë.

Siç duket, parkimi i veturave në pjesë të ndryshme të qytetit është duke shkaktuar edhe një kaos në trafik dhe zënie të hapësirave për këmbësorë

Ndërsa është edhe Komuna e Shtimes e cila po ballafaqohet me problemin e njëjtë.

Kjo komunë ka mungesë të parkingjeve publike. Këtë e vërteton edhe raporti i MAPL-së, ku mungesa e parkingjeve është vlerësuar si performacë e dobët.

Gjithashtu komuna e Shtimes ende nuk ka arritur të ndërtojë një stacion të autobusëve për qytetarët e saj. Ky problem është raportuar edhe në një raport të kaluar të Institutit GAP të vitit 2013.

Komuna tjetër që e ka të pazgjidhur problemin e vend-parkingjeve është edhe komuna e Klinës.

Sipas Institutit GAP, ky qytet ndër problemet kryesore e ka edhe mungesën e parkingjeve publike.

“Komuna e Klinës nuk ka vend-parkingjepublike. Kënaqshmëria e qytetarëve të Klinës sa i përket shenjëzimit të pikave për parking publik, sipas raportit të UNDP-së, është 10.2 %, nivel ky shumë i ulët në krahasim me komunat e tjera.

Mungesë të parkingjeve edhe në qytetin e Vushtrrisë

Qytetarët e Vushtrrisë si problem të vazhdueshëm e kanë mungesën e parkingjeve publike, pasi komuna nuk u ka vënë në dispozicion parkingje të mjaftueshme.

“Mungesa e parkingjeve i shtyn vozitësit që veturat t’i parkojnë në trotuare dhe në vendet të tjera jo adekuate” thuhet në hulumtimin e instituti GAP.

Sipas tyre ku problem ekziston qysh para zgjedhjeve të fundit lokale. (Arjeta Sinani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/parkingjet-njolla-e-zeze-e-komunave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala