Pacolli se njeh shtetin e Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

grandi

Dy vendime të gjykatave me të larta në Kosovë nuk i kanë mjaftuar kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit që ta mbyll çështjen e Hotelit Grand.

Kompania e Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por edhe bazuar në vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe atij të Gjykatës Kushtetuese, padisë së Pacollit në Arbitrazh i mungon baza ligjore.

Kjo sepse gjykatat e të gjitha niveleve në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Grandit.

Në fakt, kompania e Pacollit “Mabco” dhe kompania “Eurokoha” kishin ushtruar padi në vitin 2014 për të qenë palë në rastin e Hotelit Grand, pas pretendimeve të tyre se kanë bërë investime aty.

Por Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi të Gjykata Kushtetuese, e cila si blerës legjitim e njeh vetëm kompaninë  Union Comerce të Zylqif Berishës, por jo edhe kompaninë e Pacollit.

Gjykata kushtetuese në këtë rast mori dy vendime. E shpalli të papranueshme pretendimet e Union Comerce si dhe e  vlerësoi si të papranueshme edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions dhe Eurokoha-Reisen, të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e konfirmojnë se ky rast i ka kaluar tashme të gjitha shkallët juridike në Kosovë.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit I ka tërhequr aksionet e Ndërmarrjes së Re Grand Hotel në vitin 2012 dhe të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tani kjo ndërmarrje është në likuidim dhe Agjencia po e zhvillon këtë proces sipas ligjit në fuqi”, ka thënë zëdhënësi për media në AKP, Ylli Kaloshi.

Kaloshi ka lënë të kuptohet se vendimi i Pacollit për të ushtruar padi ndaj shtetit në këtë rast, nuk ka kurrfarë baze ligjore. Kjo për faktin se gjykatat në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Hotelit Grand.

Pacolli e quan kontrovers vendimin e kushtetueses

Por Pacolli, përmes një postimi në facebook së fundi, ka insistuar në versionin e tij, duke thënë se hoteli është privatizuar nga kompania e tij, Mabco në Zvicër dhe se këtu konsiston baza ligjore në padinë në Arbitrazh.

Si provë për këtë ka përmendur faktin se vet AKP në atë kohë i kishte kërkuar atij një plan të detajuar investiv.

“Paratë për blerjen e hotelit Grand janë paguar nga llogaria e Mabco Construction në Zvicër dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerane UBS janë paguar për blerjen e 40 për qind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti i detajizuar për investimet dhe për këto MABCO ofroi garancionet bankare për 39 milion euro investime, investim ky I cili përveçse do ti jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve”, ka thënë aty Pacolli.

Në sqarimin e tij Pacolli thotë se në vitin 2012, AKP,  për me tepër, i kërkon MABCO që të përgatisë një plan të ri të investimeve dhe në një afat të caktuar të prezantojë pos tjerash edhe planin e punëve, projektin dhe garancionin bankar mbi 20 milion euro.

Krejt kjo sipas Pacollit, si parakusht në mënyrë që kompanisë së tij MABCO përfundimisht ti njihet statusi i blerësit legal të aksioneve dhe implementuesit të kontratës. Por menjëherë pas kësaj Pacolli thotë se grupe të caktuara të interesit i kërkuan atij ryshfet në vlerë prej 3.6 milionë euro.

“Këtë unë e refuzova dhe e denoncova tek organet e EULEX-it. Ky denoncim mori një bujë mediatike dhe duke mos marrë parasysh asgjë që ishte bërë dhe thënë, AKP tërheq aksionet e Grandit në mënyrë arbitrare”, thotë Pacolli.

Pacolli ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të cilin e ka quajtur vendim kontrovers, duke mohuar, sipas tij, të drejtën e qytetarëve mbi pronën dhe duke i amnistuar lëshimet e gjykatave në Kosovë.

“Pas gjithë këtyre zhvillimeve Mabcos-t i mbeti, që të drejtën e vet ta kërkoi nëpër institucione kredibile ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën e Arbitrazhit pranë Bankës Botërore në Uashington”, thotë Pacolli në sqarimin e tij.

Grandi në likuidim

Me gjithë problemet që e kanë përcjellë, në AKP thonë se prej kur e kanë kthyer pronësinë e Grandit, hoteli është duke funksionuar si është më së miri.

Aty janë të punësuar 85 persona, të cilët paguhen nga të hyrat që realizon hoteli.

Ndërkaq, se çka do të bëhet përfundimisht me Grandin, do të dihet vetëm pasi të përfundoi procesi i likuidimit.

Bordi i Drejtorëve i AKP-së me 2 shkurt të vitit 2015 ka vendosur për ta përfshirë në proces të likuidimit Hotelin Grand dhe aktualisht kjo ndërmarrje është në likuidim.

“Bordi i Drejtorëve i AKP-së do ta trajtoj me kujdes rëndësinë e këtij aseti për ekonominë e Kosovës dhe do të merr vendim për hapat e ardhshëm, për çka opinioni dhe mediet do të njoftohen me kohë nga ana e Agjencisë. Agjencia është në koordinim edhe me Qeverinë e Kosovës për të parë mundësinë e trajtimit të këtij aseti me rëndësi përmes Ligjit për Investime Strategjike”, ka thënë Kaloshi. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/pacolli-se-njeh-shtetin-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala