“Opera” e llapit

Autori:Gazeta Fjala

Opera

Podujeva është qyteti i vetëm në Kosovë që ka “OPERA”. Por Giuseppe Verdi (kompozitori më njohur i operës italiane) nuk është dëgjuar asnjëherë në këtë kafene në qendër të qytetit, vendtakim i të gjitha moshave.

Të pakët janë llapjanët që kanë njohuri për domethënien e emrit të kafenesë që frekuentojnë, ose që kanë shkuar në opera.

Kështu së paku deklarohen ata që pohojnë të kenë shkelur ndonjëherë në ndonjë sallë ku performohen vepra operistike.

Në këtë qytet nuk ka të dhëna nëse është realizuar ndonjë vepër e tillë, ashtu sikur mungojnë edhe të dhënat për numrin e shikuesve.

Në raportin “Statistikat e Kulturës 2016”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, nuk ka ndonjë të dhënë se sa janë të interesuar kosovarët për opera as në nivel Kosove.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me zyrtarët e Filarmonisë së Kosovës, që të marr të dhëna për interesimin e qytetarëve për opera, por në këtë institucion janë përgjigjur se janë shumë të zënë me prova.

Gjatë vitit 2016 Filarmonia e Kosovës del të ketë qenë kogja aktive. Ajo ka realizuar 20 koncerte në Kosovë, ndërsa dy të tjera jashtë vendit.

Edhe kori i Kosovës ka realizuar dy koncerte në Kosovë e dy të tjera jashtë saj. E për realizimin e këtyre koncerteve janë angazhuar 77 punëtorë artistikë, shkruan Gazeta Fjala.

Më shumë se për operan të dhënat tregojnë se kosovarët kanë interesim për balet.

Vjet 26 balerinët e Baletit Kombëtar Profesional kanë luajtur në 55 shfaqje në tërë Kosovën.

E numri i këtyre shfaqjeve që janë realizuar nëpër komuna është më i vogël. Për dy vite rresht në komunat e Kosovës janë realizuar vetëm 32 shfaqje, shkruan Gazeta Fjala.

“Në vitin 2015 janë realizuar 15 shfaqje baleti dhe në vitin 2016 janë realizuar 17 shfaqje të tilla”, thuhet në raportin “Statistikat e Kulturës për vitin 2016”, që ka publikuar Agjencia  e Statistikave të Kosovës.

E qyteti me numrin më të madh të shfaqjeve të baletit është Peja, pasuar nga Vushtrria, Gjakova, Gjilani e Vitia. Në Pejë kanë qenë tetë shfaqje baleti, ndërsa katër shfaqje të tjera në Vushtrri.       

“Numri i shfaqjeve të baletit nëpër komuna: 2 në Gjakovë, 2 në Gjilan, 8 në Pejë, 1 në Viti dhe 4 në Vushtrri”, tregojnë statistikat e kulturës për vitin 2016.

Numri i shikuesve për një shfaqje baleti, sipas ASK-së sillet rreth 290.

Graqanica e para me ekspozita

Ndërkaq, Interesimi i kosovarëve për ekspozitat vjet ka qenë më i vogël ashtu sikur edhe numri i veprave të ekspozuara. Në vitin 2015 numri i ekspozitave ka qenë 158, e në 2016 ky numër është ulur për 37 të tilla.

“Numri i vizitorëve në vitin 2015 ka qenë 10 mijë e 859, ndërsa në vitin 2016 numri i vizitorëve ka qenë 9 mijë e 540”, thuhet në raportin e publikuar nga ASK-ja.

Graqanica është e para me numrin e ekspozitave. Në këtë komunë janë hapur 20 të tilla. Pas Graqanicës vjen Vushtrria me 16 ekspozita dhe Suhareka e Vitia me nga 10 ekspozita.

“Numri i ekspozitave nëpër komuna: 5 në Deqan, 9 në Gjilan, 4 në Kaçanik, 4 në Klinë, 3 në Fushë Kosovë, 5 në Kamenicë, 4 në Mitrovicë, 1 në Obiliq, 5 në Rahovec, 2 në Shtime, 5 në Shtërpcë, 10 në Suharekë, 10 në Viti, 16 në Vushtrri, 6 në Zubin Potok, 5 në Zveqan, 2 në Malishevë  dhe 20 në Graqanicë”, thuhet në raportin e ASK-së.

E në Kaçanik, ndonëse ishin hapur vetëm katër ekspozita, numri më i madh i vizitorëve ka qenë në këtë qytet. 1 mijë është numri i tyre.

Sa e duan filmin kosovarët

Vetëm për 6 filma vendor e 56 filma të huaj, që janë shfaqur në Prishtinë ka pasur më shumë shikues se në më shumë se gjysmën e Kosovës ku janë shfaqur qindra filma vitin e kaluar.

Në kinematë e kryeqytetit vjet kanë parë filma 38 mijë e 300 shikues derisa 20 mijë e 225 qytetarë kanë shikuar filmat që janë shfaqur nëpër komuna.

Përjashtim bënë  Prizreni ku janë shfaqur 39 filma vendor, 268 filma të huaj, e të cilët janë parë nga 23 mijë e 258 veta.

Në total, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i filmave që janë shfaqur në vitin e kaluar nëpër komuna, pa përfshirë Prishtinën e Prizrenin është 281, prej të cilëve 187 janë të huaj e 94 vendorë.

Më së shumti nga ta filma janë shfaqur në Ferizaj. 140 filma të huaj e 10 vendor janë shfaqur në këtë qytet.

Edhe në Shtërpcë e Zubin Potok janë shfaqur numër i madh filmash. Por ka edhe komuna që gjatë tërë vitit 2016 është shfaqur vetëm një film, siç është rasti me Podujevën.

“Numri i filmave që janë shfaqur nëpër komuna: 6 në Deqan (3 vendor, 3 ndërkombëtar), 5 në Fushë Kosovë  (5 vendor), 3 në Lipjan  (3 vendor), 3 në Rahovec  (3 vendor), 1 në Podujevë (1 vendor), 4 në Skenderaj (1 vendor, 3 ndërkombëtar), 50 filma në Shtërpcë (40 vendor, 10 ndërkombëtar), 150 filma në Ferizaj (10 vendor, 140 ndërkombëtar), 6 në Viti (5 vendor, 1 ndërkombëtar), 18 në Vushtrri (3 vendor, 15 ndërkombëtar), 25 në Zubin Potok (15 vendor,10 ndërkombëtar), 10 në Zveqan (5 vendor, 5 ndërkombëtar)”, thuhet në raportin që ka publikuar ASK-së. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/opera-e-llapit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala