Njeriu i Elmi Reçicës drejtor në “Kosovën e Re”

Autori:admin

eee

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, vitin e kaluar ishte në hall me kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Për shkak të problemeve financiare që kjo kompani po kalonte, BQK për pak sa nuk ia vuri drynin.

Për të shpëtuar kompania, e vetmja mundësi ishte gjetja e një pronari të ri. Në ndihmë guvernatorit Hamza i dolën bashkë partiakët e dikurshëm nga Partia Demokratike të Kosovës.

Në fund të vitit 2016, kompania “Fitorja” nga Ferizaj që merret me ndërtimtari, i bleu 100 për qind të aksioneve të “Kosovës se Re”. Kjo kompani që aktualisht po e ndërton kompleksin “Iliria Rezidence” njihet e afërt me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht ish-deputetin Elmi Reçica.

Ndërkohë drejtor gjeneral në “Kosovën e Re” është caktuar Faton Hasani, po ashtu njëri i afërt me Reçicën dhe njëherësh anëtar i Këshillit  Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Ferizaj. Gjatë fushatës se fundit zgjedhore, Hasani është parë në krah të Kadri Veselit dhe Elmi Reçicës, pothuajse në të gjitha aktivitetet e kësaj partie në Ferizaj.

Ndryshimin e pronësisë se kësaj kompanie e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. Zëdhënësi për media, Besnik Kada, thotë se kompania në fjalë Ka bërë kërkesë në BQK për aprovim të ndryshimit të pronësisë.

“Pas shqyrtimit të kërkesës, si dhe vlerësimit të pajtueshmërisë me kërkesat ligjore për ndryshim pronësie, BQK-ja ka miratuar kërkesën e kompanisë”, ka thënë Kada. Sa i përket pronarit të ri, Kada ka thënë se të gjitha të dhënat janë publike.

18698408_744738345709055_3048378020427737170_n

Hasani: Jam anëtar i PDK-së që nga themelimi

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si drejtor gjeneral në kompaninë “Kosova e Re” figuron emri i Faton Hasanit.

Hasani ka pranuar për Gazetën Fjala se është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, që nga paslufta.

“Pozitën të cilën e mbaj në PDK, dega në Ferizaj është anëtar i Këshillit Drejtues. Jam pjesë e këtij subjekti politik që nga themelimi”, ka thënë Hasani.

Sa i përket lidhjeve me Reçicën, Hasani thotë se “i takojmë të njëjtit subjekt politik dhe se kjo është lidhja me ta”. Por Hasanit duket të mos i ketë bërë shumë përshtypje afria me krerët e PDK-së në marrjen e kësaj pozite.

“Aktiviteti im brenda subjektit të cilit i takoj, PDK-së është publik dhe plotësisht transparent”.

Gazeta Fjala ka siguruar disa fotografi ku Hasani shihet në fushatë zgjedhore me kreun e PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-deputetin e PDK-së Elmi Reçica.

Megjithatë thotë se në krye të kësaj kompanie është zgjedhur tërësisht në mënyrë ligjore.

“Drejtor gjeneral jam propozuar nga Asambleja – Pronari i kompanisë dhe jam aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të kompanisë dhe po ashtu jam aprovuar nga Banka Qendrore e Kosovës pasi që kam plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dukë përfshirë edhe përvojën time menaxheriale 17 vjeçare në industrinë e sigurimeve”, ka thënë ai.

18698333_744738739042349_2613176748596075574_n

Nipi i Presidentit Thaçi në Bordin e kompanisë

Krahas Hasanit, në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” punon edhe Kushtrim Thaçi, djali i Gani Thaçit dhe nipi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ai aty mban pozitën e anëtarit të Bordit të kompanisë.

Gani Thaçi aktualisht është zëvendës drejtor në Byron Kosovare të Sigurimeve dhe njihet si njeriu më me ndikim në këtë industrinë e sigurimeve.

Emri i Kushtrim Thaçit figuron si anëtar i Bordit në një njoftim të kësaj kompanie, por edhe në faqen zyrtare në internet.

Në këtë njoftim, thuhet se kompania e sigurimeve “Kosova e Re” në kuadër të riorganizimit, për të operuar sa më suksesshëm në tregun e sigurimeve dhe për të qenë afër klientëve, ka riorganizuar strukturat drejtuese të saj si në vijim:

“Drejtor i Përgjithshëm është emëruar z.Faton Hasani dhe Këshilltare e Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar Znj. Arjeta Maloku. Bordi drejtues i kompanisë ka këtë përbërje: Shaip Shabani, Valon Xhaferi, Kushtrim Thaçi, Naser Veliu, Ugur Ates, Jahir Maloku,Visar Bytyqi”, thuhet aty. /Gazeta Fjala/  .

ddd

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/njeriu-i-elmi-recices-drejtor-ne-kosoven-e-re/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala