Nënat 17 vjeçare braktisën 30 foshnje për një vit

Autori:admin

foshnjat

Braktisja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mbetet një problem shqetësues.  Shqetësuese mbetet edhe mosha e nënave që po lindin e më pas po braktisin foshnjat e tyre.

Gjatë vitit 2015 në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës 30 fëmijë të porsalindur janë braktisur nga nënat e tyre. E mosha e nënave lehona që po i braktisin fëmijët në QKUK po del të jetë mjaftë shqetësuese. Ato kryesisht kanë nga 17 deri në 19 vjeç.

Nushe Bicaj, punëtore sociale në këtë Klinikë ka thënë për Gazetën Fjala se mosha e nënave që i braktisin këta fëmijë është tejet e re dhe shumica e tyre janë nga rajoni i Prishtinës, raporton Gazeta Fjala.

Ajo bëri të ditur se në vitin 2015 kanë qenë 7 raste më pak të braktisjes së fëmijëve se sa në vitin 2014 ku numri i fëmijëve të braktisur arriti shifrën e 37 fëmijëve.

Bicaj u shpreh se fëmijët të cilët braktisen nga nënat e tyre qëndrojnë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike  në QKUK rreth 28 ditë.

“Pas 28 ditëve  qendra për punë sociale angazhohet që ta bëjë strehimin e fëmiut në familje strehimuse apo në SOS fshat. Ne si  Klinikë përtej këtij afati më nuk merremi.  E  përcjellim gjithë gjendjen me raporte”, ka thënë Bicaj.

Ajo bëri të ditur se nënat lehona pavarësisht se vendosin t’i braktisin fëmijët e tyre këshillohen nga kjo Klinikë për hapat që duhet përcjellë dhe pas lindjes ato varësisht nga gjendja shëndetësore qëndrojnë në QKUK rreth tri ditë derisa gjendja e tyre shëndetësore të jetë stabile.

“Nëna qëndron në QKUK tri ditë varësisht gjendjes së saj shëndetësore”, ka thënë Bicaj.

Ndërkaq arsyet për braktisjen e fëmijëve, sipas të dhënave që japin maternitetet, janë të ndryshime, por dominojnë lidhjet jashtëmartesore dhe shtatzënia e padëshiruar. Mirëpo, ka edhe arsye të tjera që i detyrojnë  nënat të marrin vendim për të braktisë fëmijën, i cili pastaj mbetet nën përkujdesje të qendrave për punë sociale të komunave të Kosovës.

Sociologu Leutrim Sahiti, është shprehur se braktisja e këtyre fëmijëve nga nënat e reja në Kosovë është mungesë e planifikimit familjar ku gratë duke mos e dëshiruar shtatzëninë vendosin që t’i braktisin fëmijët e tyre por edhe t’i abortojnë.

“Vitet e fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i aborteve  dhe shqetësues mbetet fakti që një numër i konsiderueshëm i vajzave të mitura sot abortojnë”, ka thënë Sahiti.

Sipas tij ekzistojnë dy raste kur nënat lehona vendosin që ti abortojnë fëmijët e tyre por edhe ti braktisin ata pas lindjes.

Njëri lidhet me dëshirën e prindërve për të lindur fëmijë të gjinisë mashkullore, nga mentaliteti patriarkal i shoqërisë sonë e tjetri lidhet me shtatzënitë e padëshiruara,  frika e hakmarrjes nga familja si dhe mungesa e përkrahjes.

Sipas Sahitit në shtetet e zhvilluara institucionet përkujdesen që ti jap mbështetje nënës dhe fëmiut edhe  në rastet kur shtatzënia është e padëshiruar nga të dy palët.

“Shteti duhet të hartojë politika mbështetëse financiare për familjet me kushte të dobëta ekonomike, si dhe të ndërmarrë fushata sensibilizuese në vetëdijesimin e njerëzve e sidomos të rinjve rreth planifikimit familjar dhe kundër abortit”, ka thënë sociologu Leutrim Sahiti.

Në anën tjetër koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në raportin e saj të publikuar në vitin 2014 thuhet se në klinikën e gjinekologjisë në QKUK, nuk punohet sa duhet për parandalimin e braktisjes së fëmijëve. Ky koalicion shprehet se shumica e nënave potenciale për braktisje fillimisht drejtohen në spital (për arsye aborti apo studimi të terreni). Në momentin që ato paraqiten nuk marrin ndonjë shërbim intensiv dhe gjithëpërfshirës, i cili ka për qëllim parandalimin e braktisjes.

“Spitali nuk ka një staf i cili punon krahas punëtores sociale me programe intensive gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe këshillimin e nënave potenciale për të braktisur foshnjat”, thuhet në raport./GazetaFjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/nenat-17-vjecare-braktisen-30-foshnje-per-nje-vit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala