Në pushim me këste

Autori:admin

credit-card-sand-beach-sea-holiday-travel-money-1024x683

Gjendja e vështirë ekonomike po i detyron shumë kosovarë që t’iu drejtohen bankave edhe për gjërat e luksit. Shumë familje, sivjet nuk kanë mundur të ndajnë para as për ti kryer pushimet.

E për këtë u janë drejtuar bankave komerciale.

Sipas përfaqësuesve të institucioneve financiare dhe agjencive turistike, në 2016-ën trendi i marrjes së kredive për t’i kaluar pushimet në bregdet ka shënuar rekord, shkruan Gazeta Fjala.

Për njëkohësit e ekonomisë kjo është pasojë direkte e varfërisë.

Vlerësohet se mbi 75 për qind e familjeve në Kosovë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, nuk arrijnë ta përballojnë një pushim njëjavorë brenda vitit. Si pasojë, zgjidhja e vetme mbeten kreditë bankare.

Hajrin më se shumti kësaj gjendje po ia shohin bankat komerciale.

Zyrtarja për informim në Raiffeisen, Iliriana Tahiraj, tregon se ndonëse kjo bankë nuk ka pasur ofertë të veçantë për kredi për pushime, megjithatë kërkesat kanë qenë të mëdha. Prandaj si bankë janë detyruar që të bashkëpunojnë me agjencionet turistike për ta ofruar këtë shërbim për qytetarët.

“Qytetarët kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë bashkëpunimet që Banka Raiffeisen ka me disa prej partnerëve të saj, agjencioneve, për të paguar pushime me kartelë me këste pa interes deri në 12 këste”, ka thënë Tahiraj për Gazetën Fjala.

Kredi për Turqi

Pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë hyrë në kredi për pushime destinacion kanë pasur Turqinë.

Agjencioni turistik “Fibula” sivjet është përballur më kërkesa enorme nga qytetarët që kanë shfrytëzuar kreditë bankare për t’i kaluar pushimet.

“Interesimi ka qenë i madhë. Ne i kemi me të gjitha bankat kontratat për më se shumti në 12 këste, ku klienti nuk ka interes shtesë, të cilat i merr kompania turistike Fibula”, thuhet në përgjigjet e Fibules për Gazetën Fjala.

Turiqa ka qenë destinacioni kryesor i të interesuarve që kanë shfrytëzuar kreditë bankare për pushime.

Në Fibula thonë se kanë bashkëpunim me të gjitha bankat për këtë lloj të kredisë.

Pushimet me kredi pasojë e varfërisë

Nëse shihen statistikat, varfëria del të jetë shkaku kryesor që po i detyron qytetarët t’iu drejtohen bankave për plotësimin e nevojave edhe më elementare për ta.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “Ngarkesa me borxhe e klientëve bankar në Kosovë”, afër 40 për qind e gjithsej huamarrësve në Kosovë, përfshirë këtu ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet, kanë problem me mbingarkesë të borxhit, ku vlera e këstit mujor tejkalon mbi 50 për qind të hyrave mujore neto.

Ekonomitë familjare kishin më shumë raste të mbingarkesës me borxh, ku 44.7 për qind e tyre shpenzuan më shumë se 50 për qind të hyrave për pagesë të kësteve në krahasim me 36 për qind të ndërmarrjeve, raporton Gazeta Fjala.

“Sidoqoftë, ndërmarrjet kishin raste më të shpeshta të mbingarkesës së nivelit më të lartë, ku 19.3 për qind e tyre ishin josolvent në raport me vetëm 8.4 për qind të individëve”, thuhet në raport.

Gjetjet e studimit për ngarkesën e ekonomive familjare mbështeten edhe nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, rezultatet e së cilës për vitin 2013 sugjerojnë që 44 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale, faturat, dhe mirëmbajtjet e rregullta.

Kjo gjëndje po iu pamundëson shumë familjeve në Kosovë që të mos ushqehen shëndetshëm.

Anketa e Ekonomive Familjare për vitin 2015 nxjerrë të dhëna të frikshme sesi më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë shujtën me mish, pula, peshqi apo ushqim vegjetarian.

“Gjatë vitit 2015, 55 përqind ekonomive familjare nuk ka mundur të mbajë shtëpinë apo banesën të ngrohtë në mënyrë adekuate”, thuhet në anketë.

Po ashtu, më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit 2015 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 euro përmes burimeve vetanake. /Gazeta Fjala/

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/ne-pushim-me-keste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala