Ndërtesat që po hanë njerëz

Autori:Arjeta Shabani

Punetore-ndertimtari

E shtuna ishte dita e fundit e punës për Gentian Krasniqin. Mungesa e mbrojtëseve ku vendoseshin skelet dyshohet se u bë shkaktare e vdekjes së 22 vjeçarit nga Malisheva, në vendin e tij të punës.

Ai ra nga kati i shtatë i një ndërtese në „Rrugën B“ në Prishtinë, mëngjesin e ditës së shtunë. Plagëve që mori nuk mundi tu mbijetonte më shumë se një ditë.  Ai ndërroi jetë të hënën në emergjencën e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, shkruan Infokusi.com.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që një punëtor humb jetën sikurse Gentiani.

Në vend nuk janë të rralla rastet kur punëtorët e humbin jetën në vendin e punës për shkak të mungesës së kushteve për punë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka treguar për Infokusin se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2018,  në vendin e punës e kanë humbur jetën katër persona.

Ndërsa në 2 vitet e fundit ky numër arrin në 32 persona, shkruan Infokusi.com.

“Në vitin 2016 e kanë humbur jetën 12 punëtorë, ndërsa në vitin 2017 e kanë humbur jetën 20 punëtor, ku për katër dyshohet të jenë vdekje të natyrshme”, ka thënë Azemi.

Azemi thotë se mosha e personave që kanë humbur jetën në ambientet e punës sillet rreth 35 vjeç dhe se ishin nga rajone si ai i Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit.

Kryetari Azemi deklaron se të drejtat e punëtorëve nuk po respektohen. Shton se vetëm një numër i vogël i pronarëve i respekton të drejtat e punëtorëve. Madje dhe ato pjesërisht.

Ndërsa për raste të tilla, kur punëtorët humbasin jetën në vendin e punës, ai thotë se marrin përgjegjësi edhe punëdhënësit.

“Punëdhënësi merr përgjegjësi nëse Gjykata e ngarkon me ndonjë obligim dhe atij obligimi punëdhënsi duhet të përgjigjet pasi që nuk ka rrugëdalje tjetër”, ka thënë Azemi.

Infokusi ka provuar të kontaktojë edhe me Kryeinspektorin e Punës, Basri Ibrahimin që të marr informacione se si është  e rregulluar çështja e sigurisë në punë me Ligjin e Punës, por ai ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe, lajmin për vdekjen e 22 vjeqarit nga Malisheva e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24 orësh drejtuar mediave. Nga Policia, rasti është regjistruar si “ASGJËSIM & DËMTIM OSE HEQJE E PAISJEVE MBROJTËSE & LËNDIM I RËNDË TRUPOR”.

Në këtë raport thuhet se me vendim të Prokurorit, si i dyshuar është arrestuar një person i cili është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Në lidhje me rastin raportohet se me 01.04.2018,  viktima mashkull K/Shqiptar ka ndërruar jetë në QKUK. Me vendim të prokurorit,  si i dyshuar është arrestuar një mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.  (Arjeta Shabani)./Infokusi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/ndertesat-qe-po-hane-njerez/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala