Naim Tërnava dorëzohet përball Shpend Ahmetit

Autori:Gazeta Fjala

Xhamia-prishtines

Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërrnava nuk mundi të qëndrojë pas fjalës së dhënë për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, as 50 ditë. I pari i BIK-ut , më 21 qershor kishte deklaruar se Xhamia e Madhe do të ndërtohet me ose pa leje.

Ai madje kishte thënë se është në gjendje edhe të shkojë në burg për këtë çështje.

“Do të vijë dita që ne të dalim dhe ta nisim Xhaminë pa leje. Unë do t’i organizojë. Do të marrë përgjegjësi. Nëse dikush duhet të arrestohet jam unë. Nëse dikush kërkon përgjegjësi jam unë. Nuk dëshiroj që të shkojnë punët deri këtu”, kishte paralajmëruar Tërnava.

Mirëpo, këtë deklaratë të Tërnavës, e ka hedhur poshtë zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu.

Ai ka treguar se tash BIK nuk do ta nis ndërtimin e xhamisë pa marrë lejë nga Komuna e Prishtinës.

“Ende nuk kemi ndonjë datë të caktuar se kur do të fillojë ndërtimi i xhamisë, por jemi duke e pritur dhënien e lejes nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë Sadriu për Gazetën Fjala.

Gazeta Fjala  ka kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës, se a do të jepet leja për ndërtim apo jo, mirëpo deri tani nuk ka marrë përgjigje.

I pari i BIK-ut e kishte quajtur të pakuptueshëm faktin që prej pesë vitesh qeverisja lokale e Prishtinës nuk po e jep lejen për ndërtimin e xhamisë qendrore, lokacioni për të cilën është ndarë te Posta e Madhe.

Mos ndërtimi i kësaj xhamie Tërnava ka thënë se ka bërë që në drejtim të tij të shkojnë shumë mesazhe, një pjesë e tyre edhe fyese nga anëtarët e komunitetit që ai përfaqëson.

“Me plotë të drejtë, më kanë thënë, kryetar pse po vazhdon të qëndrosh në krye të Bashkësisë Islame kur ke dështuar që ta ndërtosh xhaminë”.

Komuna: Xhamia do të ndërtohet

Pengesë për ndërtimin e kësaj xhamie, sipas BIK-u del të jetë mos dhënia e lejes për ndërtim nga Komuna e Prishtinës.

Por, vetë kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook, kishte premtuar se xhamia do të ndërtohet dhe se janë duke u kujdesur për aspektin urbanistik dhe estetik të saj.

“Xhamia do të ndërtohet, ndërsa detyra e Komunës është që të zbatojë ligjin. Meqenëse është xhamia më e madhe në Kosovë, duhet të kujdesemi edhe për aspektin urbanistik dhe estetik më shumë se për objekte të rëndomta. Si xhamia më e madhe do të jetë pikë referente përtej mandateve tona e sikleteve të pan-it. Xhamia nuk bëhet as për inati të dikujt e as për hatër të askujt.”, kishte shtuar Ahmeti.

Ahmeti këtë qëndrim e kishte përsëritur edhe më pas, ku për media ishte shprehur se xhamia do të ndërtohet në lokacionin ku është dhënë dhe se kanë mbet vetëm disa çështje të definohen, duke shtuar se kjo çështje është politizuar.

‘’ Askush nuk e mohoi, Xhamia do të ndërtohet lokacioni është dhënë kanë mbet disa çështje të definohen. Objektit e kultit janë të lejuara nga taksat. 16 mijë euro do të jetë vetëm mirëmbajtja e xhamisë. BIK tha që kjo xhami është e stilit klasik osman, financues është Bashkësia Islame Turke dhe pati diskutime se a mund të ndërtohet një xhami pa financat e ndonjë shteti tjetër.  Bashkësia Islame Turke ka financu edhe Xhaminë në Tiranë, por në Shqipëri ka më pak diskutime. Tema e fesë në Kosovë është politizu. Në Shqipëri debati është më i shtensionuar’’, ishte shprehur Ahmeti.

Peticion për ta ndalur ndërtimin

Jo shumë kohë më parë një kërkesë për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania, u ishte drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Këshilltarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë, që tani ka dalë edhe online.

Ky peticion fillimisht ishte nënshkruar nga 30 persona, pasi sipas tyre, xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Këtë peticion, Bashkësia Islame e ka quajtur të kotë dhe ka thënë se projekti për ndërtimin e xhamisë është votuar nga vetë qytetarët.

“Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit.

Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë. Përderisa Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, në respektim të ligjeve dhe të harmonizimit të planeve dhe rregullave, kërkojmë që ato të aplikohen pa përjashtim edhe në procesin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në peticionin për ndalimin e ndërtimit të xhamisë, drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Institucioneve Qendrore. (Arjeta Shabani)  /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/naim-ternava-dorezohet-perball-shpend-ahmetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala