Mustafa: Pozita dhe opozita kanë ndikuar që Trepça të bëhet kompani moderne

Autori:Gazeta Fjala

muhamet-mustafa-hedhja-e-gazit-n-euml-parlament-gati-n-euml-kufijt-euml-e-akteve-terroriste_hd-780x439

Kreu i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, si kryetar i këtij komisioni për katër vite, të arriturën më të madhe e konsideron projektin për Trepçën, ku thotë se Trepça është një shembull i një pune çfarë duhet të bëhet në Komisione dhe Kuvend.

Mustafa vlerëson punën e përbashkët të pozitës dhe opozitës për këtë projekt, duke shtuar se kjo ka ndikuar në që Trepça të bëhet kompani moderne.

“Një punë e përbashkët e pozitës dhe opozitës në interes kombëtar, e mbështetur në analiza dhe studime , një punë krijuese që i ka krijuar kushtet legale dhe institucionale që Trepça të bëhet kompani moderne , në interesin më të mirë të zhvillimit të Kosovës”, ka thënë Mustafa në një intervistë për Gazetën Fjala.

Lidhur me atë se a ka pasur ndërhyrje politike që projekte, si Trepça, projekti “Envidity” i gjeneralit Clark, Brezovica etj, të shtyhen përpara ose të stopohen për interesa të caktuara,  Mustafa thotë se kriteret profesionale dhe ligjet vlejnë për të gjithë njësoj dhe se nuk kanë pas asnjë kërkesë për anashkalim.

Mustafa në këtë intervistë për Gazetën Fjala, foli edhe për KEDS-in, projektin “SharrCem”, projektin “Endivity” të gjeneralit Clark, si dhe sugjerimet e tij për pasardhësin e tij në krye të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Gazeta Fjala: Keni udhëhequr për katër vite Komisionin për Zhvillim Ekonomik. Cilat ishin telashet më të mëdha që u ballafaquat në komision këto vite?

Mustafa: Në fillim të punës sonë u ballafaquam me qëndrime disonante partiake të theksuara , pak a shumë të ngjashme me ato që kishim në seanca plenare. Ne pastaj u morëm vesh që në Komision para së gjithash të shohim interesin ekonomik të vendit dhe ta trajtojmë atë sa më shumë nga aspekti profesional dhe me argumente profesionale. Sa më shumë që kalonte koha po ia arrinim relativisht mirë  këtij qëllimi.  Telashet ishin edhe me nivelin e ultë të analizave që merrnim nga dikastere të caktuara dhe organizata e agjenci që raportonin tek ne.  Në përgjithësi  mund të them se jam i kënaqur me dinamiken dhe strukturën e punës dhe bashkëpunimin me kolegët. Rreth 1/3 e ligjeve te proceduara ne Kuvend , janë përgatitur nëpërmjet komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë tregti dhe industri.

Gazeta Fjala: Në komision kanë kaluar këtë mandat disa nga projektet më të mëdha   nacionale si Trepça, projekti “Envidity” i gjeneralit Clark, Brezovica etj. A ka pas ndërhyrje politike që këto projekte të shtyhen përpara ose të stopohen për interesa të caktuara?

Mustafa: Po Trepça është një shembull e  një pune çfarë duhet të bëhet në Komisione dhe Kuvend.  Një punë e përbashkët e pozitës dhe opozitës në interes kombëtar, e mbështetur në analiza dhe studime , një punë krijuese që i ka krijuar kushtet legale dhe institucionale që Trepça të bëhet kompani moderne , në interesin më të mirë të zhvillimit të Kosovës. Lidhur me pjesën tjetër të pyetjes mendoj se pak a shumë është vulgarizuar një projekt duke u lidhur me Gjeneralin Clark.  Ne duhet të mirëpresim secilën iniciativë dhe investitor e aq më shumë  kur vinë nga vende e personalitete mike. Por kriteret profesionale dhe ligjet vlejnë për të gjithë njësoj dhe as nga ata nuk kemi pas asnjë kërkesë për anashkalim.  Fatkeqësisht ky propozimi nga Qeveria , më konkretisht nga Komisioni  qeveritar për partneritet publiko privat erdhi pa shumë informata lidhur me përfitimet dhe kostot ekonomike dhe sociale të projektit e sidomos lidhur me  disa rrisqe dhe pasiguri në aspektin e mjedisit.  Ne nuk e mbyllëm krejtësisht rrugën për këtë projekt, por kërkuam që para çdo vendimi për dhënie licence , të bëhet studimi i fizibilitetit që ndriçon gjithë këto aspekte dhe dhamë një serë konkluzash të Kuvendit lidhur me këtë , duke obliguar për një transparencë të plotë në secilën fazë. Sigurisht duke parë konkluzat tona dhe duke e konstatuar edhe vetë nevojën për këto studime dhe analiza para se te merret vendimi, Qeveria e tërhoqi propozimin nga procedura Kuvendare.

Megjithatë duhet theksuar një çështje të rëndësishme. Kosova ka rreth 14 miliardë  tonelata rezerva të thëngjillit. Ky është një resurs i rëndësishëm zhvillimor. Ne sillemi me nonshalance lidhur me këtë. Ende nuk kemi një strategji, bile as studime dhe cilat janë mundësitë dhe rrisqet, përfitimet dhe kostot , cilat janë teknologjitë e përdorimit të thëngjillit pa e dëmtuar mjedisin.  Në një vend me  dendësi kaq të lartë të popullsisë përdorimi i lignitit me djegie dhe termocentrale ka limitet e veta urbane dhe shumë të tjera. Ne nuk i kemi ndriçuar ato. Sa i përket punës së Komisionit, ne kemi evituar ndikimin politik nga   faktorët politik vendor ose ndërkombëtar. Mund të them se nuk ka pasur asnjë tendencë që të ndikohet as për dy projektet që ju përmendet. Me projektin e Brezovicës nuk është marrë Komisioni  as Kuvendi.

Gazeta Fjala: Aktualisht gjiganti metalurgjik Trepça funksionon pa Bord i cili me Ligjin për Trepçën është parakusht për të ecur tutje me zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes. Si komision cilat janë problemet që keni vërejtur me ketë ndërmarrje dhe a keni kërkuar nga Qeveria që ta zbatoj Ligjin?

 Mustafa: Natyrisht që Ligji nuk fuqizohet dhe zbatohet vetvetiu.  Ne kemi tërhequr vërejtjen për vonesën e konstituimit të Bordit , bile dhe me shkrim. Kemi kërkuar sqarime që nuk erdhën, ndoshta edhe pse  Kuvendi pas dy tri javësh u shpërnda. Çfarë do të ndodhë atje varet edhe nga cilësia e kompetenca e anëtareve të Bordit mbikëqyrës dhe menaxhues të Trepçës, konstituimi i të cilit u vonua , ka frikë nga tendencat për ti dhënë një ngjyrë partiake ose  për të pritur situata të supozuara se do të mund të krijoheshin pas zgjedhjeve. Ka shumë rëndësi që Bordi i Trepçës të lirohet nga tendencat e tilla, që atje të kemi profesionist, kompetent , dinjtoz që marrin përgjegjësinë që ta udhëheqin Trepçën në rrugën e rigjenerimit të saj dhe në interesin më të mirë  publik, përkatësisht  të zhvillimit të Kosovës.

Gazeta Fjala: E keni monitoruar KEDS-in lidhur me shkëputjet e njëpasnjëshme të energjisë elektrike. Nga përvoja në Komision a mendoni se KEDS e ka shkelë kontratën privatizimit me Qeverinë e Kosovës? Nëse po në cilat pika?

Mustafa: Problemi qëndron edhe tek zbatimi i kontratës , e ndoshta edhe tek përmbajtja e saj. Ne kemi parë se ndërprerjet  e energjisë në dhjetor ishin të çuditshme dhe vështirë të argumentueshme me arsyen që publikonte KEDS. ZRRE sipas kërkesës sonë  vërtetoi dyshimet tona dhe i dha një dënim material dhe vërejtje KEDS. Mendoj se KEDS , edhe pse është një operator privat, duhet të ketë parasysh se  jep një shërbim publik ndaj në punën e vet duhet të sigurojë transparencën dhe përgjegjësinë e vet  ndaj konsumatorëve. Kemi qenë të pakënaqur edhe me dinamikën edhe me strukturën e investimeve  që ka marrë për obligim KEDS.

Gazeta Fjala: Komisioni për Zhvillim Ekonomik i ka trajtuar edhe dy projektet më të mëdha në vend për qymyrin. Projektin “Envidity” prapa të cilit është kompania e gjeneralit Ëesle Clark dhe një tjetër të “SharrCemit”. A mendoni se këto projekte kanë ardhë në Kuvend duke e shmangur legjislacionin në fuqi?

 Mustafa: Pak a shumë përgjigjen e dhashë më lartë. Nuk mendoj se ka qenë tendencë të shmanget zbatimi i Ligjit. Për këtë ka ardhë në Kuvend. Megjithatë përgatitja me analiza  e studime për të marrë një vendim të tillë nuk ka qenë adekuate. Ka pasur shumë gjëra të panjohura dhe të pastudiuara. Andaj Komisioni doli me rekomandimet që i sqarova më lartë dhe çështja u hoq nga rendi i ditës.

Gazeta Fjala: Keni përmendur më herët grupet e interesit rreth këtyre projekteve. Çfarë keni dashur të thoni me ketë? A ka ndikuar dikush tek ju si kryetar i komisionit dhe anëtarët tjerë?

Mustafa: Fenomeni përkatësisht  tendenca për infiltrim nga grupet e interesit të ngushtë politik dhe ekonomik në aranzhmanet dhe kontratat për shfrytëzimin e burimeve natyrore strategjike është i pranishëm gjithnjë ku mungon zbatimi i ligjit, ku demokracia , transparenca dhe llogaridhënia  është fragjile. Ndaj në teorinë ekonomike ekziston sitagma “ mallkim i resurseve” që vlen për vendet ku nga shfrytëzimi i pasurive natyrore përfitojnë këto grupe dhe  jo një rreth i gjerë i qytetarëve, kështu që vendet edhe pse  kanë   shumë pasuri natyrore kanë ngelur të varfra dhe të mbërthyera nga struktura të kapjes së shtetit. Ka edhe vende  ku vlen sintagma tjetër “ bekimi i resurseve” , por ato janë të pakta. Përmenden shembuj të spikatur vetëm 5 vende në botë, në mesin e tyre ne Norvegjia në Europë dhe Botcvana në Afrikë, ku burimet natyrore kanë gjeneruar zhvillim të përgjithshëm ekonomik.  Kur kam folur për grupe të interesit , kam pasur parasysh në rend të parë shembullin e projektit “Kosova C / Kosova e re 2100 MË”, i cili është një shembull shkollor se si nuk duhet të menagjohen projektet e rëndësisë kapitale e strategjike. Ai projekt u tentua te imponohet për afro në dekadë , 2005 – 2013, po  në kundërshtim me strategjinë energjisë të aprovuar në Kuvend dhe prajktikat e mira të shfrytëzimit të burimeve natyrore. Ndaj projekti hasi në kundërshtime nga shoqëria ciivile dhe opinioni , por e gjithë kjo  ndikoi në  vonimin e investimet në energji për mëse një dekadë.

Gazeta Fjala: Çfarë do t’i kishit sugjeruar pasardhësit tuaj në detyrën e kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik? Cilat janë disa nga çështjet më emergjente që kanë mbetur pezull?

Mustafa: Padyshim funksionalizimi i Trepçës si Korporatë sipas ligjit, vënia e rregullit  dhe zabtimi i Ligjit lidhur me a matjen e performancës së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, zgjidhja më e shpejtë e kontesteve biznesore në gjykata, pra më tepër monitorim,  raportim dhe llogaridhënie për zbatim të ligjit dhe përformancë nga ministritë që raportojnë aty, krahas aktivitetit legjislativ.

Gazeta Fjala: Me çfarë po merret aktualisht dhe me carë do të merret në të ardhmen   Muhamet Mustafa, tash pas largimit nga politika dhe obligimet institucionale?

Mustafa: Unë tanimë jam kthyer në Institutin Riinvest, në pozitën e Këshilltarit të lartë shkencor dhe profesorit. Aty do të angazhohem që  zhvillohet komponenti  i studimeve ekonomike me ineters per vendin, ve] kësaj e keni parë se jam i angazhuar rreth Forumit Qytetar të Prishtinës dhe gjithashtu do të punoj në konsolidimin e Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, me seli në Tiranë  e themeluar nga akademikë dhe profesionistë nga Prishtina, Tirana dhe Maqedonia për të promovuar projekte me rëndësi strategjike për të shfrytëzuar mundësitë komplementare të zhvillimit ekonomik në viset shqiptare dhe  për faktorizimin tonë ekonomik  në rajon e më gjerë. /Gazeta Fjala/.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mustafa-pozita-dhe-opozita-kane-ndikuar-qe-trepca-te-behet-kompani-moderne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala