Misioni i Bedri Hamzës

Autori:Agon Sinanaj

656X37364677Bedri_hamza_BQK

Katër vite më parë Bedri Hamza e mori drejtimin e Bankës Qendrore të Kosovës derisa ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Edhe pse aso kohe Hamza dha dorëheqje nga të gjitha aktivitetet partiake, gjatë mandatit si guvernator asnjëherë nuk e harroi partinë.

Ai do të njihet për punësimet e dyshimta në BQK të njerëzve të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

Gazeta Fjala pati siguruar listën e plotë të të punësuarve në këtë institucion prej kur ish-ministri i Financave të Kosovës Bedri Hamza, nga Partia Demokratike e Kosovës, është bërë Guvernator i BQK-së në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 54 veta, kryesisht të afërt me politikanë dhe njerëz me pozita udhëheqëse në Kosovë. Janë bërë shkëmbime punëtorësh me institucione tjera e graduar të tjerë.

Gjatë mandatit të tij, Hamza mbështeti po ashtu një marrëveshje monopolistike në tregun e sigurimeve, e cila po hetohet nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës.

Edhe në ketë rast Gazeta Fjala siguroi marrëveshjen e cila u arrit fshehurazi në hotelin e familjes së zëvendës kryeministrit të tashëm Behgjet Pacolli, “Sëiss Diamond”.

Në një rast tjetër, BQK kishte favorizuar dy kompanitë më të reja të sigurimeve “Scardian” dhe “Prisig”, e para e themeluar nga Akan Ismajli dhe Bujar Musa, njerëz të afërt me PDK-në.

Bashkëpartiakët e dikurshëm të  Hamzës, u bën edhe pronar të një kompanie të sigurimeve.

Bëhet fjalë për “Kosovën e re”, të cilës për shkak të gjendjes jo të mirë financiare iu ndërrua pronësia. Ndërkohë pronar i ri u bë një kompani e afërt me Elmi Recicën, derisa drejtor i saj u zgjodh pikërisht njeriu i afërt i këtij të fundit.

Gazeta Fjala risjellë për lexuesit “të bëmat” e Bedri Hamzës, për mandatin katër vjeçarë në BQK.

Punësimet e dyshimta të Bedri Hamzës

Gazeta Fjala pati raportuar për punësimet që kanë ndodhur në BQK me marrjen e detyrës së Hamzës si Guvernator. Në një listë të publikuar shihen se të punësuarit ishin kryesisht të afërt me politikanë dhe njerëz me pozita udhëheqëse në Kosovë.

Përveq kësaj, janë bërë shkëmbime punëtorësh me institucione tjera e graduar të tjerë. Ndërkohë brenda kësaj kohe janë pensionuar ose dorëhequr 22 persona tjerë.

Zyrtarë brenda këtij institucioni kanë identifikuar për Gazetën Fjala disa nga lidhjet familjare të të punësuarve nga viti 2013 e deri në mars 2016.

Ata dëshmojnë se me ardhjen e Hamzës në BQK i është hapur dera edhe nipit të zonjës së parë të shtetit, Alban Gërxhaliut të punoj si zyrtar i ri për Integrim Evropian.

Albani është djali i vëllaut të Lumnije Thaçit, bashkëshortes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe këshilltari i Presidentit, Ismail Syla, ka të punësuar djalin e tij, Taulantin, si ekonomist për stabilitet financiar në BQK.

Jo vetëm guvernatori, por edhe zëvendësi i tij Fehmi Mehmeti duket se është kujdesur për të ofruar afër vetes disa njerëz.

Aferdita Mehmeti, e afërme e zëvendësguvernatorit Fehmi Mehmeti, e cila më parë kishte punuar në “ProCredit Bank” dhe në “TEB”, tani është asistente Ekzekutive në Zyrën e Zëvendësguvernatorit Mehmeti për Mbikëqyrje Financiare.

“Mihrije Mziu – Nuredini, gruaja e vëllaut të Drejtori i Kontrollit të Trafikut Ajror, Bahri Nuredini. Ajo më parë ishte punësuar si zyrtare e financave në Kontrollin e Trafikut Ajror, ndërsa nga viti 2013 u transferua në BQK”, tregon për Gazetën Fjala zyrtari i BQK-së.

Përveç kësaj, e punësuar tjetër, Albulena Thaçi, thotë se është mbesë e deputetit të PDK-së Xhavit Haliti, e punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës si mbikëqyrëse bankare.

“Atdhe Bytyqi, i cili punon në këtë institucion si zyrtar ligjor, është punësuar me ndihmën ish- zëvendësguvernatorit Fatmir Gashi”.

Ida Fetiu, Asistente në Zyrën e Zëvendësguvernatorit për Funksione të Përgjithshme është vajza e drejtorit të departamentit të dëmeve në kompaninë e Sigurimeve Eurosig, Shkëlzen Fetiut.

“Labinot Preniqi, Udhëheqës i Divizioni për Parandalimin e Pastrimit të Parave, është i afërm i guvernatorit Bedri Hamza dhe është punësuar direkt nga guvernatori”.

Në listë është edhe Bajram  Zhegrova, Mbikëqyrës i ri për Sigurime, është djali i axhës së Shpëtim Zhegrovës, kryesues i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë.

Gjatë kësaj periudhe në këtë institucion është punësuar edhe Besarta Jashari – vajza e Hamzë Jasharit dhe Albulenë Zogu-Demaku gruaja e ish kryetarit të Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, për të cilat është raportuar edhe më parë.

Gazeta Fjala, pa paragjykuar aftësitë dhe procesin e punësimit të tyre, publikoi të plotë listën e të gjithë të punësuarve, të siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

punesimet 1

punesimet 2

Monopoli në sigurime me izën e BQK-së

Gazeta Fjala pati raportuar në fillim të këtij viti për një marrëveshje të fshehtë mes bosëve të sigurimeve në Kosovë të arritur në dhjetor 2016 në hotelin “Sëiss Diamond”.

Me këtë marrëveshje që e siguroi Gazeta Fjala pronaret e sigurimeve e vendosën monopolin në tregun e sigurimeve, duke caktuar çmime fikse në sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia.

Saktësisht ato u morën vesh që komisioni për ndërmjetësuesit e sigurimeve të jetë 10 për qind, ndërsa janë fiksuar edhe shpenzimet që do t’i kenë pikat e shitjes së sigurimit të detyrueshëm nëpër Kosovë.

Krejt kjo ishte bërë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës e cila e ndryshoi edhe rregulloren për t’ia përshtatur marrëveshjes të arritur në “Sëiss Diamond”.

Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka afër 4 muaj që i ka nisur hetimet për këtë rast, por ende nuk ka marr asnjë vendim. Kjo pavarësisht faktit se kompanitë e sigurimeve po operojnë me një marrëveshje të dyshimtë.

Gazeta Fjala pati siguruar dokumente që dëshmojnë se krejt kjo punë është bërë nën dijeninë e zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, janë caktuar edhe njerëzit që do të negocionin me zyrtarët e BQK-së për nxjerrjen e rregullores se re të përshtatur sipas pikave të marrëveshjes.

Në pikën 3 të marrëveshjes së arritur në Hotelin “Sëiss Diamond” figuron emri i Bujar Musës, pronar i kompanisë së sigurimeve “Scardian”, si përfaqësues i kompanive me rastin e nxjerrjes së rregullores nga BQK.

Musa është njëri nga pronarët në IPKO dhe njihet si i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Së fundi ai është pronar edhe në kompaninë me të re të sigurimeve “Scardian”.

Aty po ashtu jepen detaje sesi duhet të veprojë Musa në raport me zyrtarët e BQK-së. Madje thuhet që duhet siguruar që çdo gjë të jetë në përputhje me këtë marrëveshje.

“Ne pajtohemi që procesi i implementimit të rregullores për vendimet e këtij takimi të bëhet nga z.Bujar Musa me Bankën Qendrore të Kosovës. Ne gjithashtu pajtohemi që në rregullore të vendosen kritere dhe kushte nga BQK për rregullimin e tregut të përgjithshëm të sigurimeve në Kosovë. Kërkojmë nga BQK të përcaktoj kritere objektive dhe të matshme me të cilat do të përcaktohen rregullat e tregut në të ardhmen”, thotë pika 3 e marrëveshjes.

Pas kësaj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës është mbledhur urgjentisht me 4 janar 2017 për të hartuar rregulloren e re në bazë të kërkesave të bosëve të sigurimeve. Mbledhja është mbajtur dy muaj pas takimit në “Sëiss Diamond”.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të rregullores së BQK-së, e cila është hartuar pikë për pikë bazuar në marrëveshjen e arritur mes krerëve të sigurimeve.

Kështu në nenin 3 të rregullores se BQK-së është përcaktuar që komisioni për ndërmjetësuesit në sigurime sa i përket produktit të sigurimit të detyrueshëm nga auto përgjegjësia, të jetë 10 për qind. Kjo është e ngjashme me pikën 7 të marrëveshjes se arritur në “Sëiss Diamond”.

Po ashtu, Rregullorja e re e BQK-së për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, përmban çmime fikse edhe në rastin e shpenzimeve që do t’i kenë pikat e shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nëpër Kosovë.

“Në çdo rast komisionet dhe shpenzimet e pikave të shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nuk duhet të kalojnë 12 për qind të primit të paguar pas zbritjes së TVSH-së”, thuhet në nenin tre të rregullores së BQK-së.

Për më tepër, Gazeta Fjala ka marr vesh se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka nxjerrë rregullore në bazë të një marrëveshje të pa mbështetur në asnjë rregullore apo dispozitë ligjore.

Çdo vendim i kompanive të sigurimeve për tregun e sigurimeve duhet të kalojë nëpër organet kompetente për këtë punë, që në këtë rast është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, që është organi më i lartë në Byron Kosovare të Sigurimeve. Në asamble janë të përfaqësuara të gjitha kompanitë me nga një anëtar dhe çdo vendim aty duhet të merret në bazë të 2/3 të votave të anëtarëve.

Ndërkohë, marrëveshja e “Sëiss Diamond” nuk i ka kaluar asnjërën nga këto procedura ligjore. Ajo mban vetëm nënshkrimet e pronarëve të kompanive të sigurimeve.

marrveshja 1

Njeriu i Elmi Reçices drejtor në “Kosovën e re”

Guvernatori Hamza u kishte dalë në ndihmë ish-partiakëvë të tij edhe me një rast tjetër. Vitin e kaluar Hamza ishte në hall me kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Për shkak të problemeve financiare që kjo kompani po kalonte, BQK për pak sa nuk ia vuri drynin. Për të shpëtuar kompania, e vetmja mundësi ishte gjetja e një pronari të ri. Në ndihmë guvernatorit Hamza i dolën bashkë partiakët e dikurshëm nga Partia Demokratike të Kosovës.

Në fund të vitit 2016, kompania “Fitorja” nga Ferizaj që merret me ndërtimtari, i bleu 100 për qind të aksioneve të “Kosovës se Re”. Kjo kompani që aktualisht po e ndërton kompleksin “Iliria Rezidence” njihet e afërt me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht ish-deputetin Elmi Reçica.

Ndërkohë drejtor gjeneral në “Kosovën e Re” është caktuar Faton Hasani, po ashtu njëri i afërt me Reçicën dhe njëherësh anëtar i Këshillit  Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Ferizaj. Gjatë fushatës se fundit zgjedhore, Hasani është parë në krah të Kadri Veselit dhe Elmi Reçicës, pothuajse në të gjitha aktivitetet e kësaj partie në Ferizaj.

Ndryshimin e pronësisë se kësaj kompanie e patën konfirmuar për Gazetën Fjala edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. Zëdhënësi për media, Besnik Kada, thotë se kompania në fjalë ka bërë kërkesë në BQK për aprovim të ndryshimit të pronësisë.

“Pas shqyrtimit të kërkesës, si dhe vlerësimit të pajtueshmërisë me kërkesat ligjore për ndryshim pronësie, BQK-ja ka miratuar kërkesën e kompanisë”, ka thënë Kada. Sa i përket pronarit të ri, Kada ka thënë se të gjitha të dhënat janë publike.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si drejtor gjeneral në kompaninë “Kosova e Re” figuron emri i Faton Hasanit. Hasani e kishte pranuar për Gazetën Fjala se është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, që nga paslufta.

“Pozitën të cilën e mbaj në PDK, dega në Ferizaj është anëtar i Këshillit Drejtues. Jam pjesë e këtij subjekti politik që nga themelimi”, ka thënë Hasani.

Sa i përket lidhjeve me Reçicën, Hasani thotë se “i takojmë të njëjtit subjekt politik dhe se kjo është lidhja me ta”. Por Hasanit duket të mos i ketë bërë shumë përshtypje afria me krerët e PDK-së në marrjen e kësaj pozite.

“Aktiviteti im brenda subjektit të cilit i takoj, PDK-së është publik dhe plotësisht transparent”. Gazeta Fjala ka siguruar disa fotografi ku Hasani shihet në fushatë zgjedhore me kreun e PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-deputetin e PDK-së Elmi Reçica. Megjithatë ai thotë se në krye të kësaj kompanie është zgjedhur tërësisht në mënyrë ligjore.

“Drejtor gjeneral jam propozuar nga Asambleja – Pronari i kompanisë dhe jam aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të kompanisë dhe po ashtu jam aprovuar nga Banka Qendrore e Kosovës pasi që kam plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dukë përfshirë edhe përvojën time menaxheriale 17 vjeçare në industrinë e sigurimeve”, ka thënë ai.

elmi recica

 Bedri Hamza aprovoi drejtorin e kundërligjshëm

Gjatë mandatit të tij si guvernator Hamza kishte aporouvuar vitin e kaluar si drejtor të Byrosë Kosovare të Sigurimeve njeriun zgjedhja e të cilit ishte kontestuar si e kunderligjshëm nga Auditori.

Me gjithë vërejtjet e Auditorit se zgjedhja e Blerim Pushkollit si Drejtor ekzekutiv në Byron Kosovare të Sigurimeve ishte e paligjshme, Banka Qendrore e Kosovës, që udhëhiqet nga Bedri Hamza, e kishte ‘vulosur’ tashmë zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Pushkolli, i afërt me ish-ambasadorin e Kosovës në SHBA, Akan Ismailin dhe Bujar Musën aksionarë në IPKO dhe të dy pronarë të kompanisë së sigurimeve “Scardian”, në të cilën Pushkolli ka qenë drejtor, u zgjodh në krye të Byros përkundër faktit se Auditori i Brendshëm gjeti se u shkel me këtë rast Statuti i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, shkruan Gazeta Fjala.

Ndryshe me 7 shtator të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e BKS-së ka zgjedhur Blerim Pushkollin, Drejtor ekzekutiv të BKS-së.

Auditori i Brendshëm dhe kompanitë e sigurimeve e kanë kontestuar zgjedhjen e tij me arsyetimin se është shkelur statuti i BKS-së, përkatësisht neni 21 i cili thekson se për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv neëvojiten 2/3 e votave të anëtarëve.

Me rastin e zgjedhjes së tij, Asambleja e Përgjithshme, në përbërje të të cilës janë 12 kompani të sigurimeve, votën pro e patën dhënë vetëm 7 sosh, derisa me statutin e Byrosë kërkohet që të jenë 2/3 e votave apo tetë vota gjithsej që të shpallet kandidati fitues.

Për me tepër, këtë rast në gjykatë, për shkelje procedurale dhe konflikt interesi, tashmë e ka quar edhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë ‘Siguria’.

Por Banka Qendrore e Kosovës, si autoriteti final në bazë të ligjit, ka shmangur krejtësisht mendimin e Auditorit të Brendshëm, duke vendosur ta aprovoj zgjedhjen e Pushkollit në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gazeta Fjala ka siguruar këtë vendim i cili mban datën 13 shtator dhe i cili  është nënshkruar nga zëvendësguvernatori Fehmi Mehmeti dhe ushtruesi i drejtorit në Departamentin e Licencimit dhe Standardizimit, Dardan Fusha.

‘Pasi kemi shqyrtuar kërkesën tuaj të datës 9 shtator 2016, ju njoftojmë se bazuar në nenin 30, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia dhe nenin 14 të Rregullores për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, aprovon z. Blerim Pushkolli, në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve’, thuhet në vendimin e BQK-së.

Zgjedhjen e Pushkollit në krye të BSK-së, Auditori i Brendshëm e ka kualifikuar si konflikt të pastër interesi. Kjo sepse ai paraprakisht si kryesues i Asamblesë ka votuar në mbledhjen për formimin e komisionit, i cili më pastaj ka zgjedhur kandidatin për drejtor, që në këtë rast ka qenë vetë Blerim Pushkolli. Kjo për Auditorin e Brendshëm përbënë konflikt të pastër interesi, për shkak se ka ekzistuar rreziku për ushtrim të ndikimit tek anëtarët e komisionit.

‘Propozimi nga ana e Komisionit për kandidatin e lartpërmendur paraqet konflikt interesi, pasi që vota e kryesuesit të Asamblesë Pushkollit në mbledhjen ku është votuar për formimin e Komisionit, i cili ka pasur detyrë të përzgjedhë kandidatët e mundshëm në Asamble të Përgjithshme të Byrosë për drejtor ekzekutiv, implikon konflikt interesi – ushtrim të ndikimit të drejtpërdrejtë te anëtarët e Komisionit, favorizon kandidatin Blerim Pushkolli’, thuhet në raportin e Auditorit të Brendshëm.

Bazuar në pozitat që ka mbajtur më herët, Blerim Pushkolli del të jetë i afërt me Akan Ismailin dhe Bujar Musën, të dy këta të fundit aksionar në IPKO dhe pronarë të kompanisë se sigurimeve Scardian, në të cilën Pushkolli ka qenë për një vit e gjysmë njëri nga drejtorët. /Gazeta Fjala/

bedria 1

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/misioni-i-bedri-hamzes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala