Mishngrënësit e Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Butcher's Counter

Mbi 7 mijë kilogram mish i kanë ngrënë qytetarët vetëm në një pikë të derivateve në Kosovë. Më të varfrit e Evropës dalin të jenë mishngrënës të mëdhenj, bazuar në të dhënat e hoteleve dhe restoranteve se çfarë shesin më shumë brenda një viti.

Në 28 hotele të Kosovës vjet janë konsumuar 79 mijë e 36 kilogramë mish, prej tyre 44 mijë e 516 kilogram janë mish viçi.

“…32 mijë e 880 kilogram mish të bardhë dhe 1 mijë e 640 kilogram mish peshku”, kanë bërë të ditur javën e kaluar përfaqësues të kompanive në gastronomi.

Ata shfaqën kërkesa të mëdha edhe për djathë, domate, pije alkoolike dhe joalkoolike.

“Hotelet kanë kërkesa për 17 mijë e 460 kilogram djathë në vit, 10 mijë e 730 kilogram domate, 25 mijë e 500 litra pije alkoolike dhe 133 mijë e 200 litra pije joalkoolike”.

Megjithatë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ushqimi kryesor me të cilin ngopen qytetarët e Kosovës del të jetë mishi, i cili përbën 20 për qind të ushqimit të konsumit të përgjithshëm.

Edhe të dhënat e importit, tregojnë se 44 milionë kilogram mish të të gjitha llojeve hyjnë mesatarisht në Kosovë, brenda një viti. Ndërsa mishi i shpendëve është i preferuari.

“Mesatarisht importi i mishit brenda një viti është rreth 44 milion kilogram të të gjitha llojeve, derisa mishi ë shpendëve ka pjesëmarrjen më të madhe me rreth 35 milion kg brenda një viti”, ka thënë zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci për Gazetën Fjala.

SHBA dhe Brazili, importuesit më të mëdhenj

Vendet prej të cilave importohet më së shumti mishi, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Brazili.

Kosova për dy vite e gjashtë muaj, ka importuar mbi 114 milionë kilogram mish nga vendet e huaja.

“Në vitin 2015 janë importuar 46, 588, 973 kilogram mish, 47,222,397 kilogram mish për vitin 2016 dhe 20,316,548 kilogram mish për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017”.

Vende të tjera prej të cilave importon mish Kosova janë edhe: Italia, Polonia, Paraguaji, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Por, cilësia e këtij produkti shpesh është vënë në dyshim. Madje më shumë për shkak të prejardhjes nga Brazili.

Kjo pasi që jo shumë kohë më parë në Brazil kishte shpërthyer skandali për fenomenin e mishit të kalbur.

Pas kësaj kishte reaguar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV),  duke mohuar se në Kosovë ka mundur të hyjë ndonjë sasi e mishit të kalbur nga fabrikat e përfshira në skandal.

AUV kishte bërë me dije se përmes sektorit të kontrollit veterinarë kufitar, ka gjurmuar të gjitha ngarkesat e mishit të importuara në vitet e fundit në Kosovë, dhe nuk është gjetur asnjë ngarkesë e importuar nga fabrikat të cilat janë publikuar me emra dhe kode nga shteti i Brazilit.

“Importi i mishit dhe nënprodukteve të mishit nga shteti i Brazilit është lejuar vetëm nga  lista e thertoreve dhe fabrikave të cilat kanë qen të aprovuara nga Bashkimi Evropian apo qe u lejohet të eksportojnë ne BE. Asnjëra nga fabrikat të cilat kanë shitur mish të dyshimtë nuk është ne këtë listë, për ketë arsye ende për momentin nuk është ndërmarr ndonjë vendim për  ndalës nga ne dhe vendet e BE-së”- kishte thënë AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte paralajmëruar se kishte ngritur nivelin e kontrollit në kufij për ngarkesat qe vijnë nga Brazili.

“Jemi duke monitoruar vazhdimisht sistemet e lajmërimit të rrezikut siç janë RASSF dhe Traces sistem. Ku të gjitha vendimet apo njoftimet për ndonjë rrezik në ndonjë ngarkese bëhen publike, po ashtu kemi kontakte të vazhdueshme me autoritete të shteteve dhe  të BE-së. Çfarëdo mase qe do të ndërmerret nga ana e tyre ne do ta aplikojmë edhe ne vendin tonë. Ne me trupat tona inspektuese jemi permanent në pikat e kontrollit kufitar dhe terminale doganore. Asnjë ngarkesë me ushqime pa aprovimin tonë nuk zhdoganohet, andaj mbi secilin dyshim të paraqitur veprojmë konformë rregullave ligjore për të garantuar siguri të produkteve ushqimore për konsum”- ishte thënë në komunikatën e AUV-it drejtuar mediave.(Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/. 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mishngrenesit-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala