Ministri Arban Abrashi, importues i Vodka Primakov

Autori:Zekirja Shabani

arban abrashi

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi është importues kryesor për Kosovë i pijes me të njohur alkoolike të Rusisë, “Primakov Vodka Imperial 37.5%”.

Gazeta Fjala dhe portali “Infokus”, kanë siguruar dokumente të Doganave qe e dëshmojnë së kompania e ministrit Abrashi, “Laris Group” SH.P.K. është importuese e disa lloje të verërave dhe pijeve alkoolike dhe në mesin e tyre është edhe “Primakov Vodka” e cila thuhet që prodhohet edhe në disa shtete të tjera por marka e saj kryesore është Rusia.

Sipas hulumtimeve në internet Primakov Vodka njihet si pije tradicionale ruse.

vodka

Gazeta Fjala dhe portali “Infokus”, kanë provuar të marrin një përgjigje nga ministri Abrashi, lidhur me aktivitetet e kompanisë së tij, por ka qenë e pa mundur të kontaktohet.

Më parë është raportuar se Arban Abrashi, i cili mban dy pozita të larta qeveritare, atë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, është edhe një biznesmen i fuqishëm. Madje përveç tregtimit të pijeve me shumicë ai merret edhe me shitjen e anijeve dhe aeroplaneve.

Të paktën kjo mund të thuhet bazuar në aktivitetet e shënuara në certifikatën zyrtare të biznesit të tij personal, të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë.

Kompania e tij, “Laris Group” Sh.p.k., e regjistruar me 29.06.2011, merret më dhjetëra aktivitete biznesore, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Duke filluar nga tregtia me shumicë e pijeve, ambalazhim, prodhim të energjisë elektrike, ndërtim të objekteve banesore dhe jo banesore, instalime elektrike, instalime të tjera ndërtimore, punime suvatimi, aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e makinerive, pajisjeve industriale, anijeve dhe aeroplanëve, tregtia me shumicë jo e specializuar dhe aktivitete të tjera.

Portali “Infokusi” ka raportuar se ndaj tij, tashmë po zhvillohen hetime për konflikt interesi, derisa mbanë postin e Ministrit dhe atë të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, dhe njëkohësisht është edhe pronar i një kompanie.

Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, neni 6, konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit, ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik./  Gazeta Fjala dhe portali “Infokus”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/ministri-arban-abrashi-importues-i-vodka-primakov/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala