Milionat e kosovarëve për tu shëruar jashtë vendit

Autori:Gazeta Fjala

mjeket-0-650x358

Se shëndetësia në Kosovë është në gjendje të keqe e tregojnë më së miri rastet e kosovarëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Në pamundësi që të gjejnë shërim në spitalet e Kosovës ata po detyrohen këtë ta kërkojnë në shtetet si Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Austria dhe Italia.

Raste të tilla thuajse ka për çdo ditë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë treguar për Gazetën Fjala se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për shërim afro 1 mijë kosovarë.

“Sipas Raportit të Zyrës së Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike të MSh-së në periudhën  Janar- Qershor 2017 ka pasur 946 aplikime, kurse përfitues janë 681(prej tyre, rreth 100 nga viti 2016)”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndërkaq, shumat që po ndahen nga buxheti i shtetit për shërim jashtë vendit për të gjitha llojet e sëmundjeve, kapin shifra milionëshe.

Vetëm për vitin 2017, për këtë qëllim kanë shkuar 5.8 milionë euro.

“Buxheti i ndarë për 2017 për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP) ka qenë 5.8 milionë euro për të gjitha llojet e sëmundjeve që rekomandohen për trajtim jashtë QKUK-së nga specialistët e kësaj qendre”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kjo shumë brenda viteve 2015 dhe 2016, duke e përfshirë edhe fondin për leukemi arrinte shifrën e 16 milionë euro.

Burim i këtyre parave ishte Qeveria e Kosovës.

“Për dy vitet 2015 dhe 2016 buxheti për TMJISHP, përfshi edhe fondin për leukemi të ndarë nga Qeveria e Kosovës, ka qenë 16 milion euro”.

Shumicën e herëve, rastet e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit nuk mund të presin.

Madje, vetëm në tremujorin  e parë të këtij viti, si raste urgjente janë regjistruar 225 raste.

Këto shërbimet, që nuk po mund t’i ofroi Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, po ia dalin shumë mirë që t’i kryejnë spitalet shëndetësore private, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Për shërbime mjekësore jashtë vendit, vendi që prin me më së shumti pacientë është Turqia, pasuar nga Maqedonia dhe Shqipëria.

“Shumica e shërbimeve që nuk mund të ofrohen në QKUK,  kryhen në spitalet shëndetësore private brenda Kosovës, derisa shërbime mjekësore jashtë Kosovës pacientët i marrin si në vijim: Turqi, Maqedoni, Shqipëri, Gjermani, Austri, Itali, Kroaci, Zvicër, ShBA, Francë dhe Belgjikë”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Kurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë treguar se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit.

Në QKUK thonë se në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/milionat-e-kosovareve-per-tu-sheruar-jashte-vendit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala