Mbi 108 mijë kosovarë jetojnë me social

Autori:Gazeta Fjala

humanizmi-shqiptar-nuk-euml-sht-euml-shuar-m-euml-2014-ja-si-reaguan-qytetar-euml-t-ndaj-lajmeve-p-euml-r-rastet-sociale_hd

Çdo ditë në ora 7 në mëngjes F.F ulët para hyrjes së Fakultetit Filologjik në Prishtinë. Tash e 20 vite mjekërrbardhi 67 vjeçar, udhëton nga komuna e Vitisë deri në kryeqytet për të kërkuar lëmoshë.

Në vendin dhe plisin e njëjtë që duket se e bartë për këto vite ai nxjerrë kafshatën e gojës.

Nuk ka askënd, as fëmijë dhe as grua, ndërsa të ardhurat që merr nga pensioni i pleqërisë nuk i mjaftojnë të mbetet gjallë.

“Me 75 euro, çka me ble ma përpara”, thotë me gjysmë zëri F.F për Gazetën Fjala.

Lëmosha nuk ka qenë mënyrë e jetesës për të gjithë jetën.

“Kur jam kanë ma i ri, jam kanë edhe ma i fortë, kam punu te bunarët, i kemi ndërtu, por tash jam plak edhe nuk po muj”, tregon ai.

Fat të njëjtë më këtë të moshuar ndajnë edhe 108 mijë persona, që kanë të hyra vetëm nga ndihmat sociale.

Kështu së paku thonë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për media se asistenca sociale që këto familje marrin sillet nga 50 euro deri në 150 euro në muaj.

“Aktualisht, duke iu referuar muajit të fundit, janë 26 mijë e 375 familje me 108 mijë e 149 anëtarë të cilët kanë marrë ndihmë sociale. Në dy vitet e fundit sillet ky numër i familjeve, 25 mijë deri në 26 mijë. Vlera e parave që ata marrin varet nga numri i anëtarëve” ka thënë Gjocaj.

Një asistencë sociale në disa raste mund të shkoj deri në 150 euro, që është shuma maksimale.

“Kjo pasi që çdo familje që kanë fëmijë nga 0 deri në 18 vjet merr nga pesë euro shtesë në emër të rritjes dhe shkollimit, ka theksuar Gjocaj.

Por janë edhe një pjesë e madhe e qytetarëve që jeton në varfëri ekstreme, me rreth një euro në ditë.

29.2 për qind e popullsisë në varfëri të skajshme

Çereku i popullsisë jeton me vetëm një euro e gjysmë ndërsa varfëria e plotë në zonat rurale është katër për qind më e madhe se në zonat urbane.

“Varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 për qind, ndërsa 26.7 për qind, zonat urbane”, sipas gjetjeve të ASK-së.

Ky institucion prezanton se në zonat urbane varfëria e skajshme është 7.8 për qind, në zonat rurale 8.5 për qind.

Këto statistika sipas këtij agresioni në nivelin e varfërisë është I ndërlidhur në moshën e popullsisë, në nivelin e statusit të punësimit. Po ashtu edhe më nivelin edukimit të përfunduar të personave, ndihmat sociale, pensionet dhe parat të dërguara jashtë shtetit.

Hulumtuesi i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Blend Hasaj ka thënë për Gazetën Fjala se sipas raportit të Bankës Botërore (BB), dhe ASK-së, në vitin 2015 janë rreth 5.2 për qind e qytetarëve që jetojnë nën pragun e varfërisë së skajshme.

Edhe pse ky raport, sipas Hasajt nuk specifikon burimet e të hyrave për qytetarët që jetojnë në varfëri të skajshme. Por specifikon vetëm ato për qytetarët që jetojnë në varfëri.

“Nëse supozojmë që këto dy kategori nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra atëherë, dhe bazohemi në atë së burimet e të hyrave të  qytetarëve që jetojnë në varfëri pasqyrojnë edhe burimet e të hyrave atyre që jetojnë në varfëri të skajshme atëherë del se:

–  rreth 25% te qytetareve qe jetojnë ne varfëri te skajshme burim i te hyrave është paga nga sektori privat;

–  rreth 14% te qytetareve qe jetojnë ne varfëri te skajshme burim i te hyrave është puna me mëditje;

–  rreth 13% te qytetareve qe jetojnë ne varfëri te skajshme burim i te hyrave janë pensionet;

–  rreth 13% te qytetareve qe jetojnë ne varfëri te skajshme burim i te hyrave janë ndihmat sociale (kategoria I)”, ka theksuar Hasaj për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, sipas gjetjeve te fundit të Anketës se Buxhetit te Ekonomive Familjare (ABEK), në aspektin e konsumit për kokë banori në Kosovë në 2016 ishte 1,460 euro.

“Kjo I bie se një qytetar në Kosovë shpenzon mesatarisht rreth katër euro në ditë”, ka thënë Hasaj.

Mesatarja e nxjerrë nga e gjithë popullsia e Kosovës sipas të dhënave të ABEK, në ditë një familje  shpenzon rreth 21 euro .

“Kjo mesatare nuk i ka përfshirë qytetarët e varfër, apo varfërinë ekstreme”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës kishte premtuar se në vitin 2018 do të ketë rritje të buxhetit në Skemën e Ndihmës Sociale për 5 për qind, që do të mbulonte me shume se gjysmën e popullsisë 61 përqindëshin që marrin këto ndihma, e të largoheshin nga varfëria ekstreme.

Por, duket se ka mbetur thjesht një premtim. (Valona Hasani)/Gazeta Fjala/. 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mbi-108-mije-kosovare-jetojne-me-social/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala