Mashtrimi me arin e Rahovecit

Autori:Arjeta Shabani

5288938-gold-bars-nuggets2-ap.1910x1000

Kushdo që ka besuar se Rahoveci fle në ar është mashtruar. Pasuria 1 miliard dollarëshe që pretendon Partia e Pensionistëve të Bashkuar të Serbisë (PUPS)  dhe kompania  “Rio Tinto” (Lydian International), se ka Rahoveci, nuk ekziston sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Madje, në këtë komision kanë thënë për Gazetën Fjala se edhe Kompania së cilës i janë referuar kjo parti, nuk ka qenë e angazhuar asnjëherë në Kosovë.

“KPMM-ja nuk ka dhe nuk ka pas ndonjë here ndonjë aplikacion apo licence për hulumtime metalore në tërë territorin e Kosovës më emrin  “Rio Tinto” (Lydian International)”, ka thënë Besa Zeqiraj nga KPMM-ja për Gazetën Fjala.

Sipas hartës së mineralëve dhe hartës metalogjenike të Kosovë, të vetmet minerale që janë të ditura deri tani në Rahovec, janë mineralet e kromit, kobaltit, bakrit, hekurit dhe nikelit.

Për ari, as që bëhet fjalë.

“Në të kaluarën në komunën e Rahovecit janë bërë disa hulumtime të mineraleve metalore, sipas të cilave hulumtime janë identifikuar dhe mineralizimet e cekura me sipër, po ashtu ka pas dhe aktivitete minerare për krom”, thuhet në përgjigjet e KPMM-së drejtuar Gazetës Fjala.

Vetëm dy kompani me licencë 

Në Komunën e Rahovecit kanë qenë vetëm dy kompani që kanë pasur licenca hulumtimi për minerale, kryesisht për krom.

Kompania “ALSTONE” Sh.p.k, për hulumtim të Kromit dhe “ARSI” Sh.p.k, për hulumtim te Bakrit, kobaltit, nikelit dhe arit , janë licencuar pas vitit 2005 nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Por, për mos përmbajte të kushteve të licencës, njërës nga këto kompani i është anuluar licenca.

“Ndërmarrja “ARSI” Sh.p.k.Dega në Kosovë, në periudhën 09/07/2013-25/06/2018, ka pas licencë shfrytëzimi te kromit, e cila për momentin është e anuluar për mos përmbajtje te kushteve te licencës”, tregojnë nga KPMM-ja për Gazetën Fjala.

Deri tani përfaqësuesit e këtyre kompanive, nuk janë deklaruar asnjëherë për prezencë të mineralit të arit. Por, sa a është zbuluar ky mineral nga hulumtimet e tanishme, nga KPMM-ja thonë se ua ndalon ligji që të shpërndajnë informacione.

Thonë së është çështje e ndërmarrjeve, nëse dëshirojnë t’i publikojnë këto rezultate.

“Sa i përket hulumtimeve të tanishme që janë duke u kryer nga ndërmarrjet e licencuara, KPMM-ja e ka të ndaluar me ligj qe ti shpërndaj informacionet, është çështje e ndërmarrjeve të licencuara nëse dëshirojnë me i publikua rezultatet e hulumtimit.”

Në këtë komision tregojnë se nuk kanë fshehur asgjë në lidhje me pasuritë nëntokësore të Kosovës. Thonë se që nga themelimi, të gjitha veprimtaritë kanë qenë transparente.

Kosova ka minerale në vlerë mbi 2 trilion dollarë

Por, edhe pse nuk gjenden në Rahovec, Kosova është e pasur me ari dhe minerale të tjera.

Për pasuritë nëntokësore të Kosovës, kishte shkruar edhe gazeta prestigjioze amerikane New York Times, shkruan Gazeta Fjala.

New York Times i ishte referuar një hulumtimi të gjerë gjeologjik, që ishte realizuar nga “Mineralet Shqiptare”. Në bazë të këtij hulumtimi që ishte kryer në vitin 2015, rezulton se Kosova ka  rezerva minerale në vlerë prej mbi 2000 miliardë dollarë.

Për rezervat e mineraleve të Kosovës ishte deklaruar edhe Presidenti i Minerale Shqiptare, Sahit Muja. Muja kishtë thënë se Kosova ka minerale me vlerë mbi 2 trilion dollarë, duke përfshirë qymyrin dhe linjitin.

Deklaronte se shumica e burimeve natyrore të Kosovës mbeten të papërdorura, dhe se rezervat e saj të mëdha të burimeve natyrore me vlerë mijëra miliardë dollarëshe, janë një potencial i madh për zhvillimin e ardhshëm ekonomik.

Rëndësi e madhe në këtë artikull i ishte kushtuar Trepçës, ku thuhet se Trepça ishte lider në Evropë në minierat e plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.

“Trepça, ka një nga rezervat më të mëdha botërore të plumbit, zinkut, argjendit dhe mineraleve të rralla”, shkruante New York Times.

Në bazë të këtij hulumtimi Kosova është shumë e pasur me minerale të tilla si linjit, qymyr, zink, ari, boksit, argjend, magnez, plumb, alumin, krom mineral dhe për më tepër rezerva të linjiti prej rreth 15 miliardë ton, duke përbërë rezervën e pestë më të madhe të linjitit në botë.

Kosova ka gjithashtu rezerva të pasura të asbestit, gurit gëlqeror, mermerit dhe minerale të tjera.

Se Kosova është e pasur me minerale, këtë e kishte nuhatur edhe Gjenerali amerikan në pension, i cili drejtoi sulmet e NATO-s kundër Serbisë, Wesley Clark, i cili ishte përpjekur të investojë në Kosovë.

Clark drejton një kompani kanadeze të energjisë të quajtur Envidity, e cila është duke kërkuar një licencë për të eksploruar depozitat nëntoksore të thëngjillit të Kosovës për t’i përdorur për të bërë lëndë djegëse sintetike për makina dhe aeroplanë. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mashtrimi-me-arin-e-rahovecit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala