Mashtrimet e “Rrugëtimit”  lënë pa çerdhe Obiliqin e Ferizajn

Autori:Gazeta Fjala

vrski_gradinka

Janë bërë tri vite që kur në Obiliq e Ferizaj janë nisur dy objekte që do të duhej të shërbenin për edukimin e fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeçare.

Komunat kanë ndarë tokën, lejet për ndërtim e kanë krijuar të gjitha kushtet që të funksionalizohen këto godina.

Por edhe pas këtyre viteve asnjë fëmijë nuk ka shkelur pragun tyre.

Organizata joqeveritare “Rrugëtimi” e cila u kishte premtuar komunave ndërtimin e çerdheve me arsyetimin se shpenzimet po mbuloheshin nga një donacion i UNICEF, është “zhdukur”.

Ndërkaq, në UNICEF dyshojnë se e tëra ishte një mashtrim, shkruan Gazeta Fjala.

Asnjëherë kjo organizatë nuk ka pasur një marrëveshje me UNICEF-in për financim të projekteve në këto dy komuna.

Ato kishin nënshkruar edhe marrëveshje mirëkuptimi me “Rrugëtimin” që pas pesë vitesh objektet ti mbeteshin në shërbim komunave.

Marrëveshja e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në mes komunës së Obiliqit dhe OJQ-së është nënshkruar me 2 qershor nga kryetari i komunës Xhafer Gashi dhe përfaqësuesi i Rrugëtimit, Arton Selimi.

Në po atë vit ka përfunduar ndërtimi i vrazhdë i objektit të destinuar për çerdhe.

Ndërsa ndërtimet e çerdhes në Ferizaj kishin filluar në muajin korrik. Por puna nuk ishte kryer deri në fund.

Ndërtimi i saj ishte ndërprerë pa paralajmërim nga ana e ndërmarrjes ndërtimore “Prishtina”. Ata kishin deklaruar se kanë ndaluar punën pasi nuk po përkrahen financiarisht nga organizata.

“Jam detyruar t’i ndërpres punimet, nuk kam mundësi më financiare t’i vazhdoj ato, kurse nga OJQ “Rrugëtimi” nuk po lajmërohet askush”, pati thënë drejtuesi i firmës ndërtimore, Gani Lalinovci, për medie.

UNICEF në po atë vit ka lëshuar një reagim ku ka deklaruar se kjo organizate asnjëherë nuk ka dhënë donacion për ndërtim të çerdheve, qoftë në Obiliq, Ferizaj apo kudo tjetër.

“UNICEF Kosova kurrë nuk ka hyrë në asnjë marrëveshje të tillë kontraktuale me OJQ-në ‘Rrugëtimi’”, thuhet në reagimin e UNICEF, transmeton Gazeta Fjala.

Me organizatën joqeveritare, e regjistruar si organizatë rinore “Rrugëtimi”, Gazeta Fjala nuk ka arritur të kontaktoj, pasi të dy numrat të cilët janë deklaruar në Ministrinë e Administratës Publike nuk janë të personave anëtar të kësaj organizatë.

Edhe adresa e zyrës në Kalabri të cilën e kishin deklaruar themeluesit e kësaj OJQ-je, nuk ekziston.

“Unë këtu banoj por kurrë s’paskam dëgjuar për të”, shprehet i habitur një banorë i kësaj lagjeje.

Ndërkaq, në Komunën e Obiliqit nuk pranojnë se u mashtruan, por sipas zyrtarit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në këtë komunë, Burim Gërguri kërkesa për ndërtimin e çerdhes ka ardhur nga vetë organizata.

Gërguri thotë për Gazetën Fjala se komuna nuk është në dijeni nëse UNICEF është në njohuri për mosfunksionimin e çerdhes.

“Po shpresoj shumë që është në dijeni për këtë nga ana e organizatës rinore”, thotë ai.

Komuna po ashtu nuk është në dijeni edhe për shumën e donacionit që sipas organizatës është dhënë nga UNICEF.

Në marrëveshjen e nënshkruar me kryetarit të Obiliqit dhe përfaqësuesit të “Rrugëtimit thuhet se për këtë projekt komuna ka ndarë 10 ari tokë në lokacionin Obiliqi i Vjetër.

Ndërsa punët për ndërtim ishte kontraktuar t’i kryej ndërmarrja ndërtimore “Prishtina”, e cila dyshohet se nuk i mori asnjëherë paratë për punën që bëri.

Përfaqësuesi i kësaj ndërmarrjeje Adem Berisha, nuk ka pranuar të jap asnjë përgjigje, e as lidhur me kryerjen apo jo të obligimeve nga ana e organizatës për punimet e kryera.

Berisha është shprehur se për të gjitha mund të jap përgjigje komuna.(Alberta Hashani) /Gazeta Fjala/.

20141117100458783646

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mashtrimet-e-rrugetimi-lene-pa-cerdhe-obiliqin-e-ferizajn/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala