Mashtrimet e liderëve kosovarë me viza (FAKTE)

Autori:Arjeta Shabani

liberalizimi1-780x439

Liberalizimi i vizave ka mbetur çështje javësh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008-ës.

Secili prej liderëve kosovarë, që nga ajo kohë kanë dhënë premtime se kur do të ndodhë liberalizimi, por këto premtime nuk janë realizuar asnjëherë.

Kosovarët vazhdojnë të mbeten të izoluar, shkruan Infokusi.com.

I pari që filloi me dhënien e afateve për liberalizim, ishte Hashim Thaçi. Ai nga pozita e kryeministrit, në 2010-ën kishte premtuar se për 15 muaj kosovarët do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Tashmë Thaçi është bërë President i vendit, e premtimi i tij po i “mbushë” 8 vite, por ende s’ka liberalizim.

Më larg se Thaçi, kishte shkuar ish- Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Ai e kishte konsideruar si të kryer këtë punë.

Madje, Çollaku pati hapur edhe shampanjë për ta festuar liberalizimin e vizave qysh më 4 maj të vitit 2016. Që nga ajo kohë janë bërë afro 2 vite, por Kosova ende nuk e gëzon këtë të drejtë.

“PA VIZA-2016 – Më në fund, ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook me 4 maj të 2016.

bekim qollaku

Në po të njëjtën ditë me Çollakun, qytetarët i kishte uruar edhe ish-Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë Mustafa, Arban Abrashi.

Abrashi kishte postuar më 4 maj të vitit 2016, një foto bashkë me Kryeministrin Mustafa, dhe me një mbishkrim, ai i uronte kosovarët për liberalizimin që nuk erdhi kurrë.

“Urime liberalizimi, Urime Kosovë! Me MSA dhe liberalizim, perspektiva evropiane merr kuptim të plotë”, kishte shkruar Abrashi në një postim në Facebook.

Arban Abrashi

Afatet e liderëve kosovarë për liberalizim, nuk mjaftojnë këtu. I fundit që ka dhënë premtim është Kryeministri i tanishëm i vendit, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, gjatë kohës sa ishte mandatar për Kryeministër i koalicionit PAN, më 30 maj kishte premtuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 90 ditëve.

“Edhe sot e përsëriti këtë Zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën”, kishte shkruar Ramush Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Por, Qeveria Haradinaj po i afrohet 200 ditëshit të punës, e Kosova vazhdon të jetë e izoluar.

Se të gjitha premtimet për liberalizim të vizave nga liderët ishin vetëm sa për të thënë dhe se Kosova është larg këtij procesi, këtë e konfirmoi të mërkurën edhe vet Ministria e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ajo ka pranuar se Kosova është prapa me reforma në shumë fusha dhe është arritur që vetëm 30 për qind të plotësohet MSA-ja. Kur foli për ERA-n, tha se nga 22 prioritete, vetëm 1 është plotësuar.

Ndryshe, këto deklarime të Hoxhës vijnë pas miratimit të “Strategjisë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunim më të madh të Bashkimit Evropian në atë rajon”, nga Komisioni Evropian.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë shpalosur këtë strategji për Ballkanin, por s’ka asgjë të re për shtetin e Kosovës

Në këtë strategji, Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar në rrugën e saj evropiane, kur rrethanat objektive lejojnë.

“Progresi në rrugët evropiane të Serbisë dhe të Kosovës është i lidhur ngushtë me progresin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme normalizimi është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, shpjegon strategjia për Ballkanin./INFOKUSI/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/mashtrimet-e-lidereve-kosovare-me-viza-fakte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala