Ky është Programi i Qeverisë për katër vitet e ardhshme

Autori:Gazeta Fjala

qeveria-haradinaj-2-840x420

Ramush Haradinaj pas 13 viteve është kthyer serish si kryeministër në Qeverinë e Kosovës. Kësaj radhe duket se ka vendosur synime shumë më të mëdha se në vitin 2004 kur si shef i ekzekutivit kishte qëndruar vetëm 100 ditë.

Në Programin Qeverisës të cilën e ka siguruar Gazeta Fjala, Qeveria e re parasheh që Kosova të marr statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE deri në vitin 2021 dhe brenda mandatit shteti më i ri në Evropë të anëtarësohet në NATO.

Megjithatë shumë pak të dhëna janë dhënë në program për fatin e ushtrisë së Kosovës.

Ndërkaq, ambiciet janë që brenda periudhës katër vjeçare rritja ekonomike të shkojë deri në 7 për qind dhe vendi të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit natyror.

“Në këtë mandat qeverisës do të targetojmë rritje të qëndrueshme ekonomike me normë mesatare prej 5 deri në 7 për qind. Për të arritur këto norma që tejkalojnë substancialisht mesataren e  viteve të fundit, Qeveria do të fokusohet në implementimin me sukses të reformave që kanë ndikim direkt në përmirësimin e ambinetit ekonomik, fiskal dhe financiar”, thuhet në programin e qeverisë.

Si pikë të rëndësishme të punës së tij Haradinaj e ka parë edhe sundimin e ligjit. Në këtë program thuhet se të korruptuarit do të ballafaqohen me ligjin.

“Objektiv i Qeverisë sime është që në mandatin katër vjeçar të korruptuarit dhe rrjetet kriminale të ballafaqohen me fuqinë e shtetit ligjor. Ne do ta ndryshojmë dhe avancojmë kornizën ligjore në fushën penale dhe do të zhvillojmë rishikimin e plotë dhe funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit”.

Në këtë kuadër,  siç bëhet e ditur  Kosova të themelojë Byronë Nacionale të Hetimeve dhe do të ndërtohet procesi i ri i verifikimit të sigurisë (vetingut), porse shumë më përmbajtjesor dhe të plotë në krahasim me atë të vitit 2009.

“Pasuria e fituar në aktivitetet kundër-ligjore do t’i kthehet të mirës publike”.

Në këtë Program është pranuar edhe fakti se në Gjykatat e Kosovës janë qindra mijëra lëndë të pazgjidhura.  Mirëpo, siç paralajmërohet kjo gjendje do të ndryshojë.

“Kjo gjendje nuk guxon të vazhdojë më dhe do të përfundojë përmes rritjes së kapaciteteve profesionale, buxhetore dhe efikasitetit në Gjyqësor. Institucionet e zbatimit të ligjit të reformohen dhe avancohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e transnacional, ndërsa menaxhimi i kufirit do të arrijë standardin evropian”

Qeveria do të angazhohet që të anëtarësohemi me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale në fushën e sigurisë.

Kosova shtet konditat në BE në vitin 2021

Edhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është cilësuar si prioritet i madh në Qeverinë Haradinaj.  Në këtë Program thuhet se  Kosova do të bëhet BE, duke kryer me përkushtim detyrat e shtëpisë në të mirë të jetës së secilit qytetar të Kosovës.

“Ne synojmë marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE deri në vitin 2021. Do të përmbushim kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave dhe do të zbatojmë në tërësi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA)”.

Edhe anëtarësimi në NATO do të synohet të bëhet brenda mandatit.

“Kosova, pa asnjë dilemë, synon anëtarësimin në NATO. Po ashtu, prania e vazhdueshme e NATO-s në Kosovë është siguri dhe mundësi shtesë për shtetin, dhe qytetarët e Kosovës. Ne do të transformojmë FSK-në në FAK në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, duke siguruar kështu vazhdimin e përkrahjes së plotë në profesionalizimin e forcave tona të armatosura sipas standardeve të NATO-s”.

Punësimi i një anëtari për çdo familje

Identifikimi i familjeve pa asnjë anëtarë të punësuar dhe zbatimi i programeve dhe projekteve aktive të tregut të punës dhe ndërhyrjeve tjera me qëllim të zvogëlimit dhe tranzicionit të familjeve që marrin ndihma sociale të kategorisë së II-të nga skema e asistencës sociale në punësim të qëndrueshëm, do të jetë njëri nga prioritetet e Qeverisë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të Qytetarëve.

Përmes kësaj mase synohet të kursehet buxheti i shtetit për asistencë sociale dhe të rritet buxheti për politikat aktive të tregut të punës. Efekt tjetër pozitiv thuhet se është aktivizimi i fuqisë punëtore e cila është pasive për shkak të papunësisë dhe njëkohësisht përfiton asistencë sociale.

“Përmes programeve aktive të tregut të punës në kuadër të secilit program apo projekt që zbatohet të ketë një numër të caktuar të familjeve dhe personave nga kategoria e II-të e ndihmave sociale ose të implementoj programe dhe projekte enkas për angazhimin e kësaj kategorie”.

Në program thuhet se do të hartohen dhe zbatohen politika të ndryshme aktive të tregut të punës me qëllim të realizimit të tranzicionit nga skema e asistencës sociale kategoria e II-të në rritjen e aftësive dhe shkathtësive për tregun e punës me qëllim integrimin e plotë të anëtarëve të këtyre familjeve në tregun e punës.

Arsimi dhe shëndetësia në nivel dëshpërues

Në shëndetësi dhe arsim qeveria e re planifikon reforma të thela për të ndryshuar situatën ekzistuese.

“Jam thellësisht i brengosur për gjendjen e shëndetësisë në vend. Të pakënaqur janë edhe qytetarët edhe punëtorët shëndetësor, pa mohuar kontributin individual të punonjësve shëndetësor”, shkruan në hyrje të programit të Qeverisë Haradinaj.

“Qëllimi im i parë”, thotë Haradinaj, ështe sigurimi i mbrojtjes shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, arsimi rsimi në Kosovë, sipas tij është në një shkallë dëshpëruese të zhvillimit të tij.

“Duke mos mohuar asnjë përpjekje që është bërë gjatë këtyre viteve në këtë fushë, arsimi në Kosovë ka nevojë për reformim rrënjësor, në të gjitha nivelet e tij.

Është koha e fundit që arsimi i lartë të mos funksionojë si biznes dhe universitetet të mos shndërrohen në institucione për prodhimin e njerëzve me diplomë”.

Pasuritë nëntokësore, prioritet

“Kosova është njëri ndër vendet më të pasura në Europë me pasuri nëntokësore. Prioritet do të jetë shfrytëzimi i potencialeve të brendshme – resurset njerëzore që kemi së bashku me resurset mbitokësore dhe nëntokësore”, thuhet në programin qeverisës në të cilin synohet që përmes sektorit të energjisë dhe sektorit minerar t’ë kthehen këto resurse në gjenerator të fuqishëm të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Do të sigurojmë në vazhdimësi përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes; avancimin e mëtejmë të  politikave tregtare; Mbrojtjen e produkteve vendore; dhe Rritjen e rezervës shtetërore të mallrave, duke përfshirë edhe produkte të reja”.

Përveç kësaj parashihet zhvillimi i zonave ekonomike; përmirësimi i qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes krijimit të lehtësirave financiare dhe ligjore.

“Rëndësi të veçantë do të kenë politikat zhvillimore për turizmin rural dhe agro-turizmin; si dhe zhvillimin e resorit turistik multi-funksional “Brezovica””, thuhetnë programin të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Ndërkaq, buxheti i rritur për bujqësinë parashihet të shpenzohet në subvencionim direkt, në rritjen e fondeve për zhvillim rural; mbështetjen e kërkimeve bujqësore dhe rritjen e njohurive profesionale si në bujqësi, blegtori dhe tregtim; mbështetjen e vazhdueshme të tregut nëpërmjet subvencionimit të bujqësisë dhe blegtorisë; zhvillimin e shërbimeve këshillimore si dhe përmirësimin e infrastrukturës rurale./Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/ky-eshte-programi-i-qeverise-per-kater-vitet-e-ardhshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala