Ku mbeten 400 milionët e buxhetit?

Autori:Agon Sinanaj

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds a wad of 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger  (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS) - RTX11V1O/ izvorno ime datoteke: RTX11V1O.jpg

 

Nuk janë vetëm prodhuesit e ujit që u falen nga shteti. Me vite të tëra, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka vepruar as ndaj gurëthyesve, atyre që shkatërrojnë lumenjtë e as ndaj operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.

Ish-punëtori i Ministrisë së Mjedisit, Besim Dobruna, po pretendon se si pasojë e kësaj neglizhence të kësaj ministrie, buxheti i Kosovës është dëmtuar për 400 milionë euro, për periudhën 2009-2017.

Dobruna, i cili deri me 2015 ka qenë pjesë e MMPH, ka prezantuar dokumente përmes të cilave ai pretendon se brenda kësaj ministrie gjithë këto vite ka ekzistuar një skemë e mashtrimit, ku përfitues kanë qenë vetëm operatorët privat dhe njerëz të lidhur me ta.

“Supozimi i analizës për periudhën 2008-2015 është që me mosveprim të MMPH-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar 150-200 milionë euro dhe në favor të operatorëve. Ndërsa prej 2009-2017 buxheti është dëmtuar mbi 400 milionë euro nga MMPH”, thuhet në analizën “Shpërdorimi i resurseve natyrore”, e realizuar nga instituti INECO, e cila drejtohet nga Dobruna.

Me legjislacionin në fuqi, Ministria e Mjedisit duhet të vendos taksë për operatorët që i kanë shpërdoruar resurset natyrore. Por kjo sipas Dobrunës nuk ka ndodhur as në rastin e ujit e as në rastin e gurëthyesve, e as tek dëmtuesit e lumenjve e operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.

“Në MMPH ekziston një grup i organizuar kriminal duke dëmtuar resurset natyrore, mjedisin dhe shëndetin e popullatës”, thotë Dobruna, i cili tashme ka ushtruar kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të kësaj ministrie, përfshirë këtu edhe ministra dhe akterë tjerë me ndikim brenda Ministrisë së Mjedisit.

mmph 3

 Të hyra qesharake nga taksat e MMPH

Dobruna ka prezantuar edhe një analizë të kryer më herët nga vet Ministrie e Mjedisit, e cila tregon sesi në Kosovë po shpërdorohen resurset natyrore me të madhe, ndërkohë dëmtuesit nuk po paguajnë taksën sipas ligjit.

Sipas kësaj analizë, realizimi i i kompensimeve apo të hyrave nga taksat që aplikon Ministria e Mjedisit është vetëm 0,25 për qind krahasuar me të hyrat që realizon Komisioni për Miniera dhe Minerale.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk i ka përcaktuar me akt nënligjor kompensimet/taksat për ndotjen e ajrit”, konstaton Dobruna.

Ndërkaq, në hulumtimin e tij Dobruna ka krahasuar efikasitetin e Ministrisë së Mjedisit në inkasim me Komisioni e Pavarur për Miniera dhe Minerale e cila menaxhon me resurset e linjitit.

Kështu Ministria e Mjedisit, për periudhën 2012-2015, nga taksat ka inkasuar afër gjysmë milioni euro, ani pse bazuar në dëmet që janë shkaktuar nga operatorët kjo shumë përllogaritet të jetë qindra miliona euro.

“Gjoba administrative për vitin 2011-2015 me vlerë prej 700 euro”, thuhet në analizë.

Nga ana tjetër gjendje krejt tjetër është më KPMM-në. Kjo agjenci nga inkasimi i rentës minerare, për periudhën 2013-2015, ka inkasuar gjithsej 139 milionë euro.

Fshehja e  dokumenteve nga MMPH

Në analizën e Ministrisë së Mjedisit, Dobruna ka gjetur së mungojnë një serë dokumentesh të nevojshme për gjendjen e sektorëve të ndryshëm. Kështu vetëm tek sektori i ujit nuk ekzistojnë shumë dokumente të nevojshme

“Lista e lejeve ujore për shkarkim të ujit nuk ekziston për vitet 2011-2015. Lista e kompanive me obligime të pashlyera për vitet 2011-2015 nuk ekziston. Lista e propozimeve për përmbarim për vitet 2012-2015 nuk ekziston. Lista e kallëzimeve penale për vitet 2011-2015 nuk ekziston”.

Ndërkohë krahasuar me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Dobruna ka gjetur se të gjitha këto dokumente ekzistojnë.

Se pse këto dokumente nuk mund ti prezantoj MMPH ai thotë se ka të bëj kryekëput me fshehje të gjurmëve për keqpërdorimet disa vjeçare që janë bërë në këtë ministri.

Skema që ka funksionuar brenda MMPH

Gazeta Fjala ka raportuar së fundit se një grup i mirë organizuar brenda Ministrisë së Mjedisit dhe bizneseve të ujit kishin përgatitur ndër vite skenarin që po e zbaton kryeministri Haradinaj.

Në një përgjigje nga zyra e të parit të ekzekutivit për Gazetën Fjala thonë se kërkesa erdhi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Besim Dobruna, ish zyrtarë i lartë në departamentin e ujërave në MMPH rrëfen për Gazetën Fjala se deri në këtë pikë ka ardhur pas një plani të përgatitur mirë.

Pjesë e tij dyshohet të jenë edhe ish ministri Dardan Gashi tani zëvendës kryeministër dhe ministër i diasporës në qeverinë Haradinaj, ish ministrat Ferid Agani e Ferat Shala të cilët nuk kanë ndërmarrë asgjë për të inkasuar borxhet milionëshe.

Ndërkaq sekretari i ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku bashkë me ish-drejtorin e departamentit e ujërave në MMPH, Naser Bajraktari dyshohet të jetë lidhja kryesore me biznesmenët e ujërave lidhur me milionat që u janë falur këtyre të fundit. Si të përfshirë në këtë skenar Dobruna ka përmendur edhe emrin e Bedri Halimit, Drejtor i Inspektoratit në MMPH.

Ndaj gjithë këtyre është ushtruar kallëzim penal para dy vitesh nga Dobruna.

Me Ligjin për Ujërat e Kosovës, MMPH obligohet që të lëshojë vendime financiare për të gjitha kompanitë e ujërave që janë të pajisura me licencë. Vendimi financiar lëshohet me qëllimin që ministria ta mat sasinë e ujit që shfrytëzohet dhe në bazë të kësaj ti përcaktoj pastaj borxhet.

Por, siç ka rrëfyer Dobruna për Gazetën Fjala asnjë vendim financiar nuk iu ishte lëshuar kompanive nga kjo ministri, duke e dëmtuar kështu buxhetin e Kosovës miliona euro. /Gazeta Fjala/.

mmphhhh 2

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/ku-mbeten-400-milionet-e-buxhetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala