Kryeministri Haradinaj ua shkel të drejtat punëtorëve

Autori:Arjeta Shabani

tmp_17539-ramush_haradinaj793456965

E shtuna dhe e diela janë ditët më të ngarkuara për Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe stafin e tij.

Përfaqësues të institucioneve e të bizneseve, sportistë e madje edhe familjarë e vizitojnë atë gjatë vikendit në zyrën e tij. Kur nuk pret “mysafir”, Haradinaj i gjenë punë vetes në terren, shpesh deri në orët e vona të natës.

E për tërë këto aktivitete të kreut të Qeverisë së Kosovës, në “këmbë” rri një armatë e tërë zyrtarët të shtetit, të cilët përveç lodhjes nuk marrin ndonjë cent shtesë për këto dy ditë pune.

Si me Ligjin e punës ashtu edhe me atë për Shërbyesit Civil, stafi civil dhe ai politik duhet të kompensohen për punën që bëjnë.

Por, Haradinaj duket se nuk pyet shumë për ligjet dhe të drejtat e të punësuarve në kabinetin e tij kur bëhet fjalë për punë dhe prezencë mediale.

“Të shtunën dhe të dielën punon vetëm zyra e kryeministrit, përkatësisht kryeministri dhe stafi politik dhe për këtë askush nuk përfiton asnjë euro-cent shtesë”, konfirmon për Gazetën Fjala, drejtori i zyrës për informim në kabinetin e Haradinajt, Halil Matoshi.

Por, ai nuk thotë asnjë fjalë për zyrtarët tjerë jo politik, të cilët obligohen të angazhohen edhe jashtë orarit në kundërshtim me ligjin e punës.

Gazeta Fjala ka përcjellë aktivitetet e Zyrës së Kryeministrit dhe ka parë se gjatë gjithë kohës përveç stafit politik, gjatë vikendit dhe në aktivitetet pas orarit zyrtarë të punës është angazhuar sëpaku edhe një zyrtarë jo politik.

Në Ministrinë e Punës mezi flasin për këtë çështje 

Në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale mezi flasin për shkeljet e mundshme të të drejtave të punëtorëve nga kryeministri i Kosovës.

Pas më shumë se dy javësh, ata janë përgjigjur për Gazetën Fjala se nuk është në kompetencat e tyre që të përgjigjen se a kompensohet puna e këtyre apo jo, duke ia hedhur kështu përgjegjësinë Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës.

Në MPMS kanë thënë se puna gjatë vikendit për këta zyrtarë është e rregulluar me Ligjin për Shërbyesit Civil.

“Duke iu referuar nenit 56, paragrafit 2,  pika 2.5 të Ligjit të Punës, për shërbyesit civil nuk aplikohet kjo dispozitë. Kjo çështje rregullohet me Ligjin për shërbyesit civil, mbikëqyrjen e të cilit e bën Komisioni i Pavarur Mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjet e Musa Demirit nga MPMS-ja, drejtuar Gazetës Fjala.

E neni të cilit i është referuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, parasheh se të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë edhe për 50 për qind në orë për punë gjatë fundjavës.

“…Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe  Kontratën e Punës. 2. Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë … 50 për qind në orë për punë gjatë fundjavës”, parasheh Ligji për Shërbyesit Civil.

Se nëpunësve civilë duhet tu kompensohet puna gjatë ditëve të vikendit, kjo është e  rregulluar edhe me ligjin për pagat e shërbyesve civilë, përkatësisht me nenin 21 të këtij Ligji, në të cilin thuhet se “Nëpunësit civilë kanë të drejtë të marrin kompensim me pagesë për punë jashtë orarit ose kohë të lirë kur institucioni punëdhënës kërkon nga ta që të punojnë jashtë orarit, në rrethanat e përcaktuara me Ligjin e Shërbimit Civil.”

“50% shtesë të pagës bazë për orë të plotë për punën gjatë fundjavës”, thuhet në Ligjin për Pagat e Shërbyesve Civilë.

Avokati i Popullit: Punëtorët duhet të kompensohen

Se a përbën shkelje të të drejtave të punëtorëve, moskompensimi i punës gjatë vikendit, Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit për të marrë qëndrimin e tij.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë po ashtu se me Ligjin për Shërbimin Civil, parashihet puna jashtë orarit dhe mënyra se si bëhet kompensimi.

“Ligjin për shërbimin civil, i cili rregullon statusin e nëpunësve civilë, si dhe marrëdhënien e tyre të punës në institucionet e administratës qendrore dhe komunale , parasheh edhe punën jashtë orarit dhe mënyrën se si bëhet kompensimi (ju lutem referojuni Ligjit  për shërbimin civil  https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2679 )”, ka thënë Jashari për Gazetën Fjala.

Jashari ka deklaruar se edhe punëdhënësi, edhe punonjësi janë të obliguar të respektojnë obligimet ligjore, si dhe ka thënë se cilido nëpunës civil që po i shkelen të drejtat duhet t’i shfrytëzojë mjetet juridike të parapara me ligj.

“…secili nëpunës civil, që e konsideron se po bëhet ndonjë shkelje ligjore ndaj tij, duhet të shfrytëzoj mekanizmat e ankimimit dhe mjetet juridike të parapara me ligj.

Ndërsa, Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Gazetën Fjala se stafi politik i punës mund të ketë kontrata specifike, dhe se në to mund të përshkruhen specifikat për orët shtesë të punës dhe kompensimit për këto orë pune.

“Stafi politik mund të këtë kontrata të punës specifike, të cilat nuk janë kontrata te zakonshme të punës edhe se në to mund të përshkruhet edhe angazhimi edhe specifikat për orë shtesë të punës, kompensimit material apo dhe kompensimit me orë/ditë të lira”, ka thënë Kryeziu./Gazeta Fjala/.

Haradinaj bie ndesh me deklaratat e partisë së tij

Deklarimet që i bëri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rastin e ditës së punëtorëve po këtë vi, duket se i ka harruar vet kreu i kësaj partie, tashmë Kryeministër Ramush Haradinaj.

Në një komunikatë të AAK-së, thuhej se të drejtat e punëtorëve fillojnë të shkelen qysh nga momenti i punësimit.

“Punësimi bëhet pa kontrata të punës, me orare të stërzgjatur 10-12 orë, duke mos u kompensuar puna jashtë orarit të punës. Punëtorit i ndërpritet marrëdhënia e punës pa paralajmërim nga punëdhënësi”.

Madje, ata kishin reaguar se si punëtorëve nuk iu respektohet pushimi javor, dhe kishin fajësuar Inspektoratin e Punës për neglizhence.

“Punëtorët në vend ballafaqohen edhe me mos respektim të pushimit javor dhe vjetor, e për më keq nga gjithë kjo që u tha më lartë qëndron sektori privat , ku përveç tjerash në këtë sektor nuk kanë as sindikata për të drejtat e punëtorëve e nuk ka as nivel angazhimi nga inspektorati i punës dhe neglizhenca e këtij inspektorati ne kryerjen e detyrave për të cilat e obligon ligji e vështirëson edhe më shumë respektimin e të drejtave te punëtorëve dhe në njëfarë mënyre i kontribuojnë shkeljes të të drejtave të punëtorëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga AAK më 1 maj të po këtij viti. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kryeministri-haradinaj-ua-shkel-te-drejtat-punetoreve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala