Kosovarët me telefona kinez

Autori:admin

telefon

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mund t’i ketë kontribuar Koresë së Jugut, Kinës dhe Vietnamit me telefonin personal që përdor. Edhe stafi i tij gjithashtu.

Të gjithë pa e ditur ka shumë gjasë që po ndihmojnë në shtimin e buxhetit të këtyre shteteve të largëta aziatike duke blerë telefon me origjinë nga to.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vetëm për shtatë muaj të këtij viti nga Koreja janë importuar 3,348 telefona.

Ndërsa numri më i madh i modeleve më të reja të telefonave të mençur gjatë kësaj kohe ka origjinë nga Kina. Nga ky vend, janë importuar 29 mijë telefona të tillë, ndërsa nga Vietnami 26 mijë.

Bazuar në këto të dhëna del se nga 60 mijë telefona sa janë importuar këtë vit mbi 90 për qind e tyre kanë origjinë nga shtete aziatike.

 129 mijë telefona hynë në Kosovë për dy vite

Se kosovarët janë meraklinj të markave më të reja të telefonave mobil, flasin edhe statistikat. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në dy vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë 129 mijë e 856 telefona mobil.

Vlera monetare e tyre arrin afër 13 milionë euro.

Prej shteteve Kina del të jetë vendi prej të cilit importohen më së shumti telefona. Kështu nga shteti aziatik në vitin 2016 janë importuar 41 mijë e 88 telefona mobil, në një vlerë prej 3.4 milionë euro. Kina prin edhe në importin e këtij viti.

Sivjet prej atje janë importuar 29 mijë e 708 telefona mobil, me një vlerë prej 2 milionë e 807 mijë euro. Vendi i dytë i përket Vietnami.

Nga ky shtet sivjet janë importuar 26 mijë e 737 telefona mobil. Vlera e tyre ka arritur në 3 milionë e 488 mijë euro. Pas Vietnamit vjen Koria e Jugut me 3 mijë e 348 telefona mobil gjatë këtij viti, më një vlerë monetare prej 435 mijë euro.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë importuar 171 telefona me vetëm 20 mijë euro vlerë. Ndërkaq, me vendet e rajonit pothuajse tregtia në këtë sektor është inekzistente.

Shembull vetëm nga Maqedonia gjatë këtij viti është importuar vetëm 1 telefon mobil.

Më shumë telefona se banorë

Numri i kosovarëve që përdorin telefon mobil është më i madh se sa është edhe numri i popullsisë. Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, ky numër ka arritur 1,981,365 përkatësisht për 13 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tre-mujorit të parë (TM1-2017) ka arritur në 1,981,365 përkatësisht për 13% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM1-2016) . Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraprak TM4-2016, numri i përdoruesve ka rënie 1.4% (ose 28,483 përdorues më pak”, thuhet në raportin e fundit të ARKEP.

Ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka shënuar rënie të lehtë në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa rritje krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016). Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 109.1% të numrit të popullsisë. (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/.

 

tell

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-me-telefona-kinez/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala