Kosovarët heqin dorë nga shtetësia

Autori:admin

azil

Kosovarët nuk po zgjedhin mjete për të ikur nga Kosova për një jetë më të mirë. Qoftë kjo edhe duke hequr dorë krejtësisht nga shtetësia si kosovarë.

Të dhënat që kanë institucionet për këtë janë shqetësuese.

Sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës deri në janar 2017 afro 40 mijë veta me dokumentacion nuk dëshirojnë të jenë më kosovarë.

Ata kanë përzgjedhur të bëhen shtetas të vendeve të ndryshme të botës por jo vendit nga e kanë origjinën.

Më saktësisht shtetësinë e Republikës së Kosovës, pas 17 shkurtit 2008 e kanë humbur me lirim 37 mijë 823 kosovarë, shkruan Gazeta Fjala.

Me këtë ritëm të  heqjes dorë nga nënshtetësia brenda 10 vjetëve Kosova llogaritet se do të ketë 100 mijë banorë më pak.

Ka shumë arsye se pse kosovarët heqin dorë nga shtetësia. Njëra nga to dhe më kryesorja, është papunësia dhe në përgjithësi kushtet e rënda ekonomike në Kosovë.

Megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme për Gazetën Fjala, ka përmendur dyshtetësinë si njërin nga shkaqet, e të cilin nuk e lejon Bashkimi Evropian.

“Duke pasur parasysh që shumica e shteteve të bashkimit evropian nuk lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e bashkimit evropian, atëherë shtetasit e RKS-së që kanë vendbanimin e rregullt në këto shtete në rast të plotësimit të kushteve për fitimin e shtetësisë së këtyre vendeve janë të obliguar të heqin dorë nga shtetësia paraprake dhe numri më i madh vjen nga Gjermania”, thonë nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në MPB.

Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet ku ka më së shumti kosovarë.

Por, si të tilla këto dy vende nuk e lejojnë dyshtetësinë.

Ndërkohë, procedura është shumë e thjeshtë. Divizioni për Shtetësi në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim këto kërkesa i shqyrton brenda një afati shumë të shpejtë e që në praktik është maksimumi 15 ditë. Arsyeja ka të bëjë me faktin që shumë shtete evropiane nuk lejojnë dyshtetësinë.

MSt: 511 të huaj bëhen kosovarë

Megjithatë nëse shihen të dhënat për të huajt që duan ta fitojnë shtetësinë e Kosovë, kjo në krahasim me kosovarët që heqin dorë nga shtetësia, është fare pak.

Për tri vitet e fundit, sipas të dhënave të MPB-së, vetëm 511 të huaj kanë fituar shtetësinë e Kosovës.

Kryesisht janë qytetarë që vijnë nga vende si Shqipëria dhe Turqia.

“Shqiptarë – 410; Turq – 10 dhe 91 persona nga nacionalitetet tjera”, thonë zyrtarët e MPB-së. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-heqin-dore-nga-shtetesia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala