Kosova një ditë pas zgjedhjeve

Autori:Gazeta Fjala

zgjedhjet-ne-kiosove-685x450

Rufki Suma nuk ka bërë asnjë ditë fushatë. Por, si kandidat i pavarur, për herë të tretë, ka fituar besimin e qytetarëve për ta udhëhequr edhe katër vjet Hanin e Elezit. Të hënën ai ka nisur punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë në komunën juglindore të Kosovës, ku nuk pati festë si në gjithë Kosovën për rezultatet zgjedhore të një dite më parë.

Gjithçka këtu është njëjtë, por shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës.

Prishtina, Ferizaji, Podujeve mesnatën e kaluar “digjnin” qiellin nga fishekëzjarret, për të festuar fitoren e kryetarëve që i pretë edhe një sfidë, balotazhi, për të marrë timonin e komunave.

Zgjedhjet e 22 tetorit, për njohësit e procesit, sollën shumë befasi.

Lidhja Demokratike e Kosovës sipas një vlerësimi të Besa Luzhës, njohëse e zhvillimeve politike, mbi analizën e realizuar nga Armend Muja, mund të konsiderohet fitues numerik i zgjedhjeve komunale 2017.

Kjo parti ka shënuar fitore më bindëse në komunat e saj ekzistuese mirëpo nuk ka arritur të rikthej ndonjë komunë të rëndësishme.

“VV ka dyfishuar shkallën e përfaqësimit në nivel komunal në të gjitha komunat”, thotë ajo.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në krahasim me vitin 2013 ka shënuar rezultate më të mira në përfaqësim komunal në Prizren, Klinë dhe Istog.

“Ne rast se krahasohet me 2013 ka shënuar rënie në të gjitha komunat tjera dhe numër të përgjithshëm të votuesve”, komenton Luzha, e cila në përgjithësi vlerëson se është vënë një standard i ri në procesin zgjedhor që tregon se vota është vërtetë e lirë dhe qytetarët po vetëdijesohen për fuqinë e votës së tyre.

Bekim Jashari kandidati më i votuar

Pas përfundimit të procesit zgjedhor për kryetarë komunash e për asamblistë të 38 komunave, nga 1,890,952 qytetarë me të drejtë vote në Kosovë, të drejtën e tyre për të votuar e shfrytëzuan 819,865 shprehur në përqindje 43,68 për qind.

Për sa i përket kandidatëve për kryetarë komunash, ishte Bekim Jashari, kandidat i pavarur në Skenderaj, që prinë me më së shumti përqindje. Jashari mori 13.111 numër të votave, ose 85.59 për qind.

Pas tij, në Gllogoc, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci mori 13.124 vota, 59.34 për qind.

Rufki Suma, kandidat i pavarur për Komunën e Hanit të Elezit, ka fituar 57.32 për qind të votave, ose 2.823 vota. Suma ka fituar këtë komunë pa balotazh, duke mposhtur kandidatët e PDK-së dhe LDK-së.

Ishte Gazmend Muhaxheri i LDK-së i cili në Pejë fitoi pa balotazh me 21.490 të votave, ose 50.35 për qind.

Nga rezultatet e deritanishme, nga 38 komuna në balotazh shkojnë: Prishtina, Gjakova, Gjilani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Ferizaj, Istogu, Obiliqi, Podujeva, Klina, Kaçaniku, Rahoveci, Shtimja, Suhareka, Vushtrria, Malisheva dhe Kllokoti.

Numër të madh të votave morën edhe në Prishtinë, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje me 32.999 vota, 43,85 për qind, dhe Arban Abrashi nga LDK me 27,361 vota, 36,36 për qind.

PDK disfatë në Prishtinë

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale kanë nxjerrë befasi në kryeqytetin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Prishtinës, Lirak Çelaj, ka pësuar disfatë në këto zgjedhje.

Ndryshe nga kandidati i kësaj partie, Agim Çeku në zgjedhjet e vitit 2013  që kishte marrë 9382 vota, Çelaj nuk ka arritur as gjysmën e tyre.

Të pritshme ose jo, disa prej kandidatëve nuk morën atë që menduan se do ta kenë. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, dikush mori pak më shumë e dikush mbeti njësoj.

Pati edhe të tillë që nuk e menduan, por shkuan në balotazh.

Kështu ka ndodhur me Shpend Ahmetin e Prishtinës. Pavarësisht se pati rritje të përqindjeve të votave që mori, Ahmeti nuk arriti ta rimarrë Prishtinën me të parën. Shkoi në balotazh me Arban Abrashin nga LDK-ja.

Kështu ndodhi edhe me Mimoza Kusarin. Madje, ajo është në garë të ngushtë me Ardian Gjinin e AAK-së.

Rezultatet e komunave tjera më të mëdha në Kosovë, ishin të përafërta me ato të vitit 2013.

Krahasimi mes rezultateve të vitit 2013 dhe të zgjedhjeve të fundit:

Shpend Ahmeti –   Viti 2013: 31,89 %  –  Viti: 2017- 43,42%

Gazmend Muhaxheri – Viti 2013:  40,97%  – Viti 2017: 50,35%

Agim Bahtiri (Mitrovicë e Jugut) – Viti 2013: 21.9 %  – Viti 2017: 27,03%

Mimoza Kusari (Gjakove) – Viti 2013: 43,95 %  – Viti 2017: 31,69%

Lutfi Haziri (Gjilan) – Viti 2013: 40,61 % –  Viti 2017: 43,33%

Agim Aliu (Ferizaj – PDK) – Viti 2013:  39,68% –  Viti 2017: 39,18%

Ramadan Muja (Prizren) – Viti 2013 37,23%  Shaqir Tolaj -Viti 2017 29,66%

Kush me kë shkon në balotazh dhe kush fitoi garën?

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të publikuara online, mund të dihet tashmë se shumica e komunave të mëdha do të shkojnë në balotazh për zgjedhjen e kryetarëve të rinj.

Derisa, në disa komuna, kryetarët janë zgjedhur qysh në raundin e parë të votimeve.

Nga të dhënat online, në shumicën e 38 komunave të Kosovës votat e numëruara arrijnë deri në 90 për qind.

Sipas të rezultateve preliminare 19 komuna janë në balotazh, po aq janë fituar në raundin e parë.

Në këto zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetarë komune apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale).

Komunat dhe kandidatët që shkojnë në balotazh:

Prishtinë: Shpend Ahmeti nga LVV dhe Arban Abrashi nga LDK.

Gjakovë: Ardian Gjini nga AAK dhe Mimoza Kusari Lila nga Alternativa.

Gjilan: Lutfi Haziri nga LDK dhe Sami Kurteshi nga LVV.

Mitrovica e Jugut: Valdete Idrizi nga PDK dhe Agim Bahtiri nga AKR.

Prizren: Shaqir Totaj nga PDK dhe Mytaher Haskuka nga LVV.

Ferizaj: Agim Aliu nga PDK dhe Muharrem Sfarqa nga LDK.

Istog: Haki Rugova nga LDK dhe Gani Dreshaj nga AAK .

Obiliq: Xhafer Gashi nga AAK dhe Mehmet Krasniqi nga LDK.

Podujevë: Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potetra nga LVV.

Klinë: Besim Hoti nga LDK dhe Zenun Elezaj nga AAK.

Kaçanik: Besim Ilazi nga PDK dhe Basri Kodra nga LVV.

Kamenicë: Qëndron Kastarati nga LVV dhe Shaip Surdulli nga LDK

Rahovec: Smajl Latifi nga AAK dhe Ibrahim Kryeziu nga LDK .

Shtime: Naim Ismajli nga PDK dhe Fatmir Rashiti – kandidat i pavarur.

Suharekë: Bali Muahrremaj nga AAK dhe Sali Asllanaj nga LDK.

Vushtrri: Ferit Idrizi nga PDK dhe Xhafer Tahiri nga LDK.

Malishevë: Ragip Begaj nga Nisma dhe Mursel Gashi nga PDK.

Dragash: Selim Kryeziu nga LDK dhe Shaban Shabani nga PDK.

Kllokot: Strahinja Spasiç Lista Serbe dhe Bozidar Dejanoviç nga GI.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së pa balotazh garën për kryetar komune e kanë fituar që në rrethin e parë të votimeve:

Pejë: Gazmend Muhaxhiri nga LDK.

Deçan: Bashkim Ramosaj nga AAK.

Fushë Kosovë: Burim Berisha nga LDK.

Skenderaj: Bekim Jashari – kandidat i pavarur.

Drenas: Ramiz Lladrovci nga PDK.

Han i Elezit: Rufki Suma – kandidat i pavarur.

Mitrovica e Veriut: Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Leposaviç: Zoran Todiç nga Lista Serbe.

Lipjan: Imri Ahmeti nga LDK.

Novobërdë: Svetislav Ivanociç nga Lista Serbe.

Shtërpcë: Bratislav Nikoliç nga Lista Serbe.

Viti: Sokol Haliti nga LDK.

Zubin Potok: Stevan Vuloviç nga Lista Serbe.

Zveçan : Vuçina Jankoviç nga Lista Serbe.

Junik: Agron Kuqi nga AAK.

Mamushë: Abdulhadi Krasniç nga KDTP.

Graçanicë: Srdjan Popoviç nga Lista Serbe.

Ranilug: Gradimir Mikiç nga Lista Serbe.

Partesh: Dragan Petkoviç nga Lista Serbe.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosova-nje-dite-pas-zgjedhjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala