Kosova mbushet me vetura të vjetra

Autori:Gazeta Fjala

veturat-1200x630

Qytetarëve të Kosovës u kanë mbetur edhe tre muaj kohë që të importojnë vetura të vjetra dhe t’i regjistrojnë. Kjo pasi nga janari i vitit 2018 nuk do të mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vite dhe se ato do të duhet të plotësojnë standardin e njohur si ‘euro katër’ .

E duket se këtë periudhë populli më i varfër në rajon po e shfrytëzon me të madhe, pavarësisht se këto vetura ndikojnë edhe në ndotjen e ambientit.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës që ka siguruar Gazeta Fjala, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë afër 27 mijë vetura, numri i veturave te reja ka qenë 2263, kurse vetura të përdorura kanë qenë 24000.

Mirëpo trendi i importit të veturave të vjetra pritet të shënojë rritje prej 20 për qind deri në fund të vitit.

Sipas Doganës së Kosovës deri në fund të vitit ky numër mund të shkojë në 30 mijë.

“Gjatë viti të kaluar kishim rreth 25000 copë vetura për gjithë vitin derisa tani trendi ka rritje prej 20%  më shumë se viti i kaluar, prandaj nëse vazhdon ky trend presim që deri në fund të vitit të kemi mbi 30.000 copë automjete”, ka thënë Stavileci për Gazetën Fjala.

Sipas analizave të Doganës së Kosovës, këto vetura kanë vjetërsi prej 8 deri në 13 vjet.

“ Gjatë vitit të kaluar me 13 vite përdorim në Kosovë kanë hyrë 2 mijë e 921, ndërsa këtë vit 2 mijë e 113 vetura.”

Por, nuk mungon edhe importi i veturave të reja. E në rritjen e importit të këtyre veturave, ndikim të madh del të ketë pasur edhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Nga 20026 copë vetura të importuara  afër 2200 janë automjete të reja, vlen të theksohet se që nga futja e Kosovës në marrëveshjen e MSA-së kemi rritje të importit të veturave të reja me mbi 100% në krahasimet me vitet para MSA-së”, ka shtuar Stavileci.

Kjo pasi që veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.

Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët. Të gjitha veturat në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, kurse çmimi varet nga marka dhe viti i prodhimit të veturës.

Këto vetura u nënshtrohen disa kontrolleve doganore.

“Dogana aplikon kontroll në aspektin e vlerësimit, tarifimit dhe përputhjes së deklarimit të palëve me gjendjen faktike të veturës me qëllimin e mbledhjes adekuate të taksave doganore”, ka thënë Stavileci për Gazetën Fjala.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Ndërsa, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 7 mijë 680 vetura, këtu përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vazhdimet, ri -regjistrimet dhe legalizimet.

Gjermania, importuesi më i madh

Kosovarët siç duket janë të pasionuar pas veturave që importohen nga Gjermania. Rreth 75% e të gjitha automjeteve të importuara janë me origjinë Gjermane.

Tipi i cili dominon është ai dizel. Gjithsejtë 12 mijë e 855 vetura të përdorura të këtij tipi kanë hyrë nga Gjermania në Kosovë gjatë vitit 2015. Vlera totale e tyre arrin mbi 31 milionë euro.

Vendi i dyte nga i cili importohen vetura për në Kosovë është Franca me rreth 1 mijë e 228 vetura. E vendet për të cilat kosovarët nuk kanë interesim për t’i përdorur veturat e tyre, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës po del të jenë, Austria, Meksiko, Belgjika, shkruan Gazeta Fjala.

Në anën tjetër, edhe mesatarja e veturave që janë në shitje në tregun e Kosovës është mjaft e vjetër. Sipas të dhënave që ofron gjirafa.com, në tregun e Kosovës janë në shitje mbi 37 mijë vetura.

Sa i përket kilometrave të kaluara, del se mesatarja e kilometrave të kaluara të veturave në shitje në Kosovë është 126,669 – 162,481 kilometra. Kjo tregon se veturat që janë në shitje në tregun e Kosovës janë kryesisht të vjetra dhe mjaft të konsumuara.

Kur i shtohet kësaj fakti se mesatarja e vjetërsisë së veturave të regjistruara edhe ashtu është mjaft e lartë (18.1 vjet), del se përveç pasojave në ambient dhe në trafikun rrugor, Kosova mund të përballet edhe me një sasi të madhe të skrapit në vitet në vazhdim.

Ne Kosovë janë 1116 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VË, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMË dhe Daimler Benz.

Ligji i ri: Pa patentë shofer s’ka regjistrim të veturave

Ligji për importin e automjeteve është ndryshuar disa herë. Fillimisht u lejua të importoheshin automjete deri në 8 vjet të vjetra, pastaj më 2011 u shtua deri në 13 vjet, për t’u hequr i tëri tash e disa vjet.

Mirëpo me ligjin e ri, jo çdo kush tani mund të ketë veturë në pronësi. Kjo pasi që ligji i ri për automjete që ka hyrë në fuqi më 27 qershor 2017, ka sjellë ndryshime në disa norma për regjistrimin e automjeteve.

Këto ndryshime në normat për regjistrimin e automjeteve i ka bërë të ditura Ministria e Punëve të Brendshme, në përgjigjet e saj për Gazetën Fjala.

Në bazë të këtij ligji detyrimisht pronari i automjetit, me rastin e regjistrimit duhet të posedoj patentë-shofer. “Përdoruesi i mjetit ose bartësi i të drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret”, thuhet në ligjin për automjetet.

Ata që kanë gjoba të pa paguara në komunikacion do të duhet t’i paguajnë, ndryshe nuk do të mund ta regjistrojnë veturën. Me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë. “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

Tani, pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistroi automjetin.

Por, edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.

Me këtë ligji po ashtu është bërë e ditur se pronari i mjetit duhet t’i ndërroj targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme. “Dënohet me gjobë nga njëqind (100) € personi i cili vepron në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni”. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosova-mbushet-me-vetura-te-vjetra/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala