Kosova eksporton shërbime 904 milionë euro

Autori:Gazeta Fjala

call-center-office-space-los-angeles

Kosova po shndërrohet në vend ‘parajsë’ për biznese vendore e të huaja që kanë për synim të kryejnë shërbime për kompani të huaja. Fuqia e lirë punëtore dhe taksat e ulëta ka bërë që kompani nga profile të ndryshme ta shohin Kosovën si vend ideal për të kryer biznes.

Posaçërisht në sektorin e teknologjisë informative. Kompanitë kosovare eksportojnë në vit shërbime në vlerë miliona euro për kompani të huaja botëerore, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo e ka bërë vitin 2016 si më të frytshmin në tregtinë e shërbiemve.

Sipas raportit të fundit të BQK-së, plotë 904 milionë euro ka qenë vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara nga janari deri në shtator të 2016-s.

“Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 526.8 milionë euro deri në shtator të vitit 2016, një rritje kundrejt periudhës së njëjtë të vitit paraprak prej 20.1 përqind. Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara në këtë periudhë shënoi rritje vjetore prej 8.6 përqind, duke arritur në 904.3 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Ndërkaq, për të njëjtën përiudhë, vlera e importit të shërbimeve shënoi rënie prej 4.2 përqind dhe arriti në 377.5 milionë euro.

Teknologjia informative lider në sektorin e shërbimeve

 Sektorët që prijnë në tregtinë me shërbime janë teknologjia informative dhe shërbimet e udhëtimit dhe transportit. Të dy këta sektorë patën rritje të aktivitetit përgjatë vitit 2016-të.

“Në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet e udhëtimit dhe shërbimet e transportit u karakterizuan me rritje vjetore prej 12.2 përkatësisht 13.8 përqind, përderisa kategoria e shërbimeve kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit shënoi rënie prej 17.9 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së.

Sa i përket importit të shërbimeve, shërbimet e transportit shënuan rënie prej 17.8 përqind ndërsa shërbimet e udhëtimit shënuan rritje prej 9.8 përqind.

52 “Call Center” të regjistruara në Kosovë

Në tregtinë e shërbimeve luajnë një rol të rëndësishëm bizneset që në Kosovë njihen si “Call Center”. Këto kompani kryejnë shërbime kryesisht për vende të huaja.

Në to punësohen kryesisht të rinj të profileve të ndryshme, edhe nga ata të cilët kanë përfunduar fakultete në drejtime të shkencave natyrore por që kanë vështirësi në gjetjen e punës në profesionin për të cilin janë të kualifikuar.

Sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK) janë gjithsej 52 ‘Call Centers’ të regjistruara në Kosovë. Nga to, 36 operojnë në Prishtinë, gjashtë në Prizren, dy në Pejë dhe përkatësisht Mitrovicë si dhe nga një në qytete të tjera.

Paga mesatare në to është 500 euro, pa përfshirë këtu bonuset që secili punonjës ka varësisht prej punës që kryen. Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh marrë parasysh ekonominë joformale në vend si dhe faktin që disa nga to regjistrohen si biznese telekomunikimi dhe të tjera bëjnë pjesë në kategorinë e bizneseve për qendra telefonike.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bëhet e ditur se deri në shtator të vitit 2015, këto biznese kanë paguar taksa shtetit në vlerë prej 27.843 euro. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosova-eksporton-sherbime-904-milione-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala