Kosova e paprekur nga mishi “kancerogjen” i Brazilit

Autori:Gazeta Fjala

mishi12

Kosova vazhdon të importojë mish nga Brazili, ani pse cilësia e produkteve me origjinë shtazore që vijnë nga ky vend është vënë në dyshim edhe nga vet autoritetet braziliane.

Autoritet braziliane muaj më parë kishin mbyllur tri impiante për përpunimin e mishit dhe 21 të tjera janë në shqyrtim për tu mbyllur, nën dyshimin se shisnin mish viqi dhe mish pule të kalbur dhe me përmbajtje kancerogjene.

Sipas hetimeve që kishin zhvilluar disa nga menaxherët e këtyre kompanive kishin korruptuar inspektorët dhe politikanët për të siguruar certifikimin e qeverisë për produktet e tyre.

Në skandalin për mishin e kalbur në Brazil, janë përfshirë më shumë se 30 kompani  që akuzohen për mungesë higjiene, mes tyre është dhe JBS, një prej eksportuesve më të mëdhenj në botë të mishit të viçit dhe BRF, prodhuesja më e madhe në botë për produktet e pulës, brende të së cilave mund të gjesh edhe në supermarketet e Kosovës.

“Ata përdornin acid dhe kimikate të tjera për të maskuar produktet e tyre. Në disa raste produktet që ata përdornin ishin kancerogjene. Në raste të tjera ata përdornin patate, ujë apo dhe karton përzier me mishin e pulës me qëllim që të rrisnin përfitime”, kishte thënë policia braziliane për media.

AUV: Mishi kontrollohet para se të hy

Por mundësinë që mish me cilësi të tillë të ketë hyrë në Kosovë, e përjashton zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaqi.

Ai për Gazetën Fjala ka thënë se mishi para zhdoganimit kontrollohet nga Inspektorët Veterinar Kufitar dhe se lejohet të hyjë vetëm nga thertoret dhe fabrikat të cilat janë të aprovuara për eksport në Bashkimin Evropian.

“Çdo ngarkese me produkte me origjinë shtazore kur importohet para zhdoganimit kontrollohet nga Inspektoret Veterinar Kufitar, po ashtu të gjitha produktet ushqimore që importohen ne Kosove  ne mënyre te rregullte  kontrollohen ne pikat doganore ku varësisht nga lloji i produktit i nënshtrohet kontrollit te inspektoreve përkatës.”

Thaqi ka thënë se procedurat e kontrollit në kufi vlejnë për të gjitha produkte dhe se për produktet ushqimore me origjinë shtazore nga Brazili lejohet të importohen vetëm nga thertoret dhe fabrikat të cilat janë të aprovuara  për eksport ne Bashkimin Evropian.

“Është obligative që dokumentacioni përcjellës i dërgesave ne pikat inspektuese kufitare  të jetë origjinal dhe sipas rasteve ai verifikohet ne bashkëpunim me autoritetin kompetent për ushqim  të shtetit ku është prodhuar produkti (vendit të origjinës).”

Ai ka thënë më tej se mishi që vjen në Kosovë vjenë nga thertore të licencuara nga BE ku për licencimin e tyre iu kanë nënshtruar kritereve te larta për siguri në prodhim dhe se pas raportimeve të fundit kanë pranuar informata se Brazili ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për produktet që eksporton.

“Tani për tani nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për ndonjë ndalesë qe është ndërmarrë nga ndonjë autoritet kompetent. Ne jemi gjithmonë ne kontakt me organizatat ndërkombëtare për siguri ushqimore dhe mbi secilin lajmërim qe marrim ne veprojmë konform procedurave dhe ligjeve ne fuqi”, ka thënë Thaqi për Gazetën Fjala.

SHBA-të dhe Brazli, eksportuesit më të mëdhenjë

Vendet prej të cilave importohet më së shumti mishi, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Brazili.

Sipas të dhënave që ka siguruar Gazeta Fjala nga Dogana e Kosovës, Kosova për dy vite e gjashtë muaj, ka importuar mbi 114 milionë kilogram mish nga vendet e huaja.

“Në vitin 2015 janë importuar 46, 588, 973 kilogram mish, 47,222,397 kilogram mish për vitin 2016 dhe 20,316,548 kilogram mish për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017”.

Vende të tjera prej të cilave importon mish Kosova janë edhe: Italia, Polonia, Paraguaji, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Por, cilësia e këtij produkti shpesh është vënë në dyshim. Madje më shumë për shkak të prejardhjes nga Brazili.

 Heshtja e shtetit mbi produktet e dyshimta

Dyshime serioze janë ngritur së fundi për ushqimet nga importi që konsumojnë kosovarët. Për nga cilësia që ato kanë, politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se nuk i plotësojnë asnjë nga standardet e kërkuara në tregjet evropiane.

Madje dyshohet se mallrat e destinuara për Kosovë prodhohen në linja të veçanta.

“Alarmante..”, e ka vlerësuar situatën ditë më parë kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

“Flitet se të gjitha mallrat ushqimore që destinohen për tu shitur në Kosovë, prodhohen nga linja të veçanta jashtë secilit standard”, kishte thënë Pacolli.

Mirëpo, me këto shqetësime nuk janë marrë fare institucionet kompetente të Kosovës.

Kaçaniku: Duhet të shqetësohemi

Ndërsa kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për Gazetën Fjala, se ka vend për shqetësime, pasi që institucionet nuk shqetësohen për problemet e qytetarëve të Kosovës.

Ai shprehet se Institucionet sikur harrojnë se konsumatori është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit, nga i cili këto institucione financohen.

“Institucionet e mekanizmat thonë se çdo prodhim, mall ose shërbim që i ofrohet tregut dhe qytetarit konsumator taksapagues   kontrollohet. Por, në anën tjetër të gjithë ankohen se pamjaftueshëm janë të motivuar teknikisht, financiarisht dhe me kuadro.   Ato sikur harrojnë se po ky qytetar konsumator është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit nga i cili ato financohen”.

Madje, Kaçaniku flet edhe për parregullsitë, shkeljet e të drejtave të konsumatorëve, produktet pa afat ose me afat të manipuluar.

“Realiteti në terren ndryshon, gjejmë shumë parregullsi, shkelje të të drejtave, produkte pa afat ose me afat të manipuluar, kimikate, falsifikime, korrupsion, zhvatje, konkurrencë jolojale, çmime damping, mashtrime me kthimin e kusurit, mashtrime – edhe nga shteti me taksa / tatime të dyfishta dhe mosdeklarimin e ndarjen e tyre për Buxhetin e Shtetit…”, ka thënë Kaçniku.(Arjeta Shabani)./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosova-e-paprekur-nga-mishi-kancerogjen-i-brazilit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala