Kosova e Moteleve

Autori:Gazeta Fjala

22508060

“Pushimi 5 euro”,  “Fjetja 10 euro” janë mbishkrimet që të bien në sy thuajse në çdo rrugë të Kosovës. Kjo është oferta që kanë motelet që veprojnë në Kosovë, e numri i të cilave po rritet për çdo ditë.

Ato madje në shumë vend janë hapur edhe ngjitur me njëra-tjetrën.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës  në vitin e kaluar janë regjistruara 182 motele, që kanë 2 mijë e 170 dhoma me 2 mijë e 916 shtretër, të cilat ofrojnë shërbim dhe akomodim të vizitorëve.

Në bazë të Ligjit për Turizëm të Kosovës, moteli përkufizohet si objekt i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera.

“LIGJI Nr. 04/L-176 PËR TURIZMIN, neni 3, Përkufizimet: 1.17. Moteli – objekti i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera. Objektet ndërtohen jashtë qendrave të banuara, pranë rrugëve automobilistike dhe ofrojnë këto shërbime shtesë pos vendosjes.”

Përveç këtyre shërbimeve, motelet nga kosovarët shfrytëzohen edhe për të bërë qejf.

Ofertat për këto motele fillojnë nga 5 euro e më e larta deri në 70 euro, varësisht nga kushtet që i ofrojnë.

Por, më shumë se kosovarët duket se këto motele shfrytëzohen nga diaspora.

 Mbi 130 mijë vizitorë në vit

Zyrtari i lartë për koordinim, planifikim dhe komunikim në Ministrinë  e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Shala ka thënë për Gazetën Fjala se numri i vizitorëve të jashtëm në motele për vitin 2016 , është 83 mijë e 710, ndërsa 45 mijë e 579 janë vizitorë vendorë.

“Numri i vizitorëve për vitin 2016 është: vizitorë vendorë 45.579, ndërsa vizitorë të jashtëm 83.710, ose 62.211 net qëndrimi për vizitorë vendorë, ndërsa 131.785 net qëndrimi për vizitorë të jashtëm”, ka thënë Shala.

Në disa prej moteleve, Policia e Kosovës në kuadër te planit Zhvillimor Strategjik të luftës ndaj Trafikimit me Qenie Njerëzore zhvillon edhe aksione nën  dyshimin për prostitucion.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës për Gazetën Fjala ka thënë se kanë ndërmarr masa të rëndësishme në identifikimin viktimave të trafikimit si  dhe luftimin e kësaj dukurie,  dhe se kanë realizuar edhe një numër të madh të operacioneve policore.

“Statistika  tregojnë   se  gjate  kësaj  faze  është rritur efikasiteti  dhe efektiviteti  i Policisë se Kosovës  ne identifikimin dhe ndjekjen penale te kryesve te veprave  penale,  raste te dërguara ne Prokurori me kallëzim penal, arrestime  te  personave,  identifikim dhe  asistim te  viktimave te Trafikimit me Qenie Njerëzore”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës.

Nga kjo zyrë nuk jepen të dhëna se sa raste të trafikimit me qenie njerëzore kanë ndodhur në motele, mirëpo kanë dhënë statistika për tërë vitin 2016 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Motelet përdoren edhe për trafikim

Gjatë vitit 2016 në Policinë e Kosovës janë iniciuar 156 raste për hetim nën dyshimin për Trafikim me Njerëz dhe veprave tjera që ndërlidhen me Trafikimin dhe janë arrestuar 202 persona të dyshuar për këtë vepër.

Gjatë këtyre rasteve janë identifikuar 36 viktima të trafikimit.

“Janë identifikuar 36 viktima të Trafikimit dhe janë trajtuar sipas Procedurës Standarde te Veprimit”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës për Gazetën Fjala.

Nga policia thonë se ndikim në rritjen e efikasitetit kanë pasur edhe qytetarët.

“Falënderim  i  veçanet   ne  arritjen e këtyre  rezultateve  ju  dedikohet qytetareve te  cilët kane bashkëpunuar  ne  raportimin  e  rasteve   ne  PK dhe mediave  ne sensibilizimin  e  opinionit.”

Policia e Kosovës ka qenë aktive edhe në këtë gjashtëmujor, duke zhvilluar aksione kundër trafikimit.

Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar 16 viktima të trafikimit me njerëz, prej tyre 15 janë shtetase Kosovare ndërsa 1 nga Shqipëria dhe  janë arrestuar  afro 100 persona.

“Persona të arrestuar në këtë periudhë kohore për veprën penale te trafikimi me njerëz dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin, janë gjithsej 97 persona të arrestuar”.

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë si Europoli, Interpoli, thuhet se do të jepnin rezultate më të mira dhe se do të eliminonte barrierat që ndikojnë në luftimin e këtyre dukurive.

“Do të jepte rezultate edhe më të mira në funksion të luftimit të krimit të organizuar në përgjithësi dhe trafikimit me qenie njerëzore në veçanti dhe do të eliminonte çdo barrierë që ndikon në luftimin e këtyre dukurive të dëmshme të cilat tejkalojnë kufijtë vendor.” (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kosova-e-moteleve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala