Konfirmon Auditori: Bedri Hamza punësoi 42 persona në BQK

Autori:Agon Sinanaj

Bedri_Hamza_-_minister_MF

Para dy muajsh, pa shumë zhurmë, Bedri Hamza e përfundoi mandatin si guvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, për të kaluar si ministër i Financave në Qeverinë Haradinaj.

Por qëndrimit të tij një mandat në krye të BQK-së duket së më së shumti ia ka parë hairin ish-partia e dikurshme e Hamzës, Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Dhjetëra militantë dhe të afërm të Partisë Demokratike të Kosovës janë rehatuar në BQK në kohën sa guvernator ishte Bedri Hamza. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2016, bëhet fjalë për gjithsej 42 të punësuar.

Të gjithë këta u punësuan në periudhën kohore 2012-2016.

Gazeta Fjala ka raportuar në fillim të këtij viti me fakte se shumë prej këtyre të punësuarve ishin të afërm me partinë prej nga vinte Hamza, Partinë Demokratike të Kosovës.

Auditori vlerëson se pati mbipunësim në BQK

Punësimet e pazakonta në BQK së fundi i ka konstatuar edhe Auditori i Pavarur.

Në raportin e Auditorit për BQK-në të vitit 2016, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, thuhet se pati numër të madh të punësimeve në këtë institucion, me çka edhe u rriten shpenzimet për pagat e personelit.

Vetëm në vitin 2016 u punësuan 7 persona, por në total prej viti 2012 kur Hamza erdhi në krye të BQK-së, numri i punëtoreve u rrit për 42 sosh.

“Numri i punonjësve që në mënyrë aktive ka efektuar në koston e shpalosur për vitin 2016 është 222 (2015: 215). Nga shpalosja me lartë vërehet se kemi rritje të shpenzimeve të personelit, në vitin 2016 krahas me vitin 2015, dhe kjo është e ndikuar nga rritja e numrit të personelit kryesisht dhe pjesërisht nga efekti i përvojës së punës”, thuhet në raportin e BQK-së për vitin 2016 në pjesën ku citohet Auditori i Pavarur.

Kjo bëri që shpenzimet për paga për personelin në vitin 2016 arritën në 300 mijë e 132 euro, përderisa në vitin 2015 ishte 200 mijë e 182 euro.

 Lista me të punësuarit e Hamzës

Ndërkaq, në listën që e pat siguruar më herët Gazeta Fjala del se ka edhe më shumë të punësuar. Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 54 veta, kryesisht të afërt me politikanë dhe njerëz me pozita udhëheqëse në Kosovë. Janë bërë shkëmbime punëtorësh me institucione tjera e graduar të tjerë. Ndërkohë brenda kësaj kohe janë pensionuar ose dorëhequr 22 persona tjerë.

Zyrtarë brenda këtij institucioni patën identifikuar për Gazetën Fjala disa nga lidhjet familjare të të punësuarve nga viti 2013 e deri në mars 2016.

Ata dëshmojnë se me ardhjen e Hamzës në BQK i është hapur dera edhe nipit të zonjës së parë të shtetit, Alban Gërxhaliut të punoj si zyrtar i ri për Integrim Evropian.

Albani është djali i vëllaut të Lumnije Thaçit, bashkëshortes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe këshilltari i Presidentit, Ismail Syla, ka të punësuar djalin e tij, Taulantin, si ekonomist për stabilitet financiar në BQK.

Jo vetëm guvernatori, por edhe zëvendësi i tij Fehmi Mehmeti duket se është kujdesur për të ofruar afër vetes disa njerëz.

Aferdita Mehmeti, e afërme e zëvendësguvernatorit Fehmi Mehmeti, e cila më parë kishte punuar në “ProCredit Bank” dhe në “TEB”, tani është asistente Ekzekutive në Zyrën e Zëvendësguvernatorit Mehmeti për Mbikëqyrje Financiare.

“Mihrije Mziu – Nuredini, gruaja e vëllait të Drejtori i Kontrollit të Trafikut Ajror, Bahri Nuredini. Ajo më parë ishte punësuar si zyrtare e financave në Kontrollin e Trafikut Ajror, ndërsa nga viti 2013 u transferua në BQK”, tregon për Gazetën Fjala zyrtari i BQK-së.

Përveç kësaj, e punësuar tjetër, Albulena Thaçi, thotë se është mbesë e deputetit të PDK-së Xhavit Haliti, e punësuar në Banken Qendrore të Kosovës si mbikqyrëse bankare.

“Atdhe Bytyqi, i cili punon në këtë institucion si zyrtar ligjor, është punësuar me ndihmën ish- zëvendësguvernatorit Fatmir Gashi”.

Ndërkaq, për Denis Dautaj, i cili mbanë pozitën e zyrtarit të lartë të pajtueshmërisë AML në BQK, tregon se është i afërm i Syzana Dautaj, pjesë e “Intyernational Financial Corporation” e Bankës Botërore.

Ida Fetiu, Asistente në Zyrën e Zëvendësguvernatorit për Funksione të Përgjithshme është vajza e drejtorit të departamentit të dëmeve në kompaninë e Sigurimeve Eurosig, Shkëlzen Fetiut.

“Labinot Preniqi, Udhëheqës i Divizioni për Parandalimin e Pastrimit të Parave, është i afërm i guvernatorit Bedri Hamza dhe është punësuar direkt nga guvernatori”.

Në listë është edhe Bajram  Zhegrova, Mbikëqyrës i ri për Sigurime, është djali i agjës së Shpetim Zhegrovës, kryesues i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë.

Gjatë kësaj periudhe në këtë institucion është punësuar edhe Besarta Jashari – vajza e Hamzë Jasharit dhe Albulenë Zogu-Demaku gruaja e ish kryetarit të Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, për të cilat është raportuar edhe më parë.

Gazeta Fjala, pa paragjykuar aftësitë dhe procesin e punësimit të tyre, e publikon edhe njëherë të plotë listën e të gjithë të punësuarve, të siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. /Gazeta Fjala/  .

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/konfirmon-auditori-bedri-hamza-punesoi-42-persona-ne-bqk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala