Komunat dembele zvarrisin kriteret për viza

Autori:Gazeta Fjala

foto liberalizimiiiiiii

Nuk është vetëm krimi i organizuar, korrupsioni e demarkacioni, kriteret e vetme për liberalizimin e vizave. Janë edhe disa kritere teknike që kanë mbetur pa u plotësuar.

Ndonëse mund të duket kriter teknik, “emërtimi i rrugëve” gjithandej nëpër qytete e fshatra të Kosovës është një kriter tjetër që duhet të plotësohet.

Megjithëkëtë, edhe pse Qeveria thotë se i ka plotësuar kriteret teknike, shumë komuna nuk e kanë kryer procesin e emërtimit të te gjitha rrugëve.

Komunat gjatë kësaj kohe po interesohen më shumë për zgjedhjet lokale, se sa ti plotësojnë kriteret që u takojnë atyre  për krijimin e kushteve për viza.

Janë disa komuna me ketë problem, por më i shprehur është në komunën e Podujevës dhe atë të Pejës.

Podujeva pa emërtim rrugësh

Procesi i emërtimit të rrugëve ka ngecur krejtësisht në komunën e Podujevës. Projekti ka kohë që ka nisur, por punët nuk janë kryer ende.

Komuna fajëson për këtë kompaninë që po i kryen punët.

Por me të shqetësuarit mbesin qytetarët. Ata thonë se po e kanë të vështir orientimin sidomos nëpër rrugica dhe fshatra.

“Që nga paslufta ka rrugë që kanë mbetur pa tabela. Nuk po kemi qysh me i orientu sidomos vizitorët”, ka thënë për Gazetën, i indinjuar një qytetar.

Ndërkohë projekti për emërtimin e rrugëve në këtë komunë ka një kohë të gjatë që ka filluar.

Finalizimi i tij nuk është bërë ende dhe shumica e rrugëve, sidomos nëpër fshatra, ende mbetën të pa emërtuara.

“Projekti i vendosjes së tabelave me emrat e rrugëve në Komunën e Podujevës është duke u realizuar. Mirëpo është e vërtetë se ka vonesa në realizimin e këtij projekti me fajin e kompanisë “Viva Print”, e cila është kontraktuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës”, ka thënë  shef i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi.

Sipas Elezit, kompania në fjalë, për një periudhë kohore ka pasur mungesë të materialit-tabelave, prandaj ka pasur ngecje në vendosjen e tabelave. Në projektin e paraparë për komunën e Podujevës, parashihet të emërtohen rreth 1200 rrugë.

Ndërsa me realizimin e këtij projekti qytetarët do ta kishin më të lehtë qasje në shërbime publike, transport, navigacion.

Procesi i emërtimit të rrugëve ka nisur në vitin 2014, i paraparë që të përfundonte më 2015, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndryshe emërtimi i rrugëve është njëri ndër kushtet për liberalizimin e vizave.

foto 11111111

BE: Plotësoni kushtet

Nga ana tjetër, nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar të plotësohen kushtet për liberalizim, një ditë pasi u formua Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn.

Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiq ka përshëndetur formimin e Qeverisë Kosovës dhe ka kërkuar nga ajo që të ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë, transmeton koha.net.

“Përshëndesim formimin e Qeverisë Kosovës. E ftojmë Qeverinë që menjëherë të fillojë punën që të zbatojë reformat e domosdoshme në fushën e sundimit të së drejtës dhe në ekonomi. Kosovës ka nevojë për përmirësimin e konkurrencës, rrethanat për qytetarët e vet dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, ka porositur Kocijançiq në kumtesën dërguar medieve.

Ajo me këtë rast ka përkujtuar se Kosova duhet doemos të përmbushë detyrimet e saj në mënyrë të përparojë drejt liberalizimit të vizave dhe përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, të marrë rol aktiv në rajon e të bëjë përparim në dialogun me Beogradin. /Gazeta Fjala/ (Arjeta Sinani)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/komunat-dembele-zvarrisin-kriteret-per-viza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala