Komisioni i Konkurrencës vërteton monopolin e “bosëve” të sigurimeve

Autori:Agon Sinanaj

sigurimet

Banka Qendrore e Kosovës ka mbështetur për më shumë se një vit një marrëveshje monopolistike në tregun e sigurimeve në Kosovë.

E ashtuquajtura marrëveshja “Swiss Diamond” e arritur me 11 dhjetor 2016 mes bosëve të sigurimeve dhe me të cilën u fiksuan çmimet në treg, tanimë po cilësohet si monopolistike edhe nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Gazeta Fjala pati raportuar se bosët e sigurimeve Behgjet Pacolli, Ekrem Lluka e Bujar Musa dhe të tjerët, i fiksuan çmimet në tregun e sigurimeve. Krejt kjo për shkak të gjendjes së rëndë financiare që po kalonin disa kompani.

Por Komisioni i Konkurrencës fajin për këtë e ka parë tek Banka Qendrore e Kosovës, e cila e ka miratuar një marrëveshje të tillë duke qenë rregullator dhe mbikëqyrës i tregut.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të raportit të këtij komisioni me të cilin ka evidentuar monopolet në shumë sektorë. Mes tyre është edhe ai në tregun e sigurimeve.

“Çmimi i policave të sigurimit të detyrueshëm janë çmime standarde, të përcaktuara nga BQK-ja, të aplikueshme nga të gjithë. AKK i rekomandon Bankës Qendrore të Kosovës si rregullator dhe Organ mbikëqyrës i industrisë së sigurimeve që të shqyrtoi mundësit që në një të ardhme të afërt të bëjë limitin e epërm të caktimit të çmimit të policave të sigurimit e jo të jenë çmime standarde fikse”, thuhet në raportin e Komisionit mbi monopolet në Kosovë.

Për dalje nga kjo situatë, në të cilën dorë ka vetë BQK, Komisioni i Konkurrencës i rekomandon kësaj të fundit të shikoj mundësinë e hapjes se mëtutjeshme të tregut sipas praktikave më të mira.

Në të kundërtën Komisioni ka paralajmëruar BQK-në se do të reagoj dhe do ti marr masat e nevojshme.

“AKK do të reagoj në rastet, kur operatoret ekonomik në mënyrë të bashkërenduar veprojnë ndërmjet veti ne formë te koordinuar (bashkëpunim jo formal), apo përmes marrëveshjeve te ndaluara dhe karteleve, duke eliminuar efektet e konkurrencës për konsumatorët”, thuhet në raport.

 Çka thotë marrëveshja “Swiss Diamond”?

Me marrëveshjen “Sëiss Diamond”, shitja e policave të sigurimit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, u caktua të jetë në bazë të çmimeve fikse dhe e njëjtë tek secila kompani. Ato u morën vesh që komisioni për ndërmjetësuesit e sigurimeve të jetë 10 për qind, ndërsa janë fiksuar edhe shpenzimet që do t’i kenë pikat e shitjes së sigurimit të detyrueshme nëpër Kosovë.

“Ne pajtohemi se prej sot për shitjen e policave të detyrueshme nga agjentët e jashtëm dhe të brendshëm do të paguhet 10 për qind bruto përfshirë taksat nga primi neto pa TVSH. Shpenzimet shtesë për shitjen nuk do të përfshihen në këtë llogari. Kjo do të aplikohet menjëherë dhe do të zgjasë deri në implementimin e rregullores për krijimin e Brokerit nga Banka për shitje të tilla”, thuhet në pikën 7 të kësaj marrëveshje, të cilën e posedon Gazeta Fjala.

Kjo i bie që tash e tutje qytetarët  nuk do të kenë mundësi të zgjedhjes në bazë të çmimit kur do t’i regjistrojnë veturat. Çmimi për sigurimin e veturës do të jetë i njëjtë tek të gjitha kompanitë.

Ndërkaq, deri në këtë marrëveshje komisioni për ndërmjetësuesit e sigurimeve ka qenë 40 për qind, çka ka lejuar një lloj konkurrence mes kompanive.

Gazeta Fjala merr vesh se krejt kjo është bërë me qëllim që kompanitë të ndihmojnë njëra tjetrën për të mbetur në treg, pasi po kalojnë një fazë të rëndë financiare.

Marrëveshja, një kopje të te cilës e posedon Gazeta Fjala, përmban 7 pika dhe është nënshkruar nga Behgjet Pacollit në emër të  kompanisë “Siguria”, Ekrem Lluka në emër të “Dukagjinit”, Bujar Musa, në emër të “Sacardian”, “Hashim Deshishku” për “Sigkos”, Avni Ponari në emër të “Sigal Uniqua”, Kadri Morinaj në emër të “Insig” e “Erurosig”, Roland Kacani për “Sigma”, Lulzim Tafa për “Prisig”, Agim Elshani për “Elsig” dhe Serafetin Ismajl Kirpikli në emër të “Kosovës së Re”.

 Përfshirja e Bankës Qendrore të Kosovës

Gazeta Fjala pati siguruar dokumente që dëshmojnë se krejt kjo punë është bërë nën dijeninë e zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, janë caktuar edhe njerëzit që do të negocionin me zyrtarët e BQK-së për nxjerrjen e rregullores se re të përshtatur sipas pikave të marrëveshjes.

Në pikën 3 të marrëveshjes së arritur në Hotelin “Swiss Diamond” figuron emri i Bujar Musës, pronar i kompanisë së sigurimeve “Scardian”, si përfaqësues i kompanive me rastin e nxjerrjes së rregullores nga BQK.

Musa është njëri nga pronarët në IPKO dhe njihet si i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Së fundi ai është pronar edhe në kompaninë me të re të sigurimeve “Scardian”. Aty po ashtu jepen detaje sesi duhet të veprojë Musa në raport me zyrtarët e BQK-së. Madje thuhet që duhet siguruar që çdo gjë të jetë në përputhje me këtë marrëveshje.

“Ne pajtohemi që procesi i implementimit të rregullores për vendimet e këtij takimi të bëhet nga z.Bujar Musa me Bankën Qendrore të Kosovës. Ne gjithashtu pajtohemi që në rregullore të vendosen kritere dhe kushte nga BQK për rregullimin e tregut të përgjithshëm të sigurimeve në Kosovë. Kërkojmë nga BQK të përcaktoj kritere objektive dhe të matshme me të cilat do të përcaktohen rregullat e tregut në të ardhmen”, thotë pika 3 e marrëveshjes.

Pas kësaj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës është mbledhur urgjentisht me 4 janar 2017 për të hartuar rregulloren e re në bazë të kërkesave të bosëve të sigurimeve. Mbledhja është mbajtur dy muaj pas takimit në “Swiss Diamond”.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të rregullores së BQK-së, e cila është hartuar pikë për pikë bazuar në marrëveshjen e arritur mes krerëve të sigurimeve.

Kështu në nenin 3 të rregullores se BQK-së është përcaktuar që komisioni për ndërmjetësuesit në sigurime sa i përket produktit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të jetë 10 për qind. Kjo është e ngjashme me pikën 7 të marrëveshjes se arritur në “Swiss Diamond”.

Po ashtu, Rregullorja e re e BQK-së për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, përmban çmime fikse edhe në rastin e shpenzimeve që do t’i kenë pikat e shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nëpër Kosovë.

“Në çdo rast komisionet dhe shpenzimet e pikave të shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nuk duhet të kalojnë 12 për qind të primit të paguar pas zbritjes së TVSH-së”, thuhet në nenin tre të rregullores së BQK-së. /Gazeta Fjala/. 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/komisioni-i-konkurrences-verteton-monopolin-e-boseve-te-sigurimeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala