Kolegjet private që i marrin “në qafë” studentët

Autori:Gazeta Fjala

diploma

 Të gjithë ata që regjistrohen, deri me 1 shtator, si studentë në Kolegjin për Studime Evropiane – ISPE në Prishtinë mund të studiojnë gati me gjysmë çmimi.

Por, të pakët janë studentët që e dinë se diploma që do ta marrin me këtë “ofertë”, ka gjasë të mos u hyjë aspak në punë.

Madje i tërë mundi e paratë që paguajnë për angazhimin akademik mund tu shkojnë dëm.

Asnjë nga drejtimet e studimeve që do të ndjekin ligjërata nuk është akredituar këtë vit nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

Megjithatë, në këtë kolegj dhe shumë kolegje tjera private studentët regjistrohen pa ndonjë pengesë si për studimet Bachelor ashtu edhe Master në drejtime të cilat ishin të akredituara deri në vitin 2019, mirëpo të suspenduar në vlerësimin  e fundit, pasi që nuk i plotësonin kushtet për nga numri i stafit të kërkuar akademik.

ispee

Kreu i ISPE-së, Avni Mazreku, nuk ka pranuar të flas për Gazetën Fjala, lidhur me këtë çështje.

Ndërsa në administratën e kolegjit me arrogancë thonë se “një temë e tillë nuk është interesante për lexuesit”.

“Famës i bie fama”

Më mirë nuk qëndron as Kolegji “Fama”.

Pikërisht drejtimet për të cilat ishte në zë, si juridik, shkenca politike dhe administratë publike i janë suspenduar në vlerësimin e fundit të Agjencisë së Akreditimit, ani pse ishin të akredituara deri në vitin 2019.

Përderisa në vitin e kaluar ky kolegj ofronte 18 drejtime, tani ka ngelur vetëm në gjashtë.

Drejtimet e vetme që ofron ky kolegj tani janë: administrim biznesi, mami, psikologji, laborant dentar, laborant mjekësor dhe stomatologji.

Fama

Edhe Kolegji “Biznesi”, ku ka diplomuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri nuk ka dalë mirë në procesin e akreditimit.

Pikërisht drejtimi ku ka diplomuar kryetari Bahtiri, “Menaxhment dhe ekonomiks”, është suspenduar në degën e këtij kolegji në Vushtrri.

Kolegjit “Biznesi”, i janë suspenduar 7 programe, disa prej të cilave në nivelin bachelor e disa në nivelin master.

Ka edhe nga ato kolegje që funksionojnë vetëm me një program.

Kështu Kolegjit “Tempulli”, i janë suspenduar pesë programe, dhe i vetmi program që i është akredituar është “Inxhinieria e Trafikut dhe Transportit Rrugor”.

Biznesi

Universitetet Publike do të pranojnë edhe 3 mijë e 448 studentë

Ndërkaq, në sektorin publik situata duket më ndryshe, edhe pse shumë programe të studimeve i janë suspenduar edhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami kishte aprovuar numrin e studentëve të rinj, të cilët do të pranoheshin në programet e akredituara të nivelit bachelor në universitetet publike të Kosovës.

Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255, ndërsa, siç njofton MASHT-i, shtesë e këtij numri do të jetë edhe kuota prej 12 për qind për studentët e komuniteteve jo shumicë dhe në disa universitete do të ketë edhe kuota për kandidatët e viseve tjera shqiptare (Shqipëri, Luginë e Preshevës, Maqedoni, Mal i Zi), si dhe për familjarë të ngushtë të dëshmorëve të Kosovës.

Por, pasi ky numër nuk është plotësuar UP-ja, do të shpallë prapë konkurs për pranimin e 3 mijë e 448 studentëve.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në afatin e dytë pritet të pranojë 3.448 studentë. Zyrtarë të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë bërë të ditur për media se afati për pranimin e studentëve pritet të hapet në javën e parë të shtatorit.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Naser Sahiti, ka deklaruar për media se afati për aplikim do të jetë i hapur 7 ditë.

Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë pa kurrfarë perspektive

Por, të diplomuarit, si të kolegjeve private ashtu edhe publikut statistikat tregojnë se i pret një e ardhme e frikshme. Së paku kështu ka qenë deri më tani, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Papunësia tek të rinjtë në Kosovë është mjaft e lartë, por është edhe një kategori tjetër e të rinjve që përveç papunësisë, nuk kanë kurrfarë shprese që të kenë të ardhme të qëndrueshme.

Ata nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, e as nuk trajnohen, shkruan Gazeta Fjala. Në këtë gjendje sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës janë gjithsej 97 mijë e 910 të rinj.

“Domethënë janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor. Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të ASK-së për tremujorin e parë të këtij viti.

Përveç kësaj, sipas Anketës, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kolegjet-private-qe-i-marrin-ne-qafe-studentet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala