Këtë dimër nuk shtrenjtohet rryma

Autori:Arjeta Shabani

rr

Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike me çmim të njëjtë. Kjo ngase, rryma nuk do të shtrenjtohet. Së paku tani për tani.

Kështu ka deklaruar vet Kryeministri i Kosovës gjatë vizitës që bëri në Korporatën  Energjetike të Kosovës (KEK).

I pari i  Qeverisë premtoi se çmimi i rrymës nuk do të rritet, siç tha ai, “në këtë kohë të vështirë”, por as nuk e përjashtoi mundësinë që kjo mund të ndodhë.

“Gjendja me furnizim do të përballohet gjatë dimrit, me mundësi të përmirësimit gjatë muajit shkurt, duke mos ndikuar edhe në rritjen e çmimit për qytetarët në këtë kohë të vështirë”, deklaroi ai.

Haradinaj  edhe sot ka  pohuar që nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur që qeveria ka kthyer humbjet nga importi i detyruar t’i kthej në zero.

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë!  Përveç kësaj me hapat që kemi ndërmarrë, që kur kemi marrë mandatin e kësaj Qeverie, kemi arritur që humbjet, nga importi i obliguar, prej dhjetëra milionë euro në vitin 2017 (sipas Bankës Botërore dhe KEK-ut) t’i kthejmë në zero në 2018, me siguri për profit në të ardhmen. Sot, sfida me energji është e fituar”.

Por, Haradinaj duket se ka ndryshuar qëndrim pas kalimit të disa javëve.

Ishte vet Haradinaj që dha alarmin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, pasi nënshkroi marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të Termocentralit të ri Kosova e Re.

Haradinaj kishte deklaruar se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme dhe se ndodh në tërë botën.

Paralajmërime të njëjta kishin dhënë më parë edhe opozita dhe disa organizata të shoqërisë civile.

“Rritja e energjisë elektrike është e pashmangshme; është e çmimeve të tregut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Por nuk ndikon kjo kontratë në rritjen e çmimit dmth kur prodhojmë me kapacitete të vjetruara si sot, dhe nuk kemi mundësi t’i përmbushim kërkesat tona, ne blejmë rryme mbi 100 euro megavatin. Ndërsa me kontratën e re është rreth 70 euro çmimi i megavatit”, kishte thënë Haradinaj.

ZRRE: Importi i rrymës, shkak për shtrenjtimin e energjisë

Por, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk i kishin komentuar deklarimet e kryeministrit dhe thonë se respektojnë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mendimin e tyre në forma demokratike.

Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE, kishte thënë për Gazetën Fjala se kufizimet e operimit me gjeneratorë dhe nevoja e rritur për import të energjisë kanë ndikuar që të shtrenjtohet çmimi i energjisë, si dhe thonë që kanë kërkuar nga institucionet që të qartësojnë ndikimet që këto zhvillime mund të kenë në tarifa.

“Për shkak të zhvillimeve të fundit në sektor, sidomos me kufizimet e operimit të gjeneratorëve dhe nevojën e rritur për import të energjisë elektrike, ZRRE vazhdimisht ka kërkuar të dhëna nga operatorët si dhe reagim nga institucionet për të qartësuar ndikimet që këto zhvillime mund të kenë në tarifa”, thuhej në përgjigjet e ZRRE-së, drejtuar Gazetës Fjala.

Por, se për sa euro do të shtrenjtohet energjia elektrike për këtë nuk kanë njohuri as nga Zyra e Rregullatorit.

“Deri më tani nuk ka ndonjë përllogaritje përfundimtare të ndryshimeve eventuale tarifore për shkak të ndryshimeve dhe paqartësive të krijuara në sektor kohëve të fundit.”

Ata thonë se qytetarët do të paguajnë me çmimin e njëjtë deri më 1 prill të vitit 2018, ndërsa shpresojnë që deri më 15 mars të merret një vendim për tarifat e ardhshme. Ndonëse për këtë janë skeptikë, pasi që ende nuk kanë një Bord funksional që do të merrte vendime të tilla.

“Megjithatë Vendimi për tarifat aktuale të energjisë është në fuqi deri me 1 prill 2018  dhe ZRRE shpreson që deri me 15 mars 2018 të merret vendimi për periudhën e ardhshme tarifore, natyrisht nëse arrin që deri atëherë të ketë Bord funksional për të marr vendime”, kanë thënë nga ZRRE për Gazetën Fjala.

Por, shtojnë se të gjitha raportet janë publike dhe ftojnë institucione dhe të gjitha palët e interesuara që të japin komentet dhe kontributin e tyre në lidhje me këto raporte dhe kërkesa të operatorëve.

KEDS-i ia hedh përgjegjësinë ZRRE-së

E KEDS-i ka larguar përgjegjësinë nga vetja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke ia hedhur fajin për këtë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Në këtë institucion thonë se ata nuk kanë autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike dhe sipas tyre kjo kompetencë i takon ZRRE-së.

Kështu thuhet në deklaratën për media që ka lëshuar KEDS-i, shkruan Gazeta Fjala.

Në komunikatë thuhet se kjo kompani iu nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës dhe se ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike

“Nga KEDS kurrë nuk është deklaruar se do të ketë ndonjë rritje të çmimit, pasi që as lirimi as ngritja nuk vendoset nga KEDS, prandaj protesta e shpallur është në adresë të gabuar.

KEDS është vetëm një nga akterët e zinxhirit të energjisë në Kosovë, me detyrimin dhe përgjegjësinë e qartë për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike”, thuhet në komunikatë, shkruan Gazeta Fjala../Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kete-dimer-nuk-shtrenjtohet-rryma/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala