Kështu po përgatitet shteti për PISA

Autori:Arjeta Shabani

pi_1514897400-4944742

Nxënësit kosovarë sivjet do tu nënshtrohen tri testeve për ta vlerësuar dijen e tyre.

Para PISA-s, ata do tu nënshtrohen dy testeve që do të organizohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Krejt kjo po bëhet për t’i përgatitur nxënësit se çfarë i pret në PISA, dhe t’i familjarizojnë me testin, i cili për herë të parë këtë vit do të mbahet në mënyrë digjitale.

“Ne do të mbajmë një provim provues, i cili mendohet dikur në fillim të shkurtit, ku do t’i testojmë të gjithë nxënësit e shkollave  që do t’i nënshtrohen testit PISA, për me pa ku jemi . Do ta kemi edhe testin e dytë, pasi ta marrim informatën nga PISA se cilat shkolla do t’i nënshtrohen testit, pra do ta kemi edhe testin e dytë  dhe besoj që me këto dy teste do ta ngritim nivelin e përgjegjësisë, rëndësinë testit e PISA  dhe do të jemi të gjithë më përgjegjës”, ka deklaruar Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Fjala.

Përvoja e testit të kaluar, duket se ka ndikuar që Ministria e Arsimit të fillojë reformat në këtë drejtim. Orët shtesë dedikuar vetëm testit PISA, ngritja e përgjegjësisë e sensibizlizimi përmes mediave, janë vetëm disa nga masat që ka marrë MASHT-i, për testin që do të mbahet këtë vit.

E për motivimin e nxënësve që të jenë në test, Ministria e Arsimit, këtë herë do ta përdorë ujin edhe ushqimin, pasi siç thotë ministri Bytyqi mungesa e ujit gjatë testit të kaluar, kishte ndikuar te nxënësit.

“Në ditën e mbajtjes së testit, do të jetë një organizim i jashtëzakonshëm , me një përgjegjësi të madhe nga ana e Ministrisë dhe në nivelin lokal, ku do të motivohen nxënësit të jenë  në test, do tu sigurohet ujë, sepse ka qenë  edhe kjo mungesë në testin 2015. Nxënësit nuk kanë pasur ujë për të pirë dhe janë dal e nuk janë kthyer më fare. Pastaj mundësisht do të sigurojmë edhe ndonjë ushqim sepse nxënësi mund të ketë nevojë  të ushqehet”, ka thënë Bytyqi për Gazetën Fjala.

Deklaron se ai dhe komisioni që ka formuar, kanë bërë përgatitje të mëdha. Thotë se janë angazhuar edhe jashtë orarit.

Mirëpo, pavarësisht punës që thotë se kanë bërë, Ministri Bytyqi kishte kërkuar shtyrjen e këtij testi për vitin 2019, që nxënësit të përgatiten më mirë. Kërkesë që i është refuzuar.

Por, njohësit e arsimit thonë se nuk kërkohet përgatitje e veçantë që nxënësit t’i nënshtrohen këtij testi, pasi që vet qëllimi i testit është që të vlersojë njohurit aktuale të nxënësve.

Presin që rezultatet e këtij testi të jenë më të mira këtë vit.

Pupovci: PISA na jep indikacione se çfarë është punuar

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci ka thënë për Gazetën Fjala, se nuk kërkohet ndonjë përgatitje e veçantë që nxënësit t’i nënshtrohen testit PISA. Thotë se qëllimi i këtij testi është të tregojë gjendjen aktuale në kuptim të aftësive të 15 vjeqarëve për ta zbatuar teorinë në praktikë.

“Ky test ka për qëllim të tregojë cila është gjendja aktuale në kuptim të aftësive të 15-vjeçarëve për t’i zbatuar në jetën e përditshme njohuritë nga leximi, matematika dhe shkencat e natyrës dhe, si i tillë, ofron një bazë për krahasim në mes të sistemeve të arsimit”, ka thënë Pupovci.

Pupovci përmend edhe rezultatet e testit të kaluar, ngecjen e Kosovës në të gjitha disiplinat, si në nivelin global, ashtu edhe në raport me vendet e rajonit.

Arsye për rezultat kaq të dobët në testin e kaluar, sipas Pupovcit mund të ketë qenë  mos marrja me seriozitet e testit nga ana e nxënësve. Por, thotë se mund të përmirësohet rezultati nëse punohet në vetëdijësimin  e fëmijëve që ta japin maksimumim.

Deklaron se duhet të bëhen ndryshimet e duhura në sistemin arsimor.

“Megjithatë, nuk është qëllimi që të përmirësohet pak rezultati duke i vetëdijesuar fëmijët, por të bëhen ndryshimet e duhura në sistemin e arsimit që të përmirësohen njohuritë dhe aftësitë e tyre në tri fushat ku zhvillohet testimi”, ka thënë Pupovci për Gazetën Fjala.

Ai thotë se duhet punuar në veçanti në përmirësimin e aftësive të leximit, pasi që nga rezultatet e testit të kaluar 77% të nxënësve nuk e kanë arritur nivelin minimal të performancës në lexim. Mirëpo, shton se nuk duhet të kënaqemi edhe nëse ky rezultat përmirësohet pak.

“Edhe nëse ky rezultat “përmirësohet” nga 77% në 70% nuk mund të jemi të kënaqur, sepse aftësia e leximit, të kuptuarit dhe interpretimi i drejtë i asaj që lexon janë themelet për arritje në çdo fushë të jetës”.

Që të tregohen rezultatet më të mira në lexim, sipas Pupovcit duhet të punohet në kopshte, në shkollë, në shtëpi dhe në biblioteka që fëmijët, jo për shkak të testit PISA, por për shkak të vet fëmijëve.

Pupovci deklaron se PISA vetëm jep një indikacion të besueshëm sa është punuar dhe na tregon se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen.

Thaçi: Priten rezultate më të mira këtë vit

Jusuf Thaçi, njohës i arsimit ka thënë për Gazetën Fjala, se rezultati i testit PISA tregon më shumë për sistemin arsimor në Kosovë, sesa për vet nxënësit. Thotë se për cilësinë e arsimit u dëshmua në testin e vitit 2015.

“Kjo nuk është përgjegjësi e nxënësve se a janë ata të gatshëm ose jo që të marrin pjesë në testin e PISA-s. Rezultati i këtij testi nuk flet kurgju për nxënësit, sa flet për sistemin arsimor në Kosovë dhe për cilësinë  e tij, për të cilin është dëshmuar edhe në testin e vitit 2015”, ka thënë Thaçi.

Për testin që pritet të mbahet këtë vit, Thaçi thotë se pritet të jetë një rezultat më i mirë. E arsye për këtë thotë të ketë qenë përvoja e testit të kaluar.

Deklaron se rezultatet e testit PISA të vitit 2015 kanë ndikuar që edhe MASHT-i të fillojë të bëjë reforma në këtë drejtim.

“Kjo mundet me qenë paragjykuese, por parimisht pritet me pas një rezultat ma të mirë. Përvoja e testit të kaluar mund të ketë qenë ndihmesë për  përgatitjen e nxënësve për llojin dhe natyrën e këtij testi dhe të ndikojnë që ky test të jetë më i suksesshëm.

Testi i 2015, ka ndikuar që edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të bëjë reforma në këtë drejtim”, ka deklaruar Thaçi për Gazetën Fjala.

Thaçi thotë se Qeveria nuk e ka në fokus arsimin.

“Nuk e kanë prioritet sikur edhe deklarojnë. Se sa është prioritet arsimi, kjo mund të shihet edhe nga niveli i investimeve”,  ka thënë ai.

Ndryshe, testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm. Ky test në vitin 2015, e kishte renditur Kosovën në fund të listës për arsim. Më keq se Kosova ishin renditur vetëm Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkohë Singapori është i pari./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/keshtu-po-pergatitet-shteti-per-pisa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala