Kamarieret e “shkelura”

Autori:Gazeta Fjala

kamariere

S.L është 26 vjeçare dhe ka 1 vjet e gjysmë që punon si kamariere në një kafiteri.

Mungesa e shkollimit dhe kushtet e vështira financiare e shtynë drejt një pune, për të cilën ajo thotë se shpeshherë turpërohet pse e bënë, për shkak të epiteteve që merr.

Puna  në një kafiteri në të cilën klientët janë të gjinisë mashkullore, atë e bën të ndihet e cenuar.

“Këtu vijnë veç burra, gra shumë rrallë. Edhe burrat kur të vijnë ka raste kur janë  të dehur edhe nisen drejt teje, edhe ti duhet me nejt afër  e me e pyet çka po don”, ka thënë S.L për Gazetën Fjala.

Pastron, shërben, por i duhet të bëjë sikur nuk i dëgjon kur klientët flasin edhe se “shitet”.

Ajo tregon se nuk janë të pakta raste kur klientët i ofrojnë para që të kalojë natën me ta, e që shumica prej tyre thotë se janë të martuar.

“Shkoi me e kry pagesën, e ka që ma banjë a të kryejmë me qet harc edhe për natën”, vazhdon S.L, tregimin për fatin e saj.

Tërë lodhjen, ofendimet e edhe injorimin, ajo i duron për 150 euro. Aq është paga e saj.

Por, barra më e madhe për të është se ajo nuk ka me kë t’i ndaj gjithë këto përjetime. Prindërit e saj mendojnë se ajo ka një punë të mirë, si pastruese në një zyrë e shoqëria e saj e la vetëm, qysh prej momentit kur ja filloi punës si kamariere.

“Në shpi kur shkoi s’jam vetvetja. M’duhet me shpik situata për zyrën që nuk punoj. E shoqni s’kam për me i nda këto gjana. Atë shoqni që e kom pas m’janë largu qysh kur kam hi në punë”.

Kjo punë ajo thotë se do t’i kushtojë tërë jetën, pasi që të pakët janë ata që në Kosovë e dëshirojnë për grua një kamariere, dhe ka nisur të përgatitet për të kaluar jetën e vetme.

“Nuk besoj që kam me u martu, kshtu që ja kom fillu që kapak me i mbledh paret edhe me i deponu në bankë që m’duhen ma vonë”.

Por, shpresa se do të gjejë një punë tjetër nuk i ka humbur, madje thotë se tashmë është në kërkim të saj.

Ajo gjatë kohës së pauzës lexon të gjitha konkurset si në gazeta e edhe portale, edhe pse njerëzit e gjykojnë për këtë.

“Kom me lanë këtë punë. Boll ke ma që 1 vjet e gjysmë. Inshallah m’prin fati e gjej naj nja ma të mirë se pa punë nuk rrihet”, thotë ajo për Gazetën Fjala.

Fat të njëjtë ndajnë edhe femra të tjera që kanë të njëjtin zanat. Mirëpo, frika se mos përjashtohen nga puna se dhe mos drejtohet gishti nga to, i ndalon që të bëjnë publike padrejtësitë dhe trajtimi që u bëhet.

Faji i vetëm i tyre duket se është që jetojnë në vendin më të varfër në Evropë, Kosovë, pasi që në vendet e tjera kjo punë paguhet mirë dhe respektohet.

D.T është kamariere në Gjermani dhe thotë se për punën që bënë gëzon respekt të madh nga të gjithë. Madje, ajo thotë se nëse punon si kamariere  respektohesh më shumë se sa meshkujt.

Së paku në vendin ku ajo punon, ndodh kështu.

“Në Gjermani kur te shohin që je femër edhe sjellën ma mirë me ty krejt, edhe të respektojnë më shumë”, tha D.T për Gazetën Fjala.

Kamerieret me master të Kosovës

Në Kosovë, kamarierët janë të pajisur edhe me diploma. Jo rrallë edhe ato të nivelit master.

Studentët kosovarë, njohurit e fituara gjatë studimeve bachelor dhe master, i zbatojnë në praktikë nëpër kafiteritë e Kosovës, e që nga kërkesat e shumta për këto vende pune, shpesh u duhet të presin që tu lëshohet rendi.

Jeton Mehmeti, studiues në Institutin GAP, pati publikuar një hulumtim në medie se që kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, numri i të diplomuarve të papunë është rritur me shpejtësi nga 2,953 në 6,840, sipas Ministrisë së Punës. Një numër i madh i këtyre të diplomuarve vjen nga Universiteti i Prishtinës, universiteti më i vjetër publik në vend, i cili jep rreth 5,200 diploma bachelor dhe mbi 900 diploma master në vit.

Në këtë publikim rrëfehet edhe për fatin e l. Cakolli, 30 vjeç, i cili ka diplomën bachelor dhe atë master nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Që kur fitoi titullin master para tre viteve, ai po punon me orar të plotë  – jo si avokat, por si kamerier në një kafene.

Nivel i lartë i shkollimit të kamerierëve mund të shpjegojë arsyen pse një faqe interneti për udhëtimet vitin e kaluar pretendoi se banakierët e Kosovës bëjnë makiaton më të mirë në botë.

“Pasi përfundova studimet, unë aplikova për shumë vende pune të lidhura me profesionin tim, në qeveri, gjykata dhe institucione të tjera publike, por pa sukses,” thotë Cakolli, transmeton GJNK.

Cakolli ka mbaruar edhe praktikën e punës për një vit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe ka marr pjesë në trajnime të ndryshme.

Kur ai pyet punëdhënësit se pse ai nuk është përzgjedhur për punë, përgjigjet më të zakonshme janë se ai nuk ka eksperiencë profesionale tre vjeçare. Ai beson se arsyeja e vërtetë pse ai nuk gjen dot punë është nepotizmi i gjithë përhapur.

“Është bërë praktikë që vendet e punës në sektorit publik reklamohen thjeshtë si formalitet,” thotë ai. “Personi që ata duan për punë veç ka filluar punën.”

Cakolli nuk është i vetmi që ka një perceptim të tillë. Sipas një sondazhi të publikuar më herët këtë vit nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, 81 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, përkatësia partiake dhe faktorë të tjerë që nuk kanë fare të bëjnë me meritën janë më të rëndësishme kur vjen puna për fitimin e një vendi pune në sektorin publik.

Vetëm rreth 15 për qind mendojnë se arsimimi, eksperienca profesionale dhe trajnimi profesional luajnë rol.(Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/kamarieret-e-shkelura/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala