Jeta e tmerrshme nën “thundrën” e burrit

Autori:admin

dhuna-ne-familje

 

Ajo u martua që në moshë të re. La shkollimin, ëndrrën e saj për tu bërë një psikologe. Ra në dashuri si shumica e vajzave në moshë të saj. Djaloshi me të cilin ajo sot ka tre fëmijë, është makthi më i madh i saj.

F.S nga një fshat i komunës së Vushtrrisë ka kaluar 15 vjet të jetës në britma e grushte të burrit të cilin ajo kohë më parë e kishte pasur idol në jetë.

Ajo rrëfen për Gazetën Fjala për tmerret që i ka përjetuar, dhunën fizike dhe psikike të ushtruar ndaj saj nga burri dhe familja e tij.

“U martova, e jetova të kundërtën e asaj që unë e kisha menduar. Në vend të buzëqeshjes mora grushte e të qara”, thotë ajo për Gazetën Fjala.

F.S u martua në moshën 17 vjeçare. Për 15 vite rresht duroi fyeje e sharje nga bashkëshorti i saj. Por pavarësisht kësaj ajo thotë se i duronte të gjitha me shpresën se burri do ndryshonte qasje ndaj saj dhe pse fëmijët ishin të vegjël e nuk kishte me kë t’i linte.

“Vërtetë e doja, kisha tre fëmijë që mendoja se ishin fryt i dashurisë ndaj tij. Por dashuri nuk ka kur mungon respekti për njëri-tjetrin. E duroja atë sjellje e ato grushte për këta tre fëmijë që i kam”, thotë F.S me lot në sy.

“Meshkujt gjithmonë kanë shkelur femrat, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me nenën time”, vazhdon rrëfimin ajo.  F.S tregon se edhe sot pas 15 vite martesë ajo jeton në shtëpinë e burrit, ndonëse disa herë kishte tentuar që të niste jetë tjetër.

“Shkojë në shtëpinë e babës. Po aty  nuk qëndroj shumë, fëmijët janë tek ai. Unë nuk mund të jetojë pa ta”, thotë ajo.

E nga dhuna e meshkujve ndaj grave vetëm gjatë tre muajve kanë pësuar tre gra kosovare. Katër fëmijët e Zejnepe Bytyqi, e vrarë para disa muajve, nuk do ta kenë më kurrë nënën e tyre afër për t`i parë ata duke u rritur.  Pavarësisht sakrificës së saj të madhe për ta mbajtur familjen e bashkuar, duke qenë për vite me radhë viktimë e dhunës psikologjike e fizike të bashkëshortit të saj,  Zejnepja u vra mizorisht nga ai.

Njëjte pësoi edhe F. B,  64-vjeçare nga Hani i Elezit e cila u qëllua mizorisht me armë zjarri nga i dyshuari H. B. 70-vjeçar. Ndaj kryerësve të këtyre veprave Policia e Kosovës shprehet se ka bërë kallëzime penale dhe se përgjegjësit tashmë janë duke u trajtuar për veprat në institucionet e shtetit.

“Policia ka bere kallëzim penal e ka proceduar ne Prokurorin e Shtetit dhe nuk kemi informacione kthyese”, ka thënë PK për Gazetën Fjala.

Dhuna ndaj tyre u mori jetën këtyre tre grave.

Sipas policisë së Kosovës vetën në muajin janar të këtij viti janë të raportuara 80 raste të dhunës në familje, prej të cilave 60 janë viktima femra.

Shteti diskriminon gratë

Por nuk janë vetëm burrat e tyre që sulmojnë gratë kosovare. Ato diskriminohen edhe nga organet më të larta të shtetit.

Sulmet ndaj gjinisë femërore së fundi kanë ardhur edhe nga vet kryeministri i vendit Isa Mustafa. Ai përmes një statusi në Facebook ka fyer grat duke u thënë se ato kullosin fonde.

“Janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po I braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriu apo disa OJQ-ista nacionalist, mos po turren kah lindja”, pati shkruar kryeministri Mustafa në rrjetin social Facebook.

Ndonëse ky fjalor I kryeministrit u kritikua shumë nga shoqëria civile, organizata, por edhe politikan, Isa Mustafa nuk  mori as mundin që të kërkoj falje.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi, ka thënë për Gazetën Fjala se garat kosovare nuk e kanë mbështetjen institucionale, andaj sitë tilla ato duhet të durojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. Kadaj u shpreh se kryeministri i Kosovës ka dështuar në inkurajimin e sistemit të  drejtësisë.

“Kryeministri ka dështuar në sistemin e mbrojtjes së qytetarëve. Shumë gra kanë pësuar nga dhuna në familje. Kjo shihet edhe në dy rastet e fundit, ku dy gra kanë kërkuar mbrojtje  ndërkohë drejtësia dështoj t’i mbrojë ato”, ka thënë Kadaj-Bujupi.  Ajo shtoi se kryeministri me thirrjet e tija të përdorur në raport me gratë po inkurajon dhunën ndaj tyre.

“Kryeministri në vend se të jap shembull personal për inkurajimin e trajtimit të barabartë në shoqëri të grave dhe burrave, ai me të gjitha veprimet e deritanishme, me gjuhën fyese të cilën ai po e përdorë ndaj grave po inkurajon dhunën ndaj grave edhe më shumë”, ka thënë Kadaj-Bujupi

Nga ana tjetër sociologu, Leutrim Sahiti thotë se Qeveria e Kosovës po i diskriminon viktimat e dhunës. Sipas tij në Kosovë jo që nuk mbrohen viktimat por në të shumtën e rasteve ato paragjykohen dhe ofendohen nga vetë drejtuesit e institucioneve në të cilat viktimat e dhunës trokasin dhe kërkojnë ndihmë.

“Kemi raste kur policia i ofendon duke iu thënë se “mirë ta ka bërë”, “burri duhet ta rrah gruan”. Qeveria e Kosovës duhet që të lansojë linja telefonike falas dhe anonime në mënyrë që viktimat e dhunës të raportojnë për rastet e dhunës si dhe të marrin këshilla nga njohësit e kësaj fushe se si të veprojnë në këto raste”, ka thënë Sahiti.

Numër i madh i viktimave të dhunës – strehimoret janë të pakta

Kosova ka ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe strategjinë nacionale kundër dhunës, por praktikisht shifrat janë shqetësuese nga rastet që raportohen brenda institucioneve përgjegjëse.

Prokuroria e shtetit në gjysmën e parë të20150-ës  ka ngritur 8 raste për veprën penale të vrasjes kurse 6 raste për tentim vrasje.

Ndërkohë që në kuadër të Prokurorisë së Shtetit ekzistojnë Zyret Rajonale të Mbrojtësve të Viktimave (ZMNV) dhe Linjës Ndihmëse, dhe raporti nëntë mujor i statistikave të rasteve të raportuar tregon se janë lajmëruar 739 raste të dhunës në familje.

Gjithashtu,  Prokuroria e Kosovës  ka ngritur 103 për vepra penale kundër integritetit seksual.

Edhe në policinë e Kosovës të dhënat tregojnë rritje të rasteve të raportuar nga dhuna në familje, që nga viti 2010.

Nga 944 raste sa ishin raportuar në vitin 2010, numri është rritur në 1179 në vitin 2014. Kryesisht viktimat kanë qenë femra.

Sipas të dhënave të ofruara nga zyra për informim e policisë së Kosovës në gjatë mujorin e parë të këtij viti, nga 460 raste të dhunës në familje 381 viktima janë femra./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/jeta-e-tmerrshme-nen-thundren-e-burrit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala