Intervistë|Valon Prestreshi: Do të hetohen të gjithë shkelësit e konkurrencës

Autori:Agon Sinanaj

loni

Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka filluar të ringjallet pas një kohe të gjatë të problemeve me staf, zyra, dhe, mungesën e marrjes se vendimeve në rastet kur shkelet konkurrenca.

Edhe pse organ i Kuvendit, ky institucion një kohë nuk kishte as zyrë, bord e as drejtor ekzekutiv.

Valon Prestreshi, Kryetari i ri i Komisionit Kosovar të Konkurrencës, thotë në një intervistë për Gazetën Fjala se kanë arritur më në fund t’i kenë disa zyra në objektin e ish- Gjykatës Themelore, por që nuk arrijnë as minimalisht t’i plotësojnë kushtet e punës.

Me gjithë vështirësit, ai thotë se janë duke mbledhur fakte në terren dhe shumë shpejt do të fillojnë punën për nisjen e hetimeve për të gjitha ato kompani që kanë pozitë dominuese në treg.

“Hetime nuk kemi ngritur për askënd, por jemi duke i analizuar dhe grumbulluar faktet ku po pretendojmë që ka shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe kur t’i grumbullojmë faktet e mjaftueshme, atëherë na ipet e drejta që të fillojmë procedura hetimore ndaj ndërmarrjeve që pretendohet qe kanë shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ka thënë Prestreshi.

Në këtë intervistë, Prestreshi flet gjithashtu për sektorin bankar dhe dyshimet për monopol si dhe marrëveshjet e dyshimta të naftetarëve për kurdisje në çmime.

 

Gazeta Fjala: Për më shumë se një vit Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka pasur problem me zyre dhe ka qenë jofunksional. Ku jeni të vendosur me zyrë aktualisht dhe a po funksionon ky institucion?

Valon Prestreshi: AKK është e sistemuar përkohësisht në objektin e ish gjykatës themelore, afër museut. Vendi ku jemi sistemuar përkohësisht është i mjerë dhe minimalisht i plotëson kushtet për të zhvilluar dhe implementuar punën tonë. Fatmirësisht kjo etap do të mbaroj në mesin e muajit dhjetor, dhe ne do të vendosemi ne Objektin e Bankes së Lubljanës.

Gazeta Fjala: Cila është puna që jeni duke e bërë aktualisht?

Valon Prestreshi: Aktualisht jemi duke punuar në disa lëndë ku jemi duke dyshuar se ka shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Jemi duke e bërë hartimin e akteve nënligjore dhe punë tjera administrative që ndërlidhen me operacionet ditore të AKK-së.

Gazeta Fjala: A ka kompani që janë duke u hetuar për pozitë dominuese në treg? A keni marrë ndonje vendim prej se jeni emëruar si drejtor në Komisionin Kosovar të Konkurrencës?

Valon Prestreshi: Hetime nuk kemi ngritur për askënd, por jemi duke i analizuar dhe grumbulluar faktet ku po pretendojmë që ka shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe kur t’i grumbullojmë faktet e mjaftueshme, atëherë na ipet e drejta që të fillojmë procedura hetimore ndaj ndërmarrjeve që pretendohet qe kanë shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Vendime kemi marrur prej se jemi emëruar ne këtë pozitë. Për rastin e Mjedres dhe rastin për ngritjen dhe fiksimin e çmimit në kafenet e Ferizajt. Keto konkluzione mund ti gjeni në ak.rks-gov.net/

Gazeta Fjala: Është përfolur një kohë të gjatë për pozitë dominuese në sektorin bankar, përkatësisht të tri bankave më të mëdha. A jeni duke i hetuar?

Valon Prestreshi: Nuk do të spekuloja rreth sistemit bankar nesë ato kanë ose nuk kanë ndonjë marrëveshje të bashkërenduar apo keqpërdorim të pozites dominuese në kamata apo shërbime tjera bankare. Mund të them se nëse pranojmë ndonjë kërkesë, propozim, kundërshtim ose ndonjë paraqitje tjetër në formë të shkruarë, nga cdo person fizik apo juridik, shoqatë profesionale ose ekonomike e interesit, oda ekonomike, shoqatat e konsumatorëve, Qeveria e Rrepublikës së Kosovës, organet e administratës publike, qendrore dhe ato lokale, po ashtu edhe nësë nuk pranojmë një të till dhe e shohim qe ka shqetësim të madh publik, Autoriteti Kosovar I Konkurrencës sipas detyrës zyrtare fillon iniciativen për fillimin e procedures (monitorimin) dhe nëse në afat prej 0 – 10 muaj del raporti nga hetuesit që ka bazë të fakteve, atehere Komisioni I Autoritetit Kosovar të Konkurrences merr konluzion për fillimin e procedurave hetimore ndaj subjekteve afariste.

Gazeta Fjala: Po ashtu, a është duke i trajtuar KKK dyshimet e ngritura disa herë për parregullësi me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës? Cfarë po bëhet me këtë sektor?

Valon Prestreshi: Deri sa ka çmime konkurruese në këtë treg atëhere nënkupton se potencialisht është duke u zhvilluar një konkurrencë fer mes ndërmarrjeve. Kur ndërmarrjet konkurrojnë mes veti, atëhere ata mundohen që ta ofrojnë kualitetin më të mirë dhe çmimin më të favorshëm, me kusht që ta perfitojnë klientin dhe t’i ngrisin kapacitetet e tyre financiare dhe investuese. Por kur ndermarrjet e tilla, ulen dhe merren vesh që ta përcaktojnë cmimin e produktit dhe ta kufizojnë atë çmim, me kusht që klienti të mos ketë mundësi të përzgjedhjes, atëhere kjo konsiderohet si Marreveshje KARTEL dhe është shkelje e rënd ligjore.

Gazeta Fjala: KKK se fundi ka lëshuar nje komunikatë ku thuhet se po hetohen kultivuesit e mjedrës në Komunën e Podujevës lidhur me dyshimit për shkelje të Ligjit të Konkurrencës. Deri ku kanë shkuar hetimet dhe për cfarë konkretisht po hetohen kultivuesit e mjedrës?

Valon Prestreshi: Kultivuesit nuk kanë qenë objekt i monitorimit por pikat grumbulluese, për më shumë rreth kësaj qështje, gjeje konkluzionin në ëebfaqen tonë të internetit: ak.rks-gov.net/

Gazeta Fjala: A ka ndonjë kompani në Kosovë që ka pozitë dominuese në treg dhe si e rregullon Ligji për Konkurrencën këtë?

Valon Prestreshi: Këtë gjë e rregullon Ligji për mbrojtjen e Konkurrencës. Një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se njëzet e pesë perqind (25%) në treg.

Gazeta Fjala: Çfarë ndëshkimesh parashihen me Ligjin për Konkurrencën në rastet kur ka shkelje në treg?

Valon  Prestreshi: Autoriteti Kosovar i Konkurrencës shqipton masa ndeshkuese ndermarrjeve për të cilat konstatohet se kanë bërë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës duke i ndeshkuar ato deri ne 10% të totalit të të hyrave që ndërmarrja ka realizuar vitin paraprak.

Po ashtu shqipton masa ndeshkuese të lehta deri në dy perqind (2%) të totalit të të hyrave që ndërmarrja e ka realizuar në vitin e fundit,nëse nuk vepron sipas kërkesës së Autoritetit sipas nenit 38 paragrafi 1. dhe 3. të këtij ligji.

Masa ndëshkuese, në shumë prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro i shqiptohet ndërmarrjese cila nuk e ka statusin e palës në procedurë, dhe që nuk vepron sipas kërkesës së Autoritetit ne pajtim me nenin 38 paragrafi 1. dhe 3 të ligjit bazik.

 

Me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) euro-deri në tremijë (3.000) euro dënohet personi përgjegjës i ndërmarrjes, nëse është i involvuar në shkeljet që parashihen në nenet 56 dhe 57 të ligjit bazik.

Me gjobë në shumë prej 1000 euro-deri në tremijë (3.000) euro dënohet personi përgjegjës i organit shtetëror, nëse është i involvuar në shkeljet që parashihen në nenet 56 dhe 57 të ligjit bazik.

Gazeta Fjala: Në përgjithësi si e vleresoni konkurrencën në tregun e Kosovës?

Valon Prestreshi: Ekonomia e tregut të lirë nënkupton që vendimet rreth investimeve, prodhimit, distribuimit dhe përcaktimi i çmimit për mallrat dhe shërbimet është përgjegjësi  e individëve apo e afaristëve të cilët me çdo kusht veprojnë në atë mënyrë që të kenë përparësi ose avantazh në tregun relevant që ata operojnë. Oferta dhe kërkesa është Ligji bazë i ekonomisë së tregut të lirë që nënkupton së nëse oferta është e lartë dhe kërkesa është e vogël, atëhere duhet të ulet çmimi, ndërsa kur oferta është e ulët, dhe kërkesa është e lartë, atëhere normalisht që edhe çmimi rritet. Në një ekonomi të tregut të lirë, involvimi apo intervenimi i qeverive është shumë i vogël, vetëm në raste kur kemi të bëjmë me zhvillimin apo aplikimin e konkurrencës jolojale apo kur qeveria don ta pengojë apo te merr masa ndaj një ndërmarrje e cila keqpërdore poziten dominuese.

Konkurrenca në tregun e Kosovës e sidomos në një ekonomi që është duke u zhvilluar mund t’i ketë vështirësitë e natyres së vetë. Përpjekjet e AKK-së në këtë aspekt do të jënë të mëdha. Institucioni i AKK-së si objektivë kryesore të saj ka: që ta bëjë monitorimin dhe fillimin e procedurave hetimore ndaj shkelësve të konkurrencës, njeherit ta bëjë avokimin dhe trajnimin e duhur rreth konkurrencës fer dhe lojale për akterët e involvuar. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistevalon-prestreshi-do-te-hetohen-te-gjithe-shkelesit-e-konkurrences/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala