Intervistë| Valon Murati: Kosovës i duhet ndihma e diasporës

Autori:Gazeta Fjala

valon murati

Më shumë se gjysmë miliardi euro i shpenzojnë kosovarët e diasporës çdo vit kur vizitojnë vendlindjen prej ku janë larguar. Me vete sjellin përafërsisht aq para ndërsa investojnë rreth 150 milionë euro në hapjen e bizneseve e krijimit të vendeve të reja të punës.

“Kosova dhe në përgjithësi trevat shqiptare në Ballkan janë të privilegjuara që kanë një diasporë të jashtëzakonshme e cila e ka përkrahur atdheun në të gjitha segmentet, pra edhe në atë financiare”, thotë ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai tregon se mbi 1.5 miliardë euro cdo vit hyjnë në Kosovë nga diaspora ndërsa mbulojnë nevojat jetike për jetën ekonomike në Kosovë.

Pavarësisht pakënaqësive që ata shprehin për situatën në Kosovë dhe rreikun që t’ia kthejnë shpinën vendit, Murati është i bindur se vendi llogaritë edhe për një kohë të gjatë në ndihmën e bashkëatdhetarëve, jo vetëm financiare.

“Diaspora jonë ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës dhe domosdo se edhe pritjet i ka pasur të mëdha. Kosova i ka problemet e veta, dhe në shumë drejtime kritikat dhe vërejtjet e diasporës janë të drejta dhe me vend. Mbi të gjitha ato vërejtje burojnë nga dashuria që kanë për vendin”, thotë ai.

I pari i Ministrisë së Diasporës vlerëson se bashkëatdhetarët tani ndihmën më të madhe mund t’ia bëjnë Kosovës duke bërë përpjekje që të integrohet në jetën politike, ekonomike, arsimore, kulturore, e publike të vendeve ku jetojnë, duke u shndërruar kështu në fuqi politike e ekonomike në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Gazeta Fjala: Ministër, a mund të llogaris ende Kosova në remitencat e kosovarëve nëpër botë?

Valon Murati: Kosova dhe në përgjithësi trevat shqiptare në Ballkan janë të privilegjuara që kanë një diasporë të jashtëzakonshme e cila e ka përkrahur atdheun në të gjitha segmentet, pra edhe në atë financiare. Remitancat janë vetëm një prej mënyrave të përkrahjes që vjen nga diaspora jonë dhe kjo formë e përkrahjes ka ndihmuar mirëqenien socio-ekonomike të familjeve të pjesëtarëve të diasporës dhe rrjedhimisht të Kosovës. Në përgjithësi Kosova edhe për një kohë të gjatë, duke u bazuar në trendet e fundit, do të mund të llogaris në këto remitenca. Sidoqoftë ne si shteti dhe si shoqëri duhet të punojmë që një pjesë të këtyre remitancave të fillojmë t’i kanalizojmë në projekte konkrete të zhvillimit ekonomik. Duke pasur parasysh faktin se remitancat janë mjete që shpenzohen në konsum të përgjithshëm, Ministria e Diasporës duke u bazuar edhe në modelet më të mira, ka inicuar një program, që është në fazat fillestare të trajtimit në qeveri, që përmes granteve korresponduese një pjesë e tyre të investohen në projekte konkrete ekonomike, fillimisht në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë informative.

Gazeta Fjala: Sa është shuma e mjeteve që vijnë nga diaspora dhe ku po shkojnë ato?

Valon Murati: Sipas të dhënave të fundit të BQK-së, të cilat reflektojnë një ndryshim në metodologji, e që nënkupton se të dhënat mund të mos përputhen me raportin e tyre për vitn 2015 sa i përket remitancave, për vitin 2015 remitancat kanë qenë 665 milion euro, shpenzimet e udhëtimit të migrantëve kanë qenë 676 milion euro dhe investimet direkte 180 milion euro. Kështu për vitin 2015 të hyrat nga diaspora kanë qenë diku tek 1 miliardë e 522 milion euro. Të dhënat e BQK-së deri në tetor të vitit 2016 tregojnë se deri në atë muaj remitancat kanë qenë 567 milion euro, shpenzimet e udhëtimit 735 milion euro dhe investimet direkte 129 milion euro. Bashkërisht këto shifra deri në tetor të vitit të kaluar të hyrat e diasporës për Kosovën i çojnë tek 1 miliardë e 431 milion euro. Këto shifra dëshmojnë për një fakt të patejkalueshëm, që të hyrat nga diaspora janë jetike për jetën ekonomike në Kosovë dhe njëkohësisht ndihmojnë në mbulimin e deficitit të madh tregtar të cilën ne kemi si shtet.

Gazeta Fjala: Çfarë ofron Kosova për kosovarët që kanë krijuar kapital në diasporë?

Valon Murati: Me gjithë problemet që i kemi si shtet, megjithatë Kosova është një vend i përshtatshëm për investime dhe bërje të biznesit. Kjo edhe për faktin që kemi një popullatë të re por edhe politika të favorshme fiskale. Gjithashtu edhe hyrja në fuqi e Ligjit për Investime Strategjike e krijon një mundësi shumë më të favorshme për investime. Sot kemi shumë e shumë storie të suksesit të investimeve të diasporës në atdhe. Diaspora gjithashtu luan rol edhe në sjelljen e invsititorëve të huaj në Kosovë. Ndërsa në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, konkretisht në Grupin Punues për Investimet e Diasporës trajtojmë rregullisht çështjet dhe problemet që shtrojnë bizneset nga diaspora dhe bëjmë përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre. Në këtë grup punues për herë të parë përfaqësohet edhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe aty ka tërë mundësit që të shtrojë jo vetëm ankesat dhe vërejtjet por edhe të prezantojë idetë apo politikat të cilat konsiderojnë se duhen të ndiqen në mënyrë që ambienti i biznesit për ndërmarrësit nga diaspora të jetë i favorshëm. Qoftë si ministri, qoftë si grup punues, qoftë personalisht si ministër, mbaj të gjallë dialogun me bizneset nga diaspora dhe përfaqësuesit e tyre dhe po bëjmë përpjekje serioze të trajtojmë të gjitha problemet që ata shtrojnë.

Gazeta Fjala: Sa keni arritur që ti rrjetëzoni bizneset Kosovare në diasporë?

Valon Murati: Deri më tani kemi krijuar 23 Rrjete të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të cilat funksionojnë në nivel shteti, pastaj kemi organizimin e tyre qendror. Fuqizimi i tyre është një proces në vazhdim, që as nuk ka mbaruar dhe as nuk do të mbarojë asnjëherë. Këto rrjete tani më duhet të fillojnë të konsolidohen dhe të ngritën në një stad më të avancuar të organizimit. Ndonëse rrjetet kanë filluar si projekt i ministrisë, qasja ime është që ky mekanizës duhet të veprojë i ndarë nga ministria dhe të jetë krejtësisht i pavarur nga mekanizmat qeveritarë. Ministria jonë vazhdon të jetë mbështetëse e tyre, por gjithmonë duke në nivel të një partneriteti pune. Unë konsideroj se rrjetet në nivel shtetesh dhe ai qendrori në të ardhmen e afërt do të jenë ndër partnerët më të rëndësishme të shtetit në fushën ekonomike. Realisht, vetëm trajtimi i diasporës si një partnere e barabartë në zhvillimin e shtetit dhe duke pasur parasysh edhe interesin e saj, është formula e duhur për vendosjen e një marrëdhënieje të shëndosh me të.

Gazeta Fjala: Cilat janë barrierat me të cilat përballen ata kur vendosin të investojnë në Kosovë?

Valon Murati: E para mendoj se ne të gjithë duhet të punojmë që të krijojmë një ambient më të mirë dhe një atmosferë më pozitive. Kjo nënkupton që përveç trajtimit të problemeve, të shpërfaqen edhe rastet e sukseseve të investimeve nga diaspora. E dyta vërejtjet themelore dheproblemet të cilat i kemi identifikuarne nuk dallojnë nga ato të bizneseve të tjera. Ato do të mund të përmblidheshin në tri probleme kryesore: mungesa e energjisë elektrike, mosefikasiteti i sistemit gjyqësor (përcjell me mosbesim në këtë sistem) si dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Të gjitha këto vërejtje ne i kemi përcjellur në nivelet më të larta, e disa prej tyre janë trajtuar seriozisht edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik por edhe të grupit punues që udhëheqi unë. Çështjen e trajtimit me përparësi të investitorëve nga diaspora e kam kërkuar edhe në takimet që kam pasur si me kryesuesin e Këshillit Gjyëqsor të Kosovës, poashtu edhe në takimet zyrtare që kam pasur me Kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Për më tepër kemi qenë shumë të angazhuar që të funksionalizohet divizionit për investimet e huaja në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës. E treta ne jemi duke punuar që së bashku me KIESA-n të përgatisim edhe një pako me informata për investuesit nga diaspora në mënyrë që ata të mos vuajnë nga mungesa e informatave kur janë në pyetje mundësitë për investime, por gjithashtu të njohin edhe mekanizmat të cilëve ata u duhet drejtuar në rastet kur kanë nevojë për ndihmë dhe sqarime por gjithashtu edhe në rastet kur ata dëshirojnë të ankohen për telashe dhe pengesa.

Gazeta Fjala: Duke parë se gjeneratat po ndërrohen, çfarë jeni duke bërë që gjeneratat e reja të bashkatdhetarëve ti mbani të lidhura me Kosovën?

Valon Murati: Në këtë fushë, ne kemi ndërmarrë disa nisma dhe programe të cilat kanë rezultuar të suksesshme deri më tani. Në shume shtete kemi krijuar rrjetet e të rinjve dhe studentëve shqiptar, si mekanizma përmes së cilëve ata njihen edhe më mirë ndërmjet vete por edhe kemi realizuar aktivitete me këto rrjete dhe i kemi ofruar edhe me organizatat në atdhe. Gjithashtu këto dy vitet e fundit kemi nisur një program të praktikave të punës në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës për studentët nga diaspora mekanizëm ky që jo vetëm i ndihmon ata për të forcuar lidhjet me shtetin tonë por gjithashtu i ndihmon ata edhe në studimet e tyre. Aktivitete të dendura çdo vit realizojmë përmes organizimit të kampeve dhe shkollave verore, ekskursioneve, kuizeve të diturisë, olimpiadës sportive etj. Ne gjithashtu jemi shumë aktiv dhe prezent në ndihmën dhënë për të mbajtur gjallë shkollën shqipe në diasporë si dhe për të fuqizuar këtë shkollë. Së fundmi po bëjmë përpjekje që t’i koordinojmë aktivitetet më mirë edhe me Republikën e Shqipërisë në mënyrë që marrëveshja për organizimin e mësimit shqip në diasporë të cilën e kemi nënshkruar në mars të vitit 2015 në mes të Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë të fillojë të jap rezultatet e para.

Gazeta Fjala: Shpesh kosovarë që jetojnë në diasporë shprehin pakënaqësi me situatën në Kosovë. A ka rrezik që t’ia kthejnë shpinën vendit?

Valon Murati: Diaspora jonë ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës dhe domosdo se edhe pritjet i ka pasur të mëdha. Kosova i ka problemet e veta, dhe në shumë drejtime kritikat dhe vërejtjet e diasporës janë të drejta dhe me vend. Mbi të gjitha ato vërejtje burojnë nga dashuria që kanë për vendin. Përkundër tërë paknaqësive që mund të kenë diaspora shqiptare nuk mund t’ia kthej shpindën atdheut. Unë e ftoj që duke i kuptuar edhe vështirësitë nëpër të cilat po kalon Kosova, edhe veçantitë përmes së cilave është fituar pavarësia, të vazhdojnë të ndihmojnë atdheun e vet në të gjitha drejtimet. Sot ndihma më e madhe jepet, jo duke u organizuar politikisht në bazë të partive politike në Kosovë apo trevave të tjera shqiptare në Ballkan, se ky organizim e përçan diasporën, por duke bërë përpjekje që të integrohet në jetën politike, ekonomike, arsimore, kulturore, e publike të vendeve ku jeton, duke u shndërruar kështu në fuqi politike e ekonomike në vendet ku jeton dhe punon.

Gazeta Fjala: Edhe sa do të ketë nevojë për Ministrinë e Diasporës?

Valon Murati: Sipas vlerësimit tonë e cila është bazuar në punën e bërë deri më tani, mendoj se kemi nevojë për një Ministri të Diasporës edhe më të fuqishme sesa e kemi sot, në aspektin ligjor dhe financiar, së paku deri në momentin kur të vendoset në binarë të fortë organizimi i diasporës sonë dhe kur të konsolidohen mirë raportet institucionale me të. Është vështirë të projektohet një kohë e saktë për këto synime, por mendoj se së paku edhe 3 mandate tjera qeverisëse do të ishte e domosdoshme ekzistenca e ministrisë. Në anën tjetër jam i bindur se mekanizma serioz shtetëror që merren me diasporën duhet të ketë në vazhdimësi.

Gazeta Fjala: A po ruhet gjuha shqipe tek shqiptarët nëpër botë?

Valon Murati: Siç e përmenda më lartë, ne kemi inicuar dhe nënshkruar një marrëveshje me dy Ministritë e Arsimit, të Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për organizimin e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Pavarësisht që nuk jam shumë i lumtur me dinamikën e realizimit të këtyre marrëveshjeve, mund të them se shumë punë është bërë në realizimin e tyre. Ministria e Diasporës vazhdon të furnizojë çdo shkollë shqipe në diasporë me libra dhe materiale tjera të mësimit, gjithashtu jemi duke punuar në hartimin e kurikulave të reja të përbashkëta të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë duke ju përshtatur edhe modeleve të avancuara mësimore por edhe kemi inicuar fushata vetëdijësuese për pjesëmarrje në këto shkolla. Në anën tjetër, pjesa më problematike e marrëveshjes ka të bëjë me financimin e saj, andaj ne jemi duke punuar që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të trajtohet edhe çështja e financimit të këtij mësimi, pa të cilin komponent është e vështirë që të realizohet marrëveshja.  Por pavarësisht një pune të madhe që kemi bërë në këto dy vite në fushën e organizimit të mësimit të gjuhës shqip, meritat më të mëdha i shkojnë të gjithë atyre arsimtarëve dhe mësuesve në diasporë që për vite me një punë të jashtëzakonshme e kanë mbajtur gjallë frymën e gjuhës shqipe tek fëmijët tanë atje.

Gazeta Fjala: Sa jeni prezent me aktivitete kulturore tek diaspora?

Valon Murati: Nga fillimi i mandatit tim si ministër kam iniciuar një bashkëpunim edhe me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore në diasporë ku si rezultat i saj kemi nisur edhe një program që quhet “Ditët e kulturës shqiptare”. Deri më tani këto aktivitete i kemi organizuar në shtete të ndryshme ku jeton diaspora jonë, por njëkohësisht këto aktivitete janë shfrytëzuar edhe si mekanizëm i diplomacisë publike. Këto aktivitete jemi munduar që t’i kemi sa më cilësore, ku pjesë e tyre kanë qenë edhe artistë të diasporës si Elina Duni, Eda Zari, Fadil Berisha etj. Gjithashtu gjatë “Ditëve të Diasporës” t ne si ministri përgjatë dy viteve të fundit në bashkëpunim edhe me partnerët tanë kemi organizuar rreth 400 aktivitete kulturore gjatë kohës së prezencës së bashkatdhetarëve tanë në atdhe. Por njëkohësisht po mundohemi sikurse edhe në të gjitha fushat tjera, ashtu edhe në atë kulturore të promovojmë maksimalisht edhe storiet e suksesit të bashkatdhetarëve në atdhe.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistevalon-murati-kosoves-i-nduhet-ndima-e-diaspores/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala